Prek Cali përballë partizanëve nga Jugosllavia dhe Shqipëria

Kastriot DERVISHI

Në mesin e nëntorit 1944, pra dy javë para se komunistët të hynin në Shkodër, partizanët jugosllavë të ardhur nga Kolashini sulmuan Vermoshin. Vodhën pasurinë e shqiptarëve. Vetëm Prek Calit i morën një mall me vlerë prej 20 mijë napolonash flori. Malësorët nuk patën mundësi të reagonin ndaj këtij sulmi, por u bënë gati që në vijim sulmuesit me yll të kuq nga brenda apo jashtë kufirit t’i prisnin me pushkë.
Më 28.11.1944 batalioni i 1-rë i brigadës së 1-rë pasi parakaloi para Enver Hoxhës në Tiranë, u drejtua për ekspedita ndëshkimore në Prefekturën e Shkodrës, duke nisur së pari nga nënprefektura e Mirditës. Më 11.11.1945 ky batalion u gjend në Shkodër. Sipas historikut të brigadës së 1-rë, qëllimi i udhëtimit në Kelmend ishte “spastrimi nga reaksionarët” dhe “ngritja e këshillave nacionalçlirimtare”. Siç edhe dihet Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi nuk e shtrinë dot pushtetin e tyre në pjesën më të madhe të veriut të vendit. Kjo “punë” ngeli pas lufte. Çdo përpjekje e popullsisë vendase ka qenë vetëmbrojtje ndaj një bande gjakatare që përpiqej të vendoste pushtetin e saj.
Më 10.1.1945 afër kishës së Kastratit u zhvilluan luftime midis komunistëve e malësorëve vendas. Këtu nisi në fakt qëndresa që përfundoi me arrestimin e Prek Calit më 16.2.1945.
Në vijim, më 13.1.1945 në Kalcë u mbajt kuvendi i burrave të Kelmendit i kryesuar nga Prek Cali. Teksa po diskutohej çfarë duhej të bënin përballë rrezikut që i kanosej prej komunistëve, një gjyle e partizanëve ra afër vendit ku po bëhej kuvendi. Kjo gjyle dhe të tjerat pas saj, vulosën vendimin e malësorëve se qëndresa ndaj komunistëve ishte e pashmangshme.
Forcat e batalionit të 1-rë me një eufori të pazakontë u nisën drejt veriut me dëshirën për t’i dhënë një ndëshkim të mirë banorëve të Kelmendit që normalisht e urrenin komunizmin.
Në afërsi të urës së Tamarës forcat komuniste hasën në qëndresën e banorëve. U zhvilluan luftime për rreth 10 orë, nga ora 6.00 deri në orën 16.00. Në përfundim u vranë 13 komunistë, me 2 që vdiqën nga i ftohti, ndërsa mbeturinat e batalionit kaluan në Jugosllavi te aleatët e vet.
Nisur nga humbjet që pësuan në aventurën e tyre terroriste, komunistët organizuan dy operacione kundër popullsisë civile, sipas këtyre datave:
14–31 janar 1945
1–16 shkurt 1945
Operacioni i parë përfundoi me humbjen e komunistëve dhe sprapsjen e tyre. Operacioni i dytë është quajtur “spastrimi”. Operacioni mbi veriun e vendit kishte karakter thellësisht antikombëtar. Persona të armatosur, kryesisht kontingjente të botës së krimit, shkonin në operacione duke kënduar: “Luaje, luaje goce këmbënë; t’ia q…gegës mëmënë”.
Më 26.1.1945 mbërriti në Shkodër, Mehmet Shehu. Ai urdhëroi menjëherë që terrori të niste nga qyteti. Duke njohur rëndësinë dhe natyrën e papërkulur të Shkodrës, Shehu “bllokoi” qytetin nga 29 janari deri më 2 shkurt 1945, duke arrestuar 168 persona, duke krijuar një gjendje të paparë ndonjëherë. Mehmet Shehu i shkruante Enver Hoxhës se Ferit Radovicka me tre batalione do të marshonte nga Jugosllavia e do të dilte në Vermosh për të goditur “armikun” pas shpine nga veriu. Ndreko Rino me dy batalione do të sulmonte në drejtimin Bogë-Okël për të dhënë goditjen nga lindja. Ndërsa Abaz Fejzo me katër batalione do të sulmonte nga Broja. Operacioni do të zhvillohej në trekëndëshin Bunë-Drin-Shëngjin. Kundër popullsisë civile u përdorën edhe topat e batalionit “Antonio Gramshi”. Qëndresa e popullit të Malësisë mori fund ditën e arrestimit të Prek Calit më 16.2.1945. Ky i fundit ishte në fortesën e fundit në shpellën e Vuklit së bashku me disa burra të tjerë. Qëndroi në kushte të vështira për 7 ditë. Partizanët nuk e mundën dot Prek Calin, pavarësisht se kishin forca të shumta ushtarake. Cali pranoi të dalë nga shpella në “besë” të Abaz Fejzos. “Nacionalçlirimtarët”, si forcë antikombëtare morën edhe masa të tjera që renditen si krime ekonomike e sociale. Ata dogjën 34 shtëpi në Vermosh, Nikël, Vukël e Rahovicë; konfiskuan 80 kokë lopë, 315 dhenë, 35 barrë bereqet. Ushtria “çlirimtare” si mishngrënëse e paparë gjatë ushtrimit të gjenocidit të saj, hëngri aty 225 krerë bagëti.
Komunistët patën 39 të vrarë dhe 48 të plagosur (prej tyre 30 të vrarë dhe 48 të plagosur ishin të brigadës së parë). Ndërsa popullsia vendase pati 44 të vrarë dhe 21 të plagosur. 19 familje u internuan e përfunduan më pas në kampin e Beratit.
Prek Cali u gjykua në një proces të Gjyqit Ushtarak të Korparmatës së 3-të në Shkodër, ku u dënuan 25 persona. Në gjyq Cali deklaroi se “partizanët janë njerëz të këqij, të djegin, vrasin dhe janë njerëz pa fe”.
Me vendimin nr. 42, datë 3.3.1945, gjykata komuniste ndër të tjerë, deklaroi fajtorë dhe dënoi 70-vjeçarët Prek Calin dhe Ded Lulash Smaili me vdekje. Prek Cali dhe 8 të dënuar të tjerë janë ekzekutuar nga brigada e 2-të të Mbrojtjes së Popullit në Shkodër.
Kujtimi i veprës së Prek Calit e burrave të malësisë, u kujtua për herë të parë në vitin 1992, në një ceremoni të zhvilluar në Alpet shqiptare, të cilën e nderoi edhe pjesëmarrja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Rajërson.
Bashkëlidhur, harta e veprimit ushtarak të partizanëve në fazën e dytë. Vini re hyrjen e trupave nga territori jugosllav në krahun e majtë të hartës.

Ambasadori amerikan, Rajërson nderoi Prek Calin më 1992

Këto foto i takojnë vitin 1992. Ndoshta kjo është kulla e Prek Calit në Malësi. Në foto shihet prania e ambasadorit amerikan Rajërson, në nderim të figurës së Prek Calit. Mesazhi që përcolli ambasadori në emër të SHBA-së ishte fare i qartë në mbështetje të veprës së Prek Calit. Domethënë ose duhet të jemi me Prek Calin dhe Amerikën, ose duhet të jemi me armiqtë e Prek Calit, me Beogradin apo Moskën.
Katër ditë më parë, fadromat e Inspektoratit Ndërtimor rrafshuan kullën e prijësit të krahinës së Kelmendit, heroit të rezistencës antikomuniste, Prek Cali. Veprimi i kryer në fshehtësi, në atë kullë ku prej disa javësh emigrantët e zonës kishin nisur të investonin për ta kthyer në identitet, solli reagimin e ashpër të banorëve.
Me një vendim arbitrar, ekskavatorët e IKMT-së kanë shkuar në Vermosh dhe kanë shembur shtëpinë e Prek Calit, udhëheqësit të kryengritjes antikomuniste të Kelmendit të vitit 1945. Siç duket trashëgimtarët e diktaturës që tani janë në pushtet, ende nuk e harrojë atë kryengritje dhe sot kanë vendosur që të bëjnë edhe veprime të tjera. Ata jo vetëm që nuk kanë lënë rikonstruktimin e banesës së Prek Calit, por kanë vendosur ta rrafshojnë.
Reagimet e banorëve kanë qenë të shumta, por ndërhyrja e policisë ka bërë që ekskavatori i IKMT-së të bëjë shembjen. Banorët kanë thënë se veprimi i bërë sot i ka vrarë ata për së dyti, pas masakrës që bënë komunistët më 1945.
Të mbledhur në rrënojat e kullës, banorët e quajnë vrasje për së dyti të Prekë Calit dhe turp kombëtar, atë që ndodhi në këto troje. “Prekë Calit i kanë ardhur mushqit me flori dhe nuk ka pranuar të shesë Vermoshin, as Kelmendin. Kurse sot këtyre politikanëve të famshëm që kemi ne, gjysmën e këtyre parave dhe të shesin Shqipërinë. Kështu janë këta. Ne dënojmë shumë gjestin e djeshëm. Edhe si shoqatë e të persekutuarve, edhe si mbarë populli i Vermoshit dhe Kelmendit, është gjëja më e keqe që ka ndodhur tani e 100 vjet. Enver Hoxha ia hoqi një kat, por nuk e shembi krejt, e ka shfrytëzuar. Kjo është vrasja e dytë që i bëhet Prekë Calit dhe kullës së tij prej regjimit komunist. Prej këtyre nuk kemi pritur të mira dhe as nuk presim”, u shprehën banorët e revoltuar.

Artikulli paraprakAksidentet rritje me 8.6%, në gusht u aksidentuan 292 persona
Artikulli tjetërQeveria e “Plehrave”, në dy vjet, 4 inceneratorë dhe 3 landfille