Pepe, fjalë helmi

Janë bashkëkombas, por asnjëherë nuk kanë pasur simpati për njëri-tjetrin. Mbrojtësi luzitan Pepe lëshon fjalë helmi në adresë të Jose Murinjos në një intervistë dhënë për radion “Cadena Ser”. Lojtari i Realit të Madridit ka bashkëpunuar për tre vjet me Murinjon, por sipas tij, kjo ishte një nga periudhat më të errëta të skuadrës “Los Blancos”.
“A e shikoj Murinjon te stoli i Portugalisë? Mendoj se jemi shumë mirë me Santosin. Ajo çfarë ndodhi me të tashmë është histori e shkuar. Me Murinjon kur luanim larg shtëpisë tonë, njerëzit na urrenin. Ishin tri vite, por falë Zotit kaluan shumë shpejt. Me Ancelottin njerëzit ndryshuan sjellje dhe kjo u kuptua menjëherë”, u shpreh Pepe.
Në vijim Pepe përqendrohet te eksperienca aktuale me Zinedine Zidane, i cili arriti t’i dhuronte Championsin e 11 Realit që në sezonin e tij të parë. “Mou dhe Zidane janë dy persona krejt të ndryshëm. Murinjo ka një eksperiencë shumë të madhe si trajner, ndërsa Zidane e nisi këtë rrugë sezonin e shkuar. Ai ka qenë edhe lojtar dhe e di se çfarë mendojmë. Ka një karrierë të pasur dhe e di shumë mirë si ta përballojë presionin”, tha Pepe.
Pepe luan që prej vitit 2007 te Reali i Madridit, por ky mund të jetë sezoni i tij i fundit në Spanjë pasi klubi nuk ia ka rinovuar ende kontratën që skadon në vitin 2017.
Ndërkohë, Redknapp ka folur për të ardhmen e Bale. “Gareth Bale i ka të gjitha mundësitë për të fituar Topin e Artë”. Ky është mendimi i trajnerit Harry Redknapp, sipas të cilit, ka ardhur momenti që uellsiani të kërkojë majën e botës. Redknapp e drejtoi Bale për disa vite në radhët e Tottenham dhe ai beson se 27-vjeçari duhet të tregojë se është i aftë të bëjë më mirë se kushdo tjetër në këtë lojë.
“Po, ai mund ta fitojë Topin e Artë. Unë mendoj se ai është mes 5 më të mirëve për momentin, por ka mundësi të ngjitet edhe më lart sepse ka një talent të lindur për futbollin. Në çdo klub futbolli në Angli momentalisht ai do të bënte diferencën. Nëse rikthehet, padyshim që ai do të ishte lojtari më i mirë i Premier League”, tha Redknapp.
Redknapp ka lënë shenjë të thellë në karrierën e Bale edhe pse nuk ishte ai njeriu që e transferoi te Tottenhami. Tekniku britanik e ndihmoi të rritej në një nivel botëror duke ngjallur interesimin e Realit të Madridit.
“Të shikosh Bale që stërvitet është shumë e veçantë sepse ai është një lojtar i kompletuar. Mund të triblojë, mund të godasë dhe të vrapojë e të shënojë gola. Është një talent i madh dhe unë thjesht sa e shtyva për të vazhduar përpara. E nisi karrierën në krahun e majtë, por më pas unë e lashë të lirë në fushë sepse në çdo pozicion ai di të luajë mirë me topin”, përfundoi Redknapp.

Artikulli paraprakInteri, Gabigol në tribunën e “Meazza”
Artikulli tjetërKudo ofrojnë miliona për Totin