Aplikimet për punë në Gjermani, 150 mijë vende pune deri më 2020

Rritet numri i të rinjve, të cilët aplikojnë për punësim jashtë vendit. Kjo sipas agjencive të punësimit vjen si rezultat i ofrimit të kushteve më të mira të punës dhe pagave më të larta. Sipas menaxheres së njërës prej agjencive të punësimit në Gjermani Imelda Bregasi, numri i aplikimeve në këtë agjenci në total ka arritur në 400, ku 150 aplikime janë bërë vetëm në tremujorin e parë të 2017-ës. Sipas përfaqësuesve të agjencive mosha mesatare e aplikantëve është 30 vjeç. “Aktualisht në sistemin tonë, ne numërojmë rreth 400 persona, të cilët kanë bërë aplikime pranë zyrës tonë, përsa i përket periudhës 2016-2017. Vetëm tremujori i parë i 2017-s numërohen rreth 150 aplikantë të rinj, në profesionet e infermierisë, mjekësisë dhe të inxhinierisë. Por kemi edhe një database përsa i përket profesioneve të dyta, të cilat janë profesionet e hidraulikës, mekanikut, elektriçistit apo punonjësve të hotelerisë”, deklaroi Imelda Bregasi, menaxhere e zyrës së punësimit në Gjermani. Sipas Bregasit inferemierë dhe inxhinierë janë kategoritë ku kërkesa është më e lartë për tregun gjerman, ndërkohë që pagat kapin shifrat nga 3000 deri në 4000 euro. “Tregu gjerman ka një nevojë vërtet në rritje, përsa i përket profesionit të infermierëve, fizioterapisë, të mamive, të pjesës së mjekëve”. Shteti gjerman vetëm në sektorin e shëndetësisë deri më 2020 kërkon të punësojë 150 mijë punonjës shëndetësie.

Artikulli paraprakGjykata franceze liron Ramush Haradinajn
Artikulli tjetërOSHEE do i paguajë KESH dhe OST 10.7 miliardë