Nga idiotizmi apo nga halli?!

Nga Yzedin Hima

Shoh në rrjetet sociale një shkrim të qepur bukur për një politikan shqiptar të ditëve të sotme. Shkrimi sjell argumenta për shfytyrimin e politikanit. Vështrimi satirizues është thuajse asgjësues. Nuk lë as pakëz shpresë për politikanin e gjorë.

Jo shumë kohë më parë, e njëjta dorë, me të njëjtën penë, nga e njëjta mendje, nga e njëjta zyrë, për të njëjtin politikan ka sjellë në vëmëndje të lexuesve një portret mitologjik dhe letrar, ku altruizmi i politikanit ishte i njëjtë me atë të mbretit të Argosit, Agamemnonit, që sakrifikoi bijën e tij Ifigjeninë për mbarëvajtjen e misionit të grekëve.

Sakrifikimi i komandantit të akejve nuk shkoi kot. Erërat frynë nga perëndimi drejt lindjes dhe ushtria e akejve u nis drejt Trojës.
“Sakrifica” e politikanit në fjalë shkoi kot.

Ai i humbi zgjedhjet, si gjithmonë.
Ndërsa ai që sakrifikoi vërtetë qe autori i shkrimit, i cili flaku tej krenarinë, sqimën, mendimin për një vend te lista e deputetëve. Po erërat nuk frynë andej nga dëshironte ai.

Politikani as që u ndikua fare në hartimin e listës së deputetëve nga shkrimi, të cilin me gjasë nuk e lexoi fare.

Autori i panagjerikut, kur e pa veten jashtë listës së deputetëve, u ndje keq, i fyer, i pashpërblyer, i poshtëruar në sy të gjindjes, që ndonëse përton të lexojë, marifete të tilla i përpin.

Autori i dy pamjeve është mjaft i njohur në letrat tona dhe mban në gjoks nderimet më të larta institucionale që jepen në këtë vend.
Shkrimi i fundit i pataksi lexuesit e qyfyreve mediatike.

A është i njejti ky autor?! Është hakmarrje e vjetër apo ndonjë hall i ri?!

Natyrisht nuk gjykoj mendimin e askujt për cilindo politikan, por pirueta të tilla brenda një kohe të shkurtër, ku e zeza shpallet si e bardhë dhe e bardha tregohet si e zezë, të lënë shije të hidhur, aq më tepër kur këto pirueta bëhen nga individë që përfaqësojnë deri edhe nderin e kombit, sipas titujve dhe dekoratave që mbajnë.

Si “shfajësim” për autorin të vjen ndërmend thënia e famshme nga antikiteti grek: Kush më pengon mua sot që të jem më i mençur se dje?!
Ose në variantin shqip: Kush më pengon mua sot që të jem më idiot se dje?!

Artikulli paraprakZëri i Amerikës: Gjykata e Lartë kthen çështjen e vulës së PD në Apel. Përfaqësimi zyrtar i mbetet Lulzim Bashës
Artikulli tjetërPD duhet ta tejkalojë problemin Berisha