Përralla e Leiçester

Leiçester Siti, kampionia surprizë e Anglisë do të hyjë në listën e 15 klubeve të futbollit më të pasura të botës sezonin e ardhshëm, duke lënë pas edhe emra gjigantë përfshirë Milanin. “Dhelprat” renditeshin në vendin e 24-ët në listën e klubeve më të pasura të planetit gjatë sezonit 2014/15, me një xhiro vjetore prej 104 milionë paundësh. Por ata do të zbresin mes 20 klubeve para me një xhiro prej 125 milionë paundësh këtë sezon. Kjo rritje e të ardhurave të kampionëve të Anglisë do të vijë kryesisht për shkak të rritjes së përfitimeve financiare nga e drejta televizive, por edhe pjesëmarrja e tyre në Ligën e Kampioneve.
“Mail On Sunday” parashikon se edhe nëse do të renditen mes 8 vendeve të para dhe do të eliminohen që në grup nga Champions-i, të ardhurat e tyre do t’i kalojnë 210 milionë paundët sezonin e ardhshëm. Ndërkohë që nëse do të bëjnë një tjetër sezon të suksesshëm dhe të sigurojnë një tjetër vend në Champions gjatë 2016/17, atëherë ata do ta dërgojnë këtë shifër në 260 milionë paund. Dhe, në një kontekst të tillë, Milani kishte vetëm 151.5 milionë të ardhura sezonin e shkuar dhe në listën e klubeve më të pasura mbajti vendin e 14-të. Duke qenë se këtë sezon ata rrezikojnë të mos përfaqësohen përsëri në Europë, të ardhurat e tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele. Pavarësisht kohëve të vështira që po kalon, Milani është 18 herë kampion i Italisë dhe 7 herë kampion Europe dhe ata mbeten një markë e njohur.
Por Leiçesteri, sado të xhirojë mes 160-260 mln paund, do t’i vendosë italianët në hije dhe parashikohet të renditet në vend të 12-të ose të 13-të në botë. Duke parë popullaritetin e Premier Ligës, ata synojnë të hyjnë edhe në listën e 10 klubeve sportive më të ndjekura në botë, duke lënë pas edhe gjigantët e bejsbollit, Nju Jork Jankis.
Klaudio Ranieri nuk e ka metabolizuar ende triumfin në Premier Ligë me Leiçesterin e tij. “Këto janë gjëra që treten ngadalë. E kupton më vonë. Gjëja më e rëndësishme është se e kemi bërë”, tregon trajneri për programin “90° Minuto Zona Mista”, përpara se të përjashtojë për të disatën herë mundësinë e pasimit të Kontes në kombëtaren italiane pas Europianit:
“Unë qëndroj këtu, për momentin nuk jam një njeri për kombëtaren. E kam bërë një gabim (i referohet Greqisë). Isha shumë kurioz për të kuptuar se çfarë provohet të bësh trajnerin e një kombëtareje. E njoha dhe më mjaftoi. Përpara ndeshjes me Evertonin u thashë lojtarëve se ne jemi kampionët dhe luani si kampionë. Bënë një ndeshje të madhe”. Dhe pyetjes nëse e ka kërkuar vërtet Totin te drejtuesit e “dhelprave”, ai i përgjigjet kështu: “Toti është perandori i vërtetë, por unë nuk do t’jua them kurrë”.

Artikulli paraprakKAS përjashton Platininë, francezi tërhiqet nga UEFA
Artikulli tjetërTitulli, Bajerni feston në Mynih