Presidenti rumun, i pari lider në Ballkan që viziton Trump

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, pritet të takohet më 9 qershor me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për një vizitë zyrtare mes shqetësimeve të vazhdueshme të shteteve europiane mbi qëndrimet e papërshtatshme të presidentit amerikan në lidhje me NATO-n dhe Bashkimin Europian.
Iohannis do të udhëtojë drejt SHBA-së të dielën për të marrë pjesë fillimisht në Forumin Global të Komitetit të Hebrenjve amerikanë, si një i ftuar nderi dhe për të marrë çmimin “Dritë Kombeve” – çmimi më i lartë i organizatës 110-vjeçare për krerët e shteteve apo qeverive në lidhje me punën e tyre ndërkombëtare për paqe dhe demokraci.
Sipas presidencës rumune, Iohannis dhe Trump do të diskutojnë partneritetin strategjik 20-vjeçar midis Rumanisë dhe SHBA-së, ndërsa Iohannis do të theksojë se vendi i tij mbetet aleati më i parashikueshëm dhe më i besueshëm i Amerikës në rajon.
Diplomatët rumunë në Uashington e kanë kërkuar vizitën prej muajsh, duke i kujtuar administratës së re të Trump se vendi është i vetmi në Ballkan dhe në rajonin e Detit të Zi, që ka ngritur shpenzimet e veta të mbrojtjes në 2 për qind të PBB-së, pasi traktatit të NATO-s.
Në një intervistë në shkurt, ambasadori i Rumanisë në Uashington, George Maior, tha se takimi i Iohannis me Trump ishte një përparësi kryesore.
Ai tha gjithashtu se ish-këshilltari i sigurisë i Trump, Michael Flynn, i cili ka vizituar disa herë Rumaninë, kishte premtuar të bindte sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson të vizitonte vendin ballkanik.
Në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit, në samitin e NATO-s në maj në Bruksel, Trump i qortoi aleatët se nuk kishin bërë shpenzimin e mjaftueshëm për mbrojtjen kolektive, duke përsëritur ankesat e zakonshme se ngarkesa më e madhe bie mbi Amerikën.
Ai gjithashtu refuzoi të mbështeste nenin 5 të traktatit të aleancës, ku thuhet se një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.
Rumania ka mbështetur me forcë lëvizjet e NATO-s për të shtuar praninë e saj në krahun lindor të aleancës.
Ajo dhe Bullgaria fqinje, si dhe shtetet baltike dhe Polonia, po presin ushtarë nga 28 shtetet anëtare të NATO-s, ku më shumë se 7,000 trupa janë dërguar në vendet fqinje me Rusinë.
Iohannis ishte gjithashtu kreu i parë i një shteti të NATO-s dhe BE-së që mbështeti SHBA-në, pasi kancelarja gjermane Angela Merkel tha se, “Europa duhet ta marrë fatin e saj në duart e veta”, duke iu referuar presidencës Trump dhe Brexit.
Iohannis i hodhi poshtë të hënën shqetësimet e Merkel rreth drejtimit aktual të SHBA. “Deklarata e Kancelares Merkel u bë për shkak të pritshmërive të papërmbushura në samitin e NATO-s dhe në Samitin G7. Nuk mendoj se duhet të shqetësohemi për këto marrëdhënie”, tha Iohannis.
Djali më i madh i Trump nga ish-gruaja Ivanka, Donald Trump i Riu, i cili drejton Fondacionin Trump, u pa së fundmi teksa bënte gjueti në Rumani në maj.
I pyetur nëse ishte takuar me djalin e Trump, Iohannis tha atëherë se preferonte t’i shihte kafshët gjallë.

Artikulli paraprakTunelet e drogës nga Meksika në SHBA
Artikulli tjetërGreqi-Maqedoni, drejt zgjidhjes së emrit