Asnjë koalicion mes PD dhe Ramës

Nuk do të ketë asnjë koalicion të PD me Ramën. Kjo tashmë është e qartë dhe po përvijohet nga dita në ditë pavarësisht aludimeve të Ramës dhe njerëzve të tij që po kërkojnë të kompromentojnë rolin e forcës më të madhe opozitare PD në zhvillimet e fundit politike.
PD do të jetë në opozitë me një pushtet që ka mundur të mbajë karriget jo me votën e lirë të shqiptarëve, por me manipulimet e turpshme, blerjen masive të votës dhe kërcënimet, tashmë të evidentuara këto faktorë në raportin e OSBE/ODIHR.
Qëndrimet politike të PD janë të qarta në lidhje me refuzimin e çdo mundësie për koalicion me Ramën. Nuk do të ekzistojë një aleancë e tillë në shtator. E kundërta do të jetë e vërteta. PD do të përgatitet për një opozitë të fortë, e cila do të duhet të jetë në krah të qytetarëve përballë padrejtësive që prodhon një qeveri dhe një Kryeministër që po mban pushtetin duke rrëzuar institucionin e votës së lirë.
Dy kandidatët për drejtimin e PD janë të qartë në këtë pikë. Asnjëri prej tyre nuk ka lënë një mundësi të hapur për një bashkëqeverisje me PS. Basha deklaron se do të përgatisë PD për një përballje të fortë me qeverinë, ndërsa Selami kërkon tërheqjen e ministrave teknikë nga qeveria aktuale dhe asnjë marrëveshje me Ramën për bashkëqeverisje.
Atëherë surpriza nuk do të ketë në javët dhe muajt e ardhshme. Ajo që ka mbetur për t’u përcaktuar është formati i forcës më të madhe opozitare në betejën për të rikthyer standardet më elementare të demokracisë në Shqipëri.

Basha: E vetmja rrugë është përballja

Lulzim Basha bashkëbisedoi dje me demokratë të Gjirokastrës, Tepelenës, Memaliajt, Përmetit, Këlcyrës. Basha theksoi se mazhoranca e sotme është fryt i deformimit të vullnetit të qytetarëve, kryesisht falë shitblerjes së votës, një skemë që kishte kohë që ishte vënë në jetë.
“Me fillimin e fushatës ju gjetët një terren tërësisht të helmuar dhe të minuar nga aktiviteti i kundërshtarit, i cili në shumë raste prej javësh dhe muajsh kishte kryer kapjen dhe nënshtrimin e votuesit përmes shitblerjes së votës dhe kishte vënë në funksion të kësaj gjithë makinerinë e presionit të pushtetit dhe të bandave. Në këto kushte, njësoj si në vitin 1991 peshorja ishte e prishur. Në njërën anë ishte rreshtuar pushteti, shteti, administrata, institucionet, policia, bandat me paratë e tyre, lekët e korrupsionit, përqindjet e tenderave dhe koncesioneve, të gjitha mediat, nga ana tjetër, e vetmja palë, e vetmja parti që doli para shqiptarëve pa aleancë me krimin, nuk u përlye në shitblerje votash dhe ofroi një program politik për hallet e shqiptarëve, ishte Partia Demokratike”, tha Basha.
Basha tha se kreditë morale që ka treguar PD në këto zgjedhje dhe 450 mijë shqiptarët që zgjodhën këtë rrugë, janë një burim frymëzimi për ecjen përpara.
“Njësoj si në vitin 1991, e vetmja forcë që ruajti moralin duke treguar rrugët e daljes për çdo shqiptar është forca e koalicionit dhe Partisë Demokratike. Dhe në këto kushte të pabarabarta, mbi 450 mijë shqiptarë që ndoqën rrugën tonë, duke refuzuar jo pa risk ankandin e votave, duke refuzuar presionin e krimit dhe të shtetit, janë një frymëzim i madh për mua, jam i sigurtë për ju dhe Partinë Demokratike”, tha ai.
“Tani të gjithë e panë se Edi Rama nuk mund të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, se me krimin dhe drogën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Se e vetmja rrugë është përballja dhe fitorja mbi ta me masën popullore që mund dhe do të ndjekë vetëm ata që kanë moralin për ta udhëhequr këtë betejë. Dhe moralin sot nuk e ka asnjë forcë tjetër politike përveç Partisë Demokratike”, u shpreh Basha.
Lulzim Basha tha se rruga e ringritjes nis nga bashkimi i çdo demokrati dhe vlerësimi në bazë të kontributit.

Selami: Basha të tërheqë menjëherë ministrat teknikë

Eduard Selami  ka vijuar turin e takimeve  me demokratët në Tepelenë, Gjirokastër dhe Këlcyrë, ndërsa i ka kërkuar Lulzim Bashës të shprehet qartë kundër një koalicioni të mundshëm me Partinë Socialiste dhe të tërheqë menjëherë ministrat teknikë. Nëse vazhdohet të luhet me dy porta dhe shikohet nga LSI e PS, thekson Selami, humbja do të thellohet edhe më shumë.
“Unë nuk e kuptoj pse duhet të rrinë ministrat tanë në qeveri?! Duke u distancuar që tani nga marrëveshja, sepse marrëveshja ishte një nga shkaqet e humbjes. Zoti Basha, ia kam thënë dhe do ja them prapë, tërhiqi ministrat nga qeveria. Prano që ne nuk bëjmë koalicion qeveritar me Partinë Socialiste. Demokratët nuk duan një koalicion me PS. Unë këtë linjë kam, ju mund të më votoni kundër, është e drejta juaj, por unë i kësaj linje jam. Nëse ne duam të vijmë në pushtet duhet ta fillojmë opozitën që tani. Shqiptarët na kanë votuar në opozitë. Nëse ne do të vazhdojmë të luajmë me dy porta, shikojmë nga duart LSI e PS apo ndonjë tjetër, unë mendoj se humbja jonë do të vazhdojë të thellohet edhe më shumë”, tha Selami.
Eduard Selami tha se Partia Demokratike e ka shpërdoruar besimin që shqiptarët i dhanë në vitin 1992, duke u dorëzuar para ambicies për të shndërruar Shqipërinë në histori suksesi.
“Ishte mandat për t’u ndarë nga një epokë brutale. Ne e filluam mirë, por e shpërdoruam, e dorëzuam. Nuk e shpërdoroi Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, Konrad Adenauer, përkundrazi vazhdoi disa mandate. 79 vjeç ishte kur e vazhdoi mandatin e parë dhe e bëri Gjermaninë histori suksesi. Pse? Sepse zgjeroi demokracinë, krijoi institucione, mësoi nga eksperienca amerikane. Së bashku ne vendosim një kontratë të re siç e kemi pas në vitin 1992. Unë do ta rikthej PD-në, të funksionojë si parti bashkëkohore, si simotrat e PPE, me rregulla loje ku karriera dhe meritokracia do të zgjidhet nga ju me 1 anëtar 1 votë”, tha Selami.
Ai i qëndron idesë se gara është e pabarabartë, por është i bindur se është tërësisht e fitueshme.
“Ju na njihni më mirë se çdokush, ndaj kam besim tek ju. Por thënë kjo, ne duhet që procesin ta bëjmë sa më transparent dhe sa më të pastër”, tha Selami.
Selami ka besim tek anëtarësia se do të zgjedhë modelin e duhur që e rikthen të djathtën në rrugën e suksesit dhe ndjek modelet më të mira demokratike.

Artikulli paraprakRama, lista të zeza si të Gestapos për gjyqe publike
Artikulli tjetërPensionistët e profesioneve të lira do të duhet të paguajnë sigurime