Përse duhet të shuhen hatërmbetjet

Naim HASANI

Pas publikimit të listave për kandidatë për deputetë nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha, me mjaft keqardhje konstatojmë një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga lufta e vërtetë politike që duhet të bëjë PD me gjithë shpirt dhe me të gjitha forcat ndaj kundërshtarit politik, qeverisjes katastrofike për 4 vjet nga një oligarki oportuniste dhe mospërfillëse, me një ideologji shterpë si ajo e Rilindjes.
Debati për listat, me gjithë respektin e palëkundur për të gjithë që janë kandiduar dhe ata që nuk kanë vazhduar, është debat që nuk i shërben motivimit të bazës dhe makinës elektorale të PD në këtë kohë mjaft të shkurtër nga 25 qershori 2017. Partia Demokratike është e të gjithëve dhe e gjithë brezave dhe askush nuk e ka të fiksuar vendin me tapi.
Hatërmbetjet mund të jenë personale dhe kalimtare, por interesi i vetëm dhe universal duhet me çdo kusht të jetë, nëpërmjet një platforme të qartë politike dhe ekonomike, ardhja e të djathtës shqiptare në pushtet dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve shqiptarë, ndryshe nga sistemi që kanë provuar ata nga 2013-ta.
Partia Demokratike e ka një lider perëndimor dhe ai është Lulzim Basha. Ai e ka përcaktuar ekipin e tij, me të cilin do të përballet me votën e shqiptarëve më 25 qershor. Ajo zgjedhje do të përcaktojë edhe vazhdimësinë e Republikës së Re. Një lider i fortë merr vendime të vështira, siç merr edhe përgjegjësitë në bazë të rezultatit.
Është e papranueshme që opozita të bëjë opozitë brenda vetes kur ka një mal me arsye për t’ju bashkuar pakënaqësisë popullore ndaj keqqeverisjes socialiste. Interesi personal është më i ngushtë se interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Hatërmbetjet duhet patjetër t’i lenë vendin bashkimit dhe suksesit të përbashkët në zgjedhje. Demokratët duhet me çdo kusht të mos e zhgënjejnë popullin shqiptar që është gati për të votuar ndryshimin, por me kusht që opozita t’ja fitojë besimin e të mos shikojë vetëshkatërrimin.
Të gjithë energjitë duhet të drejtohen plotësisht drejt një shënjestre, përndryshe populli nuk do t’ua falë kurrë dhe socialistët do të gëzohen që ecën nëpër shi pa u lagur fare dhe do të vërtetojnë atë shprehjen se kundërshtarët politikë nuk janë socialistë, por “specialista”.
Është koha që të gjithë shqiptarët, përfshi edhe neve që jetojmë në diasporë t’i japim të gjithë një mbështetje të plotë dhe pa rezerva liderit të PD z. Basha dhe ekipit të tij. Në kushtet ku ndodhet sot Shqipëria, një fitore e opozitës është një fitore e të gjithë demokratëve, e të gjithë shqiptarëve.
Le të ndizen të gjithë motorët njëzëri për fitore dhe vetëm fitore. Alternativa as që ja vlen të mendohet. #bashkim

Kryetar i Degës së PD në Britani

Artikulli paraprakKush janë kandidatët e opozitës së bashkuar në gjithë Shqipërinë
Artikulli tjetërVizioni i ri i edukimit, koka, zemra dhe dora