Problemet e mëdha të Europës

Harold James

Bashkimi Europian është pa dyshim në një periudhë të thellë pasigurie. Nëse liderët kërkojnë të përmirësojnë situatën, ata do të duhet të identifikojnë rrënjën nga ku buron destabilizimi, i cili nuk ka shumë lidhje me ekonominë apo emigracionin se sa me lidershipin franko-gjerman.
Zgjedhja e presidentit Emmanuel Macron në Francë dhe vazhdimi i mandatit të Angela Merkel si kancelare e Gjermanisë janë e vetmja siguri në Europën, që është kthyer në një vend të paparashikuar. Shumëkush pyet veten nëse bërthama franko-gjermane e Bashkimit Europian po bëhet tepër e fortë për pjesën tjetër të bllokut. Nëse kjo do të jetë e vërtetë, atëherë ata që ëndërrojnë integrimin europian gjithnjë e më të ngushtë do të duhet të kënaqen me një aks relativisht më të gjerë franko-gjerman.
Europa sot është duke u përçarë nga forca cetrifugale, përfshirë ngjarjet në Katalonjë dhe lëvizja më e heshtur për autonomi në rajonet e Lombardisë dhe Venetos në rajonet italiane. Populizmi i djathtë qëndron në pushtet në Hungari, Poloni dhe tani po merr forcë edhe në Austri. Populistët e majtë qeverisin Greqinë dhe populistët e qendrës po i afrohen Republikës Çeke, ku manjati Andrej Babiš pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit.
Bashkimi Europian është duke u ndëshkuar gjerësisht me votë në sektorin politik, por ajo që nuk është shumë e qartë, është rrënja e problemit. Thuhet shpesh se populizmi është një përgjigje e pashmangshme për viktimat e globalizimit. Kjo nuk shihet në performancën ekonomike në Republikën Çeke, Hunghari dhe Poloni dhe nuk shpjegon krizën e Katalonjës, pikërisht atëherë kur Spanja kishte hyrë në periudhën e ripërtëritjes ekonomike, apo arsyen përse Greqia vazhdon të jetë një shtet i dobët. Ndërkohë, një tjetër fajtor i preferuar është emigracioni dhe kriza e refugjatëve si një alibi e përkryer, kur në fakt ka shumë pak prurje azil-kërkuesish në vendet që kërkojnë të luftojnë më fuqimisht politikat e BE-së për emigracionin.
Për të identifikuar rënjën e pakënaqësisë duhet të ekzaminojnë pritshmërinë e vjetër se, lidershipi i Europës duhet të vijë nga partneriteti franko-gjerman, i cili ka qenë edhe shtytësi kryesor i integrimit europian për dekada me radhë-në periudhën pas luftës, presidenti francez Charles de Gaulle bashkëpunoi ngushtë me kancelarin gjerman Konrad Adenauer dhe kjo vazhdoi përgjatë viteve 1990, kur François Mitterrand dhe Helmut Kohl lidhën një miqësi të ngushtë mes dy vendeve.
Në nder të kësaj historie, është krijuar bindja se nëse Franca dhe Gjermania bien dakord për diçka, pjesa tjetër e Europës do të duhet të pranojë gjithashtu, por gjatë krizës së eurozonës, që filloi në fund të vitit 2009, pushteti filloi të zhvendosej nga Franca drejt Gjermanisë dhe shumë shtete të tjera filluan t’i merrnin inat këto dy shtete, për shkak të masave ekstreme financiare që shpeshherë impononin. Sipas sondazheve, francezët dhe gjermanët tani marrin një vlerësim të dobët për besnikërinë e tyre.
Merkel ka qenë e polarizuar. Përpara shtatorit të vitit 2015, shumë europianë mendonin se ajo ishte tepër e përkushtuar ndaj regjimit të masave ekstreme që pretendohej se po e intensifikonte krizën e euros. Më pas, ajo drejtoi përgjigjen humanitare kundrejt krizës së refugjatëve, duke u lavdëruar nga ish-kritikët e saj, por u dënua nga populistët dhe nacionalistët e tjerë anti-BE, veçanërisht nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Europa Qendrore. Tani, populistët fajësojnë atë jo vetëm për refugjatët, por edhe për terrorizmin. Po kështu, Macron nuk i ka bërë vetes asnjë favor në Europën Lindore dhe Qendrore. Kriticizmi i tij ndaj Direktivës së Punonjësve – që lejon punonjësit e rajonit të shamngin taksat – ka bërë që ai të kritikohet po aq sa Merkel në disa shtete.
Gjatë krizës së eurozonës, shumë politikanë grekë, italianë dhe spanjollë e shihnin Francën si kundërpeshë ndaj Gjermanisë. Ata mendonin se, Franca mund të frenonte fushatën e masave shtrënguese dhe të shtynte investime më të mëdha në sektorin publik, por ky ishte iluzion dhe një keqinterpretim i rolit të Francës në partneritetin franko-gjerman. Sipas ndarjes tradicionale të punës, Franca ofron sigurinë dhe mjetet për Europën që të projektojë pushtetin nëpër botë, ndërsa Gjermania mbikëqyr financën dhe ekonominë.
Kur Europa u përball me një sfidë sigurie pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, motori franko-gjerman u vu në lëvizje menjëherë, por kritikët e BE-së nuk i pëlqejnë idetë e politikave të jashtme të koordinuara dhe aq më pak disiplinën fiskale dhe monetare të imponuar në mes të një recesioni.
Megjithatë, edhe pse partneriteti franko-gjerman është gjendur në mes të zjarrit, ka fituar edhe pushtet falë vendimit të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Përpara referendumit të Brexit në vitin 2016, shumë në periferi të BE-së e shihnin Britaninë si barrierë ndaj dirigjizmave të Francës dhe pushtetit gjerman. Tani, Britania e Madhe është në mëshirën e Francës dhe Gjermanisë teksa negocion strategjinë e daljes.
Fotografitë e kryeministres britanike Theresa May gjatë vizitës së saj në Bruksel më 20 tetor ishin mjaft domethënëse për shkak se të sillnin ndërmend momentin e samitit të BE-së në vitin 2011, kur Merkel dhe ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy shtrembëronin sytë përballë kryeministrit italian Silvio Berlusconi. Brenda pak javësh, Berlusconi ishte jashtë qeverisë.
Duke parë drejt të ardhmes, Franca dhe Gjermania kanë urgjentisht nevojë të zhvillojnë një vizion të përbashkët në sintoni edhe me politikat e tyre kombëtare dhe të nisin një reformë të thellë të Bashkimit Europian. Që tani kanë një dakordësi lidhur me nevojën për koordinim të mbrojtjes dhe harmonizimit të taksave, por kaq nuk është e mjaftueshme. Franca dhe Gjermania duhet të adresojnë shumë sfida të tjera në lidhje me centralizimin fiskal, ristrukturimin e borxhit sovran dhe çështjeve të tjera thelbësore.
Pavarësisht nëse Franca dhe Gjermania janë dakord apo jo në çështje të caktuara, të gjitha fushat politike do të duhet të hapen dhe të nisin procesin e negocimit me të gjitha vendet e tjera anëtare. Pjesa tjetër e Europës duhet të ndjejë se kanë edhe ata një karrige në tavolinë dhe që zëri i tyre do të dëgjohet. Bashkimi Europian mund të vazhdojë të zhvillohet, por vetëm nëse çlirohet nga perspektivat e ngushta të prioriteteve franko-gjermane. Europa tani ka nevojë për ristrukturim të thellë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakMekanizmi i ri mbrojtës i BE
Artikulli tjetërRreziku më i madh për ekonominë globale