Rihapja e tenderit të Spitallës

Tenderi për dhënien me koncesion të zonës zhvillimore ekonomike të Spitallës në Durrës nuk ka dështuar për herën e katërt. Dy oferta janë paraqitur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ditën e fundit të paraqitjes së tyre. Pranë ministrisë, e cila deri dje “kryqëzonte gishtat”, nuk kishte mbërritur asgjë në rrugë elektronike. Pas hapjes së dosjeve, komisioni i shqyrtimit të ofertave vijoi punën me dokumentacionin me dyer të mbyllura. Mësohet se ofertën më të më madhe e ka dhënë kompania “Edil Al –IT” me seli në Tiranë. Kjo firmë kërkon të zhvillojë këtë zonë me një investim rreth 89 milionë eurosh, ndërsa synon të hapë 12 mijë vende të reja pune. Zarfi i dytë është ai i kompanisë “Pelikan” sh.p.k. Investimi i firmës nga Durrësi është për 10 vite, deri më 2027-n dhe ka një vlerë prej 38.9 milionë eurosh. “Pelikan” sh.p.k. thotë se do të hapë 2,500 vende të reja pune. Objekti i kontratës është ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në Spitallë, Durrës, për një periudhë 99-vjeçare. Shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, vetëm 30 km larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 37 km nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Në kriteret e përzgjedhjes së fituesit, propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 25 pikë, ndikimi mjedisor 10 pikë, ndikimi social 15 pikë, koha e përfundimit të investimit 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë. Përpjekjet fillestare në vitin 2015 për dhënien e 500 hektarëve në Spitallë, një zonë afër Durrësit dështuan pasi kompanitë kineze, “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co shfaqën mangësi.

Artikulli paraprakShkëmbimet tregtare agroushqimore me BE, Serbia kryeson në rajon
Artikulli tjetërPaga mesatare bruto në ekonomi ra me 2.1 për qind më 2016