Pjesëmarrja në fushatë, ministrja kërkon shkarkimin e punonjësit të ISSH

Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha ka kërkuar shkarkimin nga puna të një punonjësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Gramshit, pasi është përfshirë në fushatë gjatë orarit zyrtar të punës. Kjo masë disiplinore për largim nga puna është bërë në kuadër të masave për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore. Në njoftimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë thuhet se, “Ministrja Kërtusha i ka propozuar z. Astrit Hado, drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, largimin nga puna të z. Urim Kishta me detyrë, ‘Inspektor në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore’ Gramsh, me arsyetimin se ekzistojnë faktet që vërtetojnë se z. Kishta ka marrë pjesë në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, gjatë orarit zyrtar të punës”. “Propozimi i ministres Kërtusha bazohet në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 1.6.2017 ‘Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2017’”, thuhet në njoftim. “Ndërkohë pas publikimit të numrit të telefonit +355697868366 të vënë në dispozicion për publikun me qëllim denoncimin e rasteve të përfshirjes së punonjësve të administratës në fushatën zgjedhore, vazhdojnë të vijnë informacione dhe denoncime, të cilat po verifikohen. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është e angazhuar që në zbatim të ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, të monitorojë dhe marrë masa për rastet e shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve në varësi të këtij dikasteri, të cilët përfshihen në fushatën zgjedhore branda orarit zyrtar të punës”, mbyllet njoftimi i ministrisë.

Artikulli paraprakMinistri i Drejtësisë pezullon sekretaren e Përgjithshme
Artikulli tjetërDuka: Shpirti demokrat do triumfojë fuqishëm në këto zgjedhje