Puna e pavlerësuar në bare dhe restorante

Puna në një hotel, restorant apo kafe në Shqipëri nuk është aq e mirë. Duhet të punosh me orë të gjata, edhe pse nuk paguhesh për orët shtesë, mund të të duhet të punosh i pasiguruar, nuk e ke të sigurt vendin e punës (shpesh për shembull, kamerierët mbahen nga tre muaj në punë, si periudhë prove dhe më pas ndryshohen që të mos u paguhen sigurimet).
Në Shqipëri, një nga sektorët me informalitet të lartë është pikërisht hoteleria dhe restorantet. Puna në të zezë dhe sezonale ndikojnë në respektimin rigoroz të Kodit të Punës, si nga ana e subjekteve, ashtu edhe nga vetë të punësuarit.
Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, gjatë vitit 2016, subjektet që janë ndëshkuar më shumë për mosrespektimin e të drejtave të punës janë pikërisht tregtia, hotelet dhe restorante me rreth 37% të totalit. Më pas vijnë ndërmarrjet prodhuese me rreth 20%, aktivitetet e tjera me 16.2%, e ndërtimi me 7.7% etj.
Në total, nga ana e inspektoratit janë ndëshkuar me gjoba rreth 419 subjekte më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe e tyre kanë pasur shkelje flagrante të marrëdhënieve të punës.
Pak kohë më parë, INSTAT publikoi shifrat në lidhje me produktivitetin, sipas së cilit rezultoi se punonjësit në hotele, bare–restorante, shërbim ushqimor ishin më pak produktivë. Sipas INSTAT në sektorin e akomodimit dhe restoranteve për mikrondërmarrjet (1-9 punonjës) produktiviteti i matshëm për punonjës është 279 mijë lekë në vit. Bizneset e tregtisë rezultojnë më eficiente, me një nivel produktiviteti për të punësuar prej 564 mijë lekësh në vit.

Artikulli paraprakPD replikë me ministren Xhaçka për “mirëqenien” në Berat
Artikulli tjetërPse punonjësit në Shqipëri janë më pesimistët në Europë