OSHEE do i paguajë KESH dhe OST 10.7 miliardë

Enti Rregullator i Energjisë bëri me dije se kompanitë e sektorit energjetik do të vazhdojnë të shlyejnë në mënyrë të vazhdueshme borxhet e akumuluara mes njëra-tjetrës. Për të garantuar likuiditet ky Ent vendosi që të mos ndryshonte çmimet për operatorët duke vlerësuar se aktualisht performanca e të triave si OSHEE, OST dhe KESH ka qenë e kënaqshme. Por për të mos ngarkuar llogaritë vjetore duket se Shpërndarja dhe gjenerimi kanë arritur në një marrëveshje që shtrihet në 5 vite. “OSHEE sh.a. ka ndërtuar një plan të uljes së detyrimeve ndaj KESH dhe OST në përputhje edhe me ristrukturimin e borxheve të KESH nga BERZH. Sipas kësaj skeme OSHEE do t’i paguajë KESH dhe OST në 5 vitet e ardhshme rreth 10.7 miliardë lekë më tepër se sa fatura korente, duke bërë që borxhi total ndaj KESH dhe OST të ulet në mënyrë progresive”, thuhet në dokumentin e Entit. Zinxhiri i borxheve në sektorin energjetik ka qenë problematik ndër vite ku kompanitë kishin detyrime të akumuluara vit pas viti duke rrezikuar situatën financiare të tyre dhe kolapsin e sektorit. Mbledhja e detyrimeve të vjetra nga ana e OSHEE përmes disa skemave lehtësuese, por edhe fushata antiinfomalitet rriti në mënyrë të dukshme të ardhurat për shpërndarjen ndërkohë që KESH është favorizuar edhe nga situata e mirë hidrike që ka sjellë eksport në vlera të konsiderueshme.

Artikulli paraprakAplikimet për punë në Gjermani, 150 mijë vende pune deri më 2020
Artikulli tjetërPazari i peshkut, Meta president që LSI të hyjë në zgjedhje pa opozitën