Pogba, i mbivlerësuar

Nga dita në ditë, emri i tij po lakohet gjithnjë e më shumë në merkato, madje Manchester United është gati të bëjë një çmenduri financiare për të bërë të mundur rikthimin e Paul Pogba në “Old Trafford”. Djajtë Kuq po mendojnë t’i ofrojnë Juventusit 100 milionë euro plus 23 milionë të tjera në formë bonusesh për kartonin e mesfushorit, por a është kjo vlera e reale e 23-vjeçarit në tregun e shitblerjes së futbollistëve. Shumë emra të njohur të botës së futbollit, tashmë në rolin e opinistëve në televizione të ndryshme janë shprehur, se Pogba është një lojtar i mbivlerësuar dhe kartoni kurrsesi nuk kushton më shumë se 100 milionë euro.
Pas Gary Lineker, Roby Fowler dhe Harry Redknap, listës i është shtuar edhe një francez si Emmanuel Petit. Bashkëkombasi i Pogba si dhe autori i një goli në finalen e Botërorit të vitit 1998, të cilën Franca e fitoi me rezultatin 3-0 ndaj Brazilit, tashmë në rolin e opinionistit gjatë një interviste për një televizion francez, është shprehur se Paul nuk është nga ata futbollistë që bëjnë diferencën në fushë dhe një gjë të tillë e tregoi në Europian: “Me 100 milionë euro, unë do të bleja Luis Suarez-in thekson Petit. Pogba është një talent i madh, por nuk më pëlqen aspak situata që është krijuar përreth tij. Flasin për të sikur të ishte një fenomen absolut, por nuk është kështu dhe këtë e tregoi në Champions dhe Europian”, deklaron Emmanuel Petit.
Nëse Reali i Madridit do ta dëshironte do t’i kishte vendosur në pjatë Juventusit shumë para, por ata nuk duan të rivalizojnë me Manchester United për mesfushorin dhe për mendimin tim kanë bërë zgjedhjen e duhur”, shton në përfundim ish-mesfushori i kombëtares franceze.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se, pas tërheqjes së Realit të Madridit, marrëveshja mes klubit anglez dhe atij italian është gati. Sipas “Sky Sports”, bardhezinjtë do të përfitojnë 100 milionë euro, ndërsa 23 milionë të tjera janë bonuse dhe pjesa që do të përfitojë Mino Rajola për marrëveshjen e lidhur.
Palët duket se kanë rënë dakord për një kontratë katërvjeçare dhe Pogba nga ana e tij do të fitojë 14 milionë euro në vit. Shifrat e çmendura kanë bërë xhiron e mediave ndërkombëtare dhe në vijim pritet zyrtarizimi i marrëveshjes.
Gazeta italiane “Corriere dello Sport” shkruan se, kalimi i Pogbasë te Junajtid është një marrëveshje që në tërësi shkon në shifrat e 200 milionë eurove. Më herët, mediat angleze kanë bërë të ditur se, skuadra e Real Madrid ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga gara për të blerë Pol Pogba. Klubi spanjoll kërkonte mesfushorin francez të Juventusit, por nuk mund të paguajë shifrën e çmendur të kartonit të tij.
“Sky Sports UK” ka bërë të ditur se Florentino Perez ka udhëzuar stafin e klubit që të mos vazhdojë më negociatat si me palën italiane, ashtu edhe me menaxherin e futbollistit, Mino Raiola, pasi nuk ka ndërmend që të paguajë shifrat e larta që përfshin një marrëveshje e mundshme.

Artikulli paraprakTopi i Artë, “Parisi” dikton trofeun mitik
Artikulli tjetërKarlo Ançeloti prezantohet te Bayern Munich