PD replikë me ministren Xhaçka për “mirëqenien” në Berat

Heqja e 517 familjeve beratase nga ndihma ekonomike është interpretuar si sukses i qeverisjes dhe rritje e ekonomisë së këtyre familjeve nga ana e ministres së re të Mirëqenies Sociale, Olta Xhaçka në Berat. Por, sekretari i PD-së në Berat, Namir Lapardhaja ka replikuar me ministren dhe i ka bërë të qartë se gjendja ekonomike e tyre në fakt është përkeqësuar, pasi ato u përjashtuan nga ndihma për shkak të rritjes së burokracisë shtetërore. “Zonja Xhaçka, replikoi Lapardhaja, tha gjatë fjalës së saj se në këto 3 vite e gjysmë qeverisje, ne kemi ndihmuar familjet e varfra dhe i kemi mbështetur ato hap pas hapi drejt fuqizimit ekonomik. Në fakt, e vërteta është krejtësisht ndryshe. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, numri i familjeve që merrnin ndihmë ekonomike në këtë qark në fund të tremujorit të tretë 2015, ishte 2371 familje, ndërsa në tremujorin e tretë të vitit 2016 ky numër është reduktuar në 1800. Pra, janë hequr nga ndihma ekonomike 571 familje. Dhe kjo, thekson deklarata e PD-së, jo si pasojë e rritjes së mirëqenies së tyre sociale dhe ekonomike, por si pasojë e rritjes dhe shtrëngimit të burokracisë shtetërore të qeverisë së Partisë Socialiste. Por nuk është vetëm kaq. Heqja e shtresave në nevojë nga përkrahja sociale shkon në të njëjtën gjatësi vale me rritjen e varfërisë, uljen e vendeve të reja të punës, mbyllje masive të bizneseve të vogla dhe të mesme dhe me një politikë që është kundër lirive dhe zhvillimit ekonomik. Parimi se varfëria i mban të nënshtruar njerëzit realizohet më së miri sa herë që e majta vjen në pushtet. Kjo është fatkeqësia e njerëzve, të majtë e të djathtë, të cilët, pavarësisht bindjeve politike, jetojnë në të njëjtën varfëri që, fatkeqësisht, rritet përditë…, pavarësisht propagandës qeveritare”.

Artikulli paraprakSituatë alarmante në zonën e ish-Kënetës në Durrës, banorët në revoltë
Artikulli tjetërPuna e pavlerësuar në bare dhe restorante