PD duhet ta tejkalojë problemin Berisha

Nga Namir Lapardhaja 

Prej dy vitesh, i gjithë diskutimi është ndalur te opozita.

Të gjithë flasin për atë, askush nuk flet për pushtetin. Trau në hallet e PD-së, qimja në bëmat e PS-së.

Debatin publik e ka mbizotëruar fati politik dhe penal i një njeriu, duke krijuar idenë e gënjeshtërt se gjithçka tjetër shkon mbarë.

Është e qartë se gjithçka është bërë qëllimisht, sepse mekanizmi i manipulimit ka vepruar në mënyrë perfekte për të mbajtur të ndezur sherrin polarizues, duke mos lënë asnjë zë alternativë apo të arsyeshëm për t’u dëgjuar.

Në vend që pushteti të ishte në shënjestër, është krijuar një meta-realitet, që ka nxjerr në krye të problemeve opozitën.

Edhe pse me sherre të mëdha brenda vetes, mazhoranca e mbingopur nga pushteti, ku ka vend për të gjithë, po shijon e pashqetësuar shfaqjen e shëmtuar në radhët e opozitës, në të cilën nuk ka asgjë për të ndarë.

Në këto kushte, demokratët e thjeshtë duhet të tregohen të mençur dhe të urtë.

Sa më shpejt ta kuptojnë lojën që është luajtur në kurriz të tyre, aq më mirë do të jetë për opozitën dhe për vendin.

Sa më e shpejtë dita e kthimit tek arsyeja, aq më e afërt dita e afrimit tek fitoreja.

Nuk po flas për ata që kanë përfituar gjithçka nga pushteti i PD-së dhe në këmbim nuk i kanë dhënë asgjë, as për ata që i ka verbuar urrejtja apo për ata që fundin politik të një njeriu e kanë lexuar (ndofta me të drejtë) si fundin e së ardhmes së tyre politike, për shkak të historikut dhe karrierës së deritashme vetëm nëpërmjet hosanasë dhe bindjes së verbër.

Ata janë të qartë në rrugën dhe synimin e tyre, sipas parimit “ose ne, ose qameti”, ndaj udha e mbarë!

E kam me demokratët e thjeshtë, ata të ndershmit, që besojnë dhe kontribuojnë pastërtisht, që edhe mund të jenë manipuluar gjatë kësaj periudhe, ose që qëndrimi i gjatë në opozitë i ka lodhur dhe nuk shohin kurrfarë perspektive.

Duhet të reagojnë sa më shpejtë dhe të refuzojnë të trajtohen nga të tjerët si mish për top, nga njerëz që nuk e kanë merituar dhe nuk e kanë justifikuar mbështetjen e tyre.

Pushteti është në tis të greminës, por opozita duhet të shndërrohet në alternativë morale.

Shoqëria shqiptare nuk beson tek qeveria, mirëpo ajo duhet ta shohë opozitën dhe veçanërisht PD-në si liman ku të ankorojë shpresat e saj.

Besimin e krijojnë njerëzit, ndaj personalitetet e opozitës duhet të jenë të besueshëm, të pastër dhe pa dritë-hije nga e kaluara.

Një funksionim i shpejtë i sistemit të drejtësisë, do ta pastrojë fushën politike, mirëpo boshllëku i krijuar duhet të mbushet me alternativë të re, narrativë të besueshme, shpresëdhënëse dhe me figura pastërtisht morale.

Që opozita të ringrihet, pikë së pari, ajo duhet të kalojë problemin Berisha, i cili nuk është më problem i saj, por çështje e drejtësisë.

Prandaj, duhet maksimalizuar çdo forcë, çdo përpjekje, çdo vlerë dhe kontribut, sepse të gjithë janë të nevojshëm, por kjo kërkon forcë për t’u ngritur mbi veten, që arsyeja të mbizotërojë mbi emocionin, që egoja t’ia lërë vendin urtësisë.

Paqja që opozita duhet të bëjë me veten do jetë rezultative, që e tashmja të lihet pas si një ëndërr e keqe, si një shajni marrëzie dhe të shërbejë si një reflektim se domosdoshmërisht duhet ndërtuar një sistem vlerash, si e vetmja garanci që të mos përsëritet e shkuara e hidhur.

Artikulli paraprakNga idiotizmi apo nga halli?!
Artikulli tjetërGJKKO vendos për arrestimin e Berishës, Mërtiri: E mori peng opozitën, pikërisht për këtë ditë