Papunësia, një në katër i papunë

Papunësia te të rinjtë është një plagë e kahershme në vendin tonë, por jo vetëm. Kriza ekonomike botërore e dhjetë viteve më parë ka bërë që shumë shtete europiane të zhyten në një spirale të rrezikshme sa i përket papunësisë, dhe të rinjtë janë gjithmonë më të prekurit. Shifrat e fundit zyrtare në vendin tonë flasin për një normë papunësie të të rinjve në 26.4%.
Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2015, kur preku rekordin prej 34.2%, norma e papunësisë te të rinjtë ka pësuar një rënie të ndjeshme. Por në këtë pjesë duhet të themi se shifra nuk është reale, pasi në pjesën dërrmuese bëhet fjalë vetëm për formalizim të vendeve të punës, si pasojë e reformës dhe jo punësim real. Gjithsesi, këto janë shifrat.
Me një papunësi te të rinjtë në 26.4%, në rast se Shqipëria do të ishte pjesë e familjes së përbashkët europiane, do të ishte vendi i 5-të me papunësinë më të lartë në këtë drejtim, pas Greqisë, Spanjës, Italisë dhe Qipros. Tre prej këtyre shteteve shkuan në prag falimenti dhe u shpëtuan vetëm nga kreditorët, ndërkohë që Italia shkoi shumë pranë kolapsit.
Kur bëjmë krahasimin nuk duhet të harrojmë as faktin se, të dhënat e Eurostat i referohen grupmoshës nga 15 deri në 25 vjeç, dhe jo 15 deri në 29 si Instituti jonë i Statistikave, Pra, nëpër Europë, të rinjtë e moshës nga 25 deri në 29 vjeç nuk hyjnë në këtë statistikë, dhe këta janë grupmosha që ka më shumë predispozicion për t`u punësuar, për shkak të arsimit dhe eksperiencës. Në kushte të barabarta situata do të ishte krejt tjetër, e ndoshta Shqipërinë do ta shihnim në krye të kësaj liste.

Artikulli paraprakBanka Botërore, plakja në Ballkan shqetësuese për rritjen e ekonomisë
Artikulli tjetërKLSH: Borxhi doganor rritet në 180 milionë euro