Pafajësia e Lulzim Bashës për Dibrën dhe kurthi elektoral i kanabisit

Artur ZHEJI

Sigurisht “Çështja Dibra” dhe humbja e PD, nuk mbaron vetëm me një festë të socialistëve dhe as me shampanjë të shtrenjtë të kupolës fituese, që nuk ka fare lidhje me Peshkopinë.
Madje ngjarjet që përshkruhen nga situata ekonomike në Maqellarë apo në Kalanë e Dodës, flitet për një mjerim të skajshëm, që është një mjerim PD-PS. Një mjerim që jo vetëm nuk ka shenja shërimi, por ka mbërritur nivele shumë më të trishtuara se sa gjendja ekonomike e para viteve ’90, që për shumëkënd në Shqipëri, konsiderohet si niveli më i ulët. Kundrejt një situate ekonomike të dëshpëruar, askush nuk mund të bëjë fajtor dibranët, që pranoi më së shumti ofertat “bujare” me nga 20 dollarë apo 50 dollarë për votë.
Oferta që shoqëroheshin me kërcënimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë, se ata që do të vazhdonin të mbesnin besnikë për PD, do të identifikoheshin si fise dhe familje dhe do të ishin pjesë e listave të zeza. Pra, të papunë dhe nën “vëzhgim”!
Askush nga gazetarët tanë të mëdhenj nuk foli për realitetin e zymtë dibran. Që nuk është kjo zymtësi, vetëm pjellë e Rilindjes së palindur, të kësaj qeverie e të kësaj qeverisjeje pordhëshumtë e punëpakët, por e të gjitha qeverive që kanë kaluar këto 26 vjet në Shqipëri. Madje nën atë trysni që u vu Dibra dhe dibrani, që në shumë çaste të mëdha të kombit tonë, ka shkruar faqe të arta historie dhe kjo nuk është retorikë, se retorika në këtë vend tanimë është monopol i Kryeministrit dhe i megafonëve të vet, ata ithtarë të PD, që votuan Partinë Demokratike në Dibër, janë më së shumti realisht idealistë.
Askush nuk e tha se në Dibër, si gjithkund në Shqipëri mbillet kanabis, por edhe lulëkuqe, farë e zgjedhur, që shërben për opium dhe bazën e parë të prodhimit të kokainës.
Dhe askush s’e tha, se mjaft prej dibranëve të varfër, kanë dhënë tokat e tyre me qira, për mbjelljen e këtyre bimëve, nga të tretët. Dhe askush nuk e nënvizoi se dy javët e fundit të fushatës që askush nuk pa të bëhet, sekserët, shkuan derë më derë te pronarët e tokave dhe kishin marrë tagër të kërcënonin me burg, në këmbim të votës për kandidatin socialist.
Dhe mjaft prej tyre që votuan majtas në Dibër, bënë 2 llogari njëherësh: prodhimin e shkatërruar, e pra, cullët pa bukë, cullët janë fëmijët në dibrançe dhe e dyta, burgun dhe turpin publik. Një llogari kjo shumë e kushtueshme dhe e pamundur.
Tani nëse Lulzim Basha do të ishte ndonjë sheik arab dhe jo një politikan “shqiptaro-holandez”, do t’ja zgjidhte këtë dilemë pjesës më të madhe të dibranëve duke i blerë prodhimin dhe duke i dhënë paratë drëng në dorë, që të shkatërronin të mbjellat dhe të votonin moralisht PD.
Debati në Grupin kuvendor të PD, është po i njëjti. Majlinda Bregu dhe Eduart Selami, që drejtojnë gishtin nga Basha. Ndërsa Astrit Patozi, ishte burrnor dhe krejt i arsyeshëm në analizën e tij të një dite më parë.
Është mirë që PD ka debat dhe është mirë dhe në të drejtën e vet, edhe Bregu edhe Selami, të mos e duan apo ta konkurrojnë Lulzim Bashën. Por ata dhe të tjerët që ndikohen sinqerisht, duhet të kenë parasysh, se në këtë disfatë të Dibrës, nuk është Lulzim Basha problemi. Problemi është metoda tmerrësisht e pisët, e eksperimentuar në Dibër.
Pra, legalizimi faktik i kanabisit është një kurth i dyfishtë. Shumica e shqiptarëve ruralë, janë të ftuar të mbjellin dhe të provojnë fatin e tyre me bimën çudibërëse. Por ndërkohë ata janë të listuar, të evidentuar dhe çertifikuar.
Një për një dhe rast pas rasti. Të paktën në më të shumtën e tyre.
Që do të thotë që nesër, në zgjedhjet e përgjithshme, nuk është çudi që sekserët me ose pa uniformë, prurësit e farës apo kontraktuesit e aferës, të shfaqen, në më të shumtën e Shqipërisë me lista në dorë. Me pyetjen e tmerrshme: “Votën ose burgun!” apo “Votën apo mbajtjen e prodhimit dhe licencën e mosprekjes për sezonin tjetër!”.
Këtu Lulzim Basha, duhet të kishte të paktën 10.000 marinsa amerikanë, për ta zgjidhur si duhet, moralisht dhe politikisht situatën. Dhe nuk mund të bëhet fajtor që nuk i ka, këta 10.000 marinsa!
Faje dhe mëkatë të tjera le t’i gjenden me shumicë, por disfata e Peshkopisë, është një disfatë kombëtare.

Artikulli paraprakBasha: Aksion politik, do të këpusim hallkat e krimit
Artikulli tjetërFaqja e parë