Pensionistët e profesioneve të lira do të duhet të paguajnë sigurime

Shfuqizimi nga Gjykata Kushtetuese i vendimit për pagat referencë të profesioneve të lira në shtator të vitit të kaluar ka krijuar një paqartësi ligjore për të gjithë pensionistët e vetëpunësuar të kësaj kategorie. Tatimet sqarojnë se ata tashmë nuk janë më të përjashtuar nga pagimi i sigurimeve, pasi është shfuqizuar vendimi, që u sanksiononte këtë të drejtë. Kjo do të thotë që të gjithë pensionistët e vetëpunësuar si avokatët, kontabilistët, farmacistët, noterët, arkitektët, inxhinierët etj., që prej më shumë se dy vitesh ishin të përjashtuar nga pagimi i sigurimeve shoqërore, do të duhet të kishin paguar sigurime që nga shtatori 2016. Burime nga tatimet sqaruan për “Monitor” se, “Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 37, datë 21.01.2016 ‘Për përcaktimin e pagës mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të’, në pikën 9 të tij ka pasur përcaktuar që: ‘Mbështetur në pikën 3, të nenit 6, të Ligjit nr. 9136, datë 1.9.2003, Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, pensionistët e regjistruar si persona fizikë të vetëpunësuar të vetëm, që punojnë në profesionet e përcaktuara në aneksin nr. 1 të këtij vendimi, nuk kanë detyrim për të paguar kontribute për sigurime shoqërore dhe shëndetësore’. Sipas këtij teksti bëhet fjalë jo për të gjithë pensionistët, por vetëm për ata të listës së disa profesioneve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 60, datë 16.09.2016, ka shfuqizuar VKM e mësipërme, pra edhe pikën 9 të tij”, përfundon sqarimi i tatimeve.

Artikulli paraprakAsnjë koalicion mes PD dhe Ramës
Artikulli tjetërNdërmarrjet shqiptare ulën kapacitetet prodhuese