Parlamenti në Holandë i thotë Jo Ramës, dy kushtet e Holandës

Parlamenti në Holandë, një nga vendet më skeptik në zgjerimin e BE-së, të martën mbështeti hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, por dukej një ton shumë më kritik për Shqipërinë.

Deputetët holandezë sqaruan pozicionin e tyre vetëm një javë para një mbledhjeje të Këshillit Europian më 17-18 tetor, kur vendet e BE-së duhet të marrin një vendim përfundimtar nëse bisedimet e anëtarësimit duhet të fillojnë apo jo me dy vendet e Ballkanit.

Seanca e komisionit parlamentar për çështje të BE-së, e mbajtur me iniciativën e Ministrit të Jashtëm Stef Blok, u pajtua që Maqedonia e Veriut kishte ndërmarrë shumë hapa pozitiv në vitet e fundit.

Megjithëse deputetët thanë se Maqedonia e Veriut nuk e kishte përfunduar detyrën e miratimit të një ligji të ri për prokurorinë, i cili duhet të përcaktojë fatin e shumë çështjeve të korrupsionit të nivelit të lartë të nisura nga Prokuroria Speciale e vendit, ata nuk e kanë bërë këtë kusht për të vazhduar drejt bisedimeve.

Ministri Blok tha se mosarritja e vendit në miratimin e këtij ligji ishte kryesisht në dorë të partive të opozitës dhe jo të qeverisë.
Një pakicë e deputetëve dëshironte t’i privonte të dy vendet nga një datë fillimi për bisedimet. Socialistët e ekstremit të majtë dhe Partia për Liri e ekstremit të djathtë e justifikuan këtë kërkesë për shkak të skandalit të ashtuquajtur “Zhvatja” në Maqedoninë e Veriut, i cili ka ngatërruar ish-kryeprokuroren speciale si të dyshuar në një rast zhvatjeje.

Për Shqipërinë, shumica e ligjvënësve holandezë kundërshtuan t’i japin vendit një datë fillimi bisedimesh, duke përmendur dy parakushtet kryesore që vendi duhet të përmbushë fillimisht: reformimi i strukturave gjyqësore për t’u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe përmirësimin e rekordeve të tij në luftën kundër tyre.

Disa parti, si të Gjelbrit, ishin pro pas vendimit të mëparshëm të parlamentit gjerman, Bundestag, i cili muajin e kaluar mbështeti një fillim të pakushtëzuar të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe një fillim të kushtëzuar për Shqipërinë.

Por shumica e deputetëve, përfshirë Ministrin e Jashtëm, zgjodhën një “jo” të ashpër për Shqipërinë, duke thënë se i mirëprisnin hapat që ajo kishte ndërmarrë, por e konsideronin “të parakohshme” hapjen e bisedimeve me Tiranën.

Megjithatë, Blok tha se nëse të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së mbështesin një datë fillimi për bisedimet me Shqipërinë në Këshillin Europian, Holanda nuk do t’i pengonte.

Përfundimet e debatit në parlamentin holandez tani do të duhet të përmblidhen në një qëndrim të përbashkët të të gjitha partive parlamentare.

Ndërsa rezultati i debatit në Holandë do të gëzojë qeverinë në Shkup, ai do të vijë si një goditje për Tiranën. Të dy vendet shpresojnë të marrin një datë të vendosur për të filluar bisedimet e anëtarësimit përpara fundit të vitit.

Rezervat e shprehura nga qeveria franceze në lidhje me zgjerimin e BE-së në përgjithësi mbeten ende një pengesë e rëndësishme. Që Këshilli Europian të marrë një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë më 17-18 tetor, të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të jenë në një mendje.

Nga shtatë shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, vetëm dy, Sllovenia dhe Kroacia, janë anëtarësuar në BE. Dy të tjerë, Serbia dhe Mali i Zi, kanë hapur bisedimet e pranimit. Maqedonia e Veriut është tjetra në radhë. Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova mbeten më pas, me shanset e Kosovës të zbehta nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme për shtetësinë e saj.

“Reporter.al”

Artikulli paraprakVjosa Osmani falenderon qytetarët: Koalicioni LDK-VV, qeveria e re
Artikulli tjetërPaloka-Ramës: Prapë guxon e flet për drejtësi e moral! Je ti dhe vetëm ti, o monstër që pengon integrimin