Kudo ofrojnë miliona për Totin

Asisti dhe goli i shënuar dje ndaj Sampdorias duke kthyer fatet e ndeshjes në favor të Romës kanë përforcuar edhe më shumë statusin e “legjendës” së Françesko Totit, i cili së shpejti do të mbushë moshën 40 vjeç. Nëse ai do të largohet në fund të sezonit nga skuadra italiane, me të cilën ka kontratë edhe për këtë sezon, disa klube janë të gatshme të hidhen në sulm për të siguruar shërbimet e tij, duke ofruar miliona euro për ta patur një vit në skuadër.
Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, një prej ekipeve më të interesuara për shërbimet e tij është Pune në Indi, një vend i cili ka filluar të tërheqë figurat e njohura të futbollit botëror pasi po investohen shifra të çmendura për të bërë popullor këtë sport. Ndërkaq, Mirko Vuçiniç e ka kontaktuar për ta ftuar te Al Xhazira, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku sigurisht milionat nuk mungojnë.
Njëkohësisht, për yllin italian është gati të bëjë sakrifica të rëndësishme edhe Montrali në Kanada, duke i dhënë mundësinë që të luajë në një kampionat, i cili është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, siç është ai i MLS-së. Thuajse e sigurt është që shumë shpejt, në adresë të Totit do të mbërrijë edhe një ofertë nga Kina, ku futbollistët italianë janë idhujt e tifozerisë vendase.
Tashmë është në dorën e Totit të zgjedhë se çfarë do të bëjë. Ai ka deklaruar gjithmonë se do ta mbyllë karrierën te Roma, por përballë ofertave të tilla, nuk është çudi të ndryshojë mendje për të zgjatur edhe një tjetër sezon historinë e tij në futbollin e luajtur.
Ndërkohë, Alesandro del Piero nuk kursen ironinë ndaj Milanit, duke u bërë pjesë e polemikave rreth ndryshimeve në klubin kuqezi. Tifozët janë të pakënaqur me vendimin e drejtuesve kinezë për të afruar dy ish-interistët Fasone dhe Mirabeli në strukturat e reja drejtuese dhe Del Piero ka shfrytëzuar rastin për të thumbuar kuqezinjtë.
I ftuar në studiot e “Sky Sport” për të komentuar ndeshjet e Serisë A, ai është pyetur edhe çfarë mendimi kishte për lëvizjet e fundit dhe nëse ideja për të afruar Alesandro Kostakurtën si figurë përfaqësuese ishte ajo e duhura. “Kostakurta? Aty janë në balotazh Bergomi dhe Zaneti”, ishte batuta e ish-sulmuesit të Juventusit.

Artikulli paraprakPepe, fjalë helmi
Artikulli tjetërHysaj gati për Champions