Përgjimet ndaj Trump, FBI kundër publikimit të Memos sekrete

FBI-ja tha të mërkurën se ka shqetësime të mëdha lidhur me saktësinë e një memorandumi mbi hetimin për Rusinë, të cilin Presidenti Donald Trump do ta bëjë publik.

Përmes një deklarate të pazakontë për publikun, FBI-ja tha se i ishte dhënë në dispozicion vetëm një mundësi e kufizuar për ta rishikuar memorandumin prej 4 faqesh, që u hartua nga ligjvënësit republikanë të Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikanët thonë se memorandumi zbulon survejimet e papërshtatshme nga FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë në hetimin për Rusinë. Por FBI-ja të mërkurën shprehu shqetësimin se faktet e rëndësishme janë lënë jashtë memorandumit.

Kjo deklaratë e FBI-së e shkallëzon më tej konfliktin brenda administratës lidhur me memorandumin. Sipas burimeve të brendshme, Drejtori i FBI-së dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i kanë thënë Shtëpisë së Bardhë se publikimi i dokumentit mund të vendosë një precedent të rrezikshëm.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders i tha të mërkurën CNN-it se dokumenti po rishikohet në se bien ndesh me aspektin ligjor dhe të sigurisë kombëtare.

Shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, tha të mërkurën në Radion “Fox News” se shpresonte që memorandumi të publikohej “shumë shpejt.”

Memorandumi u çua në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje, pasi republikanët në Komsionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve votuan në favor të publikimit të tij. Sipas rregullores së Kongresit, Presidenti ka 5 ditë në dispozicion për ta kundërshtuar atë.

Sipas republikanëve, në memorandum thuhet se ka patur survejime jo profesionale në fazat e para të hetimit të FBI-së për lidhje të mundshme mes fushatës së zotit Trump me Rusinë.

Por demokratët e kanë cilësuar memorandumin si një përpjekje të republikanëve për të tërhequr vëmendjen nga hetimi i vetë Komisionit të Zbulimit lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Ligjvënësi Adam Schiff, Kryetari demokrat i Komsionit të Zbulimit tha të mërkurën se asnjë pikë e memorandumit nuk e shfajëson zotin Trump dhe se republikanët janë duke u përpjekur ta devijojnë çështjen.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan e mbështet publikimin e memorandumit, duke thënë se ai tregon se “mund të jenë bërë gabime nga disa individë të FBI-së.” Ai nuk dha hollësi të tjera, por shtoi se “ka pikëpyetje legjitime, në se ka patur shkelje të lirive të individit gjatë procesit të Aktit të Survejimit të Zbulimit të Huaj.”

Por zoti Ryan shtoi se memorandumi nuk duhet të minojë punën e Prokurorit Special Robert Mueller, i cili udhëheq hetimin lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe në se fushata e zotit Trump ishte përfshirë në të.

Votimi në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve është pa precedent në historinë e këtij komisioni. Zakonisht Komisioni i Zbulimit i del në mbrojtje ruajtjes së informacioneve sekrete, me synimin për të mbrojtur burimet dhe metodat e zbulimit.

Disa orë para votimit të së hënës në Dhomën e Përfaqësuesve, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein dhe Drejtori i FBI-së Christopher Wray e paralajmëruan shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë, zotin Kelly, se publikimi i memorandumit mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, sipas komenteve të një personi në brendësi të çështjes. Sipas tij, Rosenstein i ka thënë gjithashtu zotit Kelly, se memorandumi nuk karakterizon siç duhet praktikat investigative të FBI-së.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Këshilli i Sigurimit Kombëtar po kryen rishikimin e memorandumit. Në se Presidenti Trump vendos ta publikojë atë, kjo mund të ndodhë të mërkurën pasdite, tha zyrtari, duke folur në kushtet e anonimitetit.

Republikanët thanë se kanë bindjen se publikimi i memorandumit nuk dëmton sigurinë kombëtare.

Artikulli paraprakKarikatura e Zërit të Amerikës me lajmin; SHBA kërkon rezultate në luftën ndaj krimit të organizuar
Artikulli tjetërPaloka paralajmëron Ramën: Nuk do të flesh i qetë dhe as të zgjohesh i qetë