Paga mesatare bruto në ekonomi ra me 2.1 për qind më 2016

Paga mesatare në ekonomi ka rënë. INSTAT njoftoi se në vitin 2016, paga mesatare mujore bruto ishtë 45.845 lekë. Një vit më parë, më 2015, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri është 46.830 lekë. Më 2016 niveli i pagës mesatare bruto shënoi ulje vjetore me 2.1%, pas një rritjeje që kishte pësuar më 2015. INSTAT bën me dije se hendeku gjinor në paga është 6,3%. Në ndërmarrjet shtetërore paga mesatare mujore bruto është 55.472 lekë. Në sektorin shtetëror hendeku gjinor në paga është më i ulët se sa në sektorët e tjerë të ekonomisë. Në vitin 2016, pesë grup-profesionet me pagën mesatare mujore bruto më të lartë janë: drejtues administrativë dhe komercialë; specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara; specialistë të administrimit dhe biznesit; ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë. Paga mesatare mujore bruto është më e ulët për grup-profesionet në të cilat niveli i aftësive të kërkuara është i ulët, të tilla si: prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare; punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë; ndihmës në përgatitjen e ushqimit; punonjës të përpunimit të ushqimit, drurit, tekstileve dhe tjera të ngjashme; punonjës të prodhimit të sendeve të imta; punonjës të punëve me dorë (artizanët) të shtypshkrimit dhe të tjera të ngjashme. Të jesh punëtor në Shqipëri është e vështirë sepse jo vetëm që fiton shumë pak, por edhe taksohesh shumë. Përfundimi del nga Këshilli i Investimeve, një platformë e ngritur me ndihmën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Sipas KI, në Shqipëri paga mesatare bruto është 357 euro në muaj duke qenë më e ulëta në Ballkan. I vetmi vend në rajon ku paga mesatare është e krahasueshme rezulton Kosova me 360 euro në muaj, ndërsa në të gjitha vendet e tjera rrogat janë dukshëm më të larta. Më konkretisht, në Bosnje paga mesatare është 425 euro, në Serbi një punëtor merr 500 euro në muaj, ndërsa në Maqedoni dhe Mal të Zi paga mesatare mujore është respektivisht 530 euro dhe 739 euro.

Artikulli paraprakRihapja e tenderit të Spitallës
Artikulli tjetërTirana abstrakte e Erion Veliajt