Politikat që po rrënojnë Arsimin e Lartë

Ermal Xhelilaj

Zhvillimet e fundit në Maturën Shtetërore janë indikacioni më i fundit i papërgjegjshmërisë së kësaj Qeverie dhe premtimeve të saj të parealizuara për një sistem arsimor cilësor, të konsoliduar dhe eficent. Politikat dhe strategjia qeveritare mbi arsimin e lartë dhe përgjithësisht lidhur me sistemin arsimor në Shqipëri, rezultuan të jenë prelud i dështimeve spektakolare të njëpasnjëshme, sikurse është pasqyruar gjatë këtyre viteve edhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm e jetik për vendin, sic është drejtesia, ekonomia, sistemi social etj.

Arsimi i Lartë, vecanërisht, ka pësuar një impakt negativ gjatë viteve të fundit për shkak të vizionit jopragmatist, problematik e ineficent arsimor të Qeverisë, duke rezultuar në çedimin e mëtejshëm të parametrave mësimor, akademik dhe të kerkimit shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë ( IAL). Mungesa e vëmendjes dhe e strategjive produktive të MAS ndaj problematikave që karakterizojnë sistemin e arsimit të lartë, ka sjell si pasojë nje situate kaotike, disorientuese e pesimizmi për autoritetet drejtuese, personelin akademik dhe studentët në IAL. Mbi të gjitha, IAL në kontekstin e fushës akademike, mësimdhënies e kërkimit shkencor, po përballen me sfida serioze.

Impakti i parë negativ ndaj sistemit të arsimit të lartë u evidentua qartësisht me hyrjen në fuqi të Ligjit 80/2015 për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institicionet e Arsimit të Larte në RSH. Ligji dështoi në të gjitha format e tij të promovonte një sistem arsimor të unifikuar, një mekanizëm të qëndrueshëm të sigurimit të cilësise dhe të vendos arsimin e lartë mbi baza të konsoliduara financiare, duke cenuar lirine akademike e financiare dhe frenuar gjerësisht zhvillimin, përcjelljen e mbrojtjen e dijeve te studentët përmes mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.

Duke vendosur shtetin në një pozicion superior në aspektin financiar, mësimor e akademik, duke dështuar në përcaktimin e saktë të prioriteteve efikase e politikave promovuese arsimore, si dhe duke krijuar barriera për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët shqiptarë për të përfituar nga arsimi i larte, ky ligj ka krijuar problematika serioze për përmbushjen me sukses të misionit baze dhe objektivave të tij kryesor. Si rrjedhojë, mbështetja e prioriteteve strategjike ekonomike dhe interesat e zhvillimit të vendit të pasqyruara në ligj, vazhdojnë të jenë sfida të parealizuara që rrezikojnë integrimin e vendit.

Nga ana tjetër, një problematikë serioze për arsimin e lartë dhe IAL është evidentuar si pasoje e politikave inefikase lidhur me rritjen e mesatares së maturantëve për t’u rregjistruar në universitete sipas preferencës së disiplinave akademike. Sigurisht që rritja e mesatares është e lidhur me rritjen e cilësisë e përmirësimit të nivelit mësimor të studentëve të diplomuar, por kjo rritje konstante e mesatares e pashoqëruar me politika të konsoliduara kompesuese e mbështetëse për të rinjtë që mbesin pa studime të larta si dhe për përmirësimin e infrastruktures akademike dhe kërkimin shkencor në IAL, krijon shumë problematika të thella sociale, ekonomike, financiare, ndoshta dhe me rendin e sigurinë.

Duke reduktuar numrin e studentëve si pasojë e rritjes së mesatares rrezikohet mbyllja e shumë degëve akademike me prioritet për zhvillimin rajonal e kombëtar si dhe vihet në pikëpyetja mbijetesa dhe zhvillimi i mëtejshëm i universiteteve publike, që mund të krijojë problematika të natyrës ekonomike, arsimore e sociale në rajone të ndryshme.

Ndërkohë, problematikat që janë pasqyruar në Maturën Shtetërore në të shkuarën por edhe gjatë kësaj periudhe, në kontekstin e prurjeve dhe rritjes së cilësisë së studenteve në IAL, tashmë janë një tjetër sfidë për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të universiteteve publike shqiptare. Papërgjegjshmëria e autoriteteve qendrore te arsimit ka bërë që paqartësitë e problematikat e pasqyruara në testet e Maturës Shtetërore të penalizojnë jo vetëm nxënesit shqiptarë që u rrezikohen studimet dhe degët preferenciale, por edhe universitetet publike, mbijetesa e cilesia e të cilëve tashmë ndodhet në udhëkryq.

Parë në këtë optikë, amendimi i Ligjit 80/2015 si dhe rishikimi i politikave arsimore është një domosdoshmëri dhe mision i rëndësishëm për Qeverinë e ardhshme, e cila duhet të ketë si objektiv kryesor përmirësimin dhe konsolidimin e sistemit arsimor në Shqipëri.

Artikulli paraprakAsensio rikthehet pas 11 muajsh me gol dhe asist
Artikulli tjetërGrenell: Trump kundër shkëmbimit të territoreve, ideja ishte e Bolton