Ministri i Drejtësisë pezullon sekretaren e Përgjithshme

Ministri i Drejtësisë pezullon nga detyra sekretaren e Përgjithshme të kësaj ministrie dhe marrjen e masave për dorëzimin e detyrës nga Juliana Hoxha, e cila është renditur në listën e kandidatëve të PS-së për Qarkun e Tiranës. Vendimi mban datën 8 qershor 2017 dhe është firmosur nga Gazment Bardhi. Ndërkohë burime pranë këtij institucioni bëjnë me dije se Hoxha do të kallëzohet penalisht edhe për shpërdorim detyre dhe kundërshtim të urdhrave të ligjshëm të një funksionari publik. Burimet konfirmojnë se ka nisur edhe procedura e lirimit nga shërbimi civil i saj. Ministri i Drejtësisë argumenton se priti vendimmarrje nga DAP, por “në kushtet kur kjo vendimmarrje nuk u përcoll pranë Ministrisë së Drejtësisë brenda afatit që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërmori vendimin për pezullimin nga detyra. Ndalohet hyrja në institucion”. Sipas vendimit të ministrit të Drejtësisë, Juliana Hoxha duhet të dorëzonte detyrën brenda ditës së djeshme, i ndërpritet marrëdhënia financiare dhe nuk i lejohet hyrja në institucion.

Artikulli paraprakMandija-pushtetit vendor: Asnjë takim elektoral në orarin zyrtar
Artikulli tjetërPjesëmarrja në fushatë, ministrja kërkon shkarkimin e punonjësit të ISSH