Pazari i peshkut, Meta president që LSI të hyjë në zgjedhje pa opozitën

Një pazar të pastër politik e ka cilësuar kreu i PD Basha, kandidaturën e Ilir Metës për president dhe votimin e tij të mundshëm në Parlament, ndërsa solli në vëmendje se për hir të interesave klienteliste, Rama njeriun që kërkonte ta fuste në burg sot është i gatshëm ta shpallë president. Nga sheshi i lirisë ku bashkëbisedoi me të rinj e të reja, Basha denoncoi pazarin më të fundit Rama–Meta për të mbajtur veten e tyre në pushtet. “Njeriun që u përpoq ta fuste në burg, rivalin politik për të cilin ngriti anembanë Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dosje konspiracioni, me plot vrasje, me gangsterë dhe kriminelë të paguar, u detyrua ta shpallë president të rilindjes së falimentuar dhe korruptuar. Kjo është një ditë e dëshpëruar për Edi Ramën, rruga e tij e lidhur me mijëra fije me krimin e organizuar dhe me drogën që prodhojnë vetëm papunësi dhe mjerim për shqiptarët, që i dha kontrollin e territorit dhe kufijve të një vendi anëtar të NATO-s, bandave të narkotrafikut, rruga e tij dhe shteti i tij i falimentuar dhe i korruptuar ka arritur në stacionin e fundit. Republika e vjetër ka arritur në stacionin e fundit, pazari që mbante në këmbë aleancën e lindur nga pasurimi dhe inkriminimi i rilindjes së krimit dhe krimit të rilindur ka pjellë aktin e vet të fundit, ka nënshkruar falimentimin total para Shqipërisë, para shqiptarëve dhe para partnerëve ndërkombëtarë. Në këtë akt dëshpërimi Edi Rama ka humbur çdo lloj arsyeje, jo se është shquar për arsye, por tani ka arritur në një pikë ku edhe një fëmijë 6-vjeçar e kap në gënjeshtër”, tha Basha. Ai theksoi se kupola në pushtet ka vetëm një qëllim të vetëm, pasurimin dhe zhvatjen e parave të shqiptarëve. “Mos harroni kupola e republikës së vjetër, siç tregon pazari që sapo kanë mbyllur për presidentin që duhej të ishte i popullit, por mbeti peng, për herë të fundit i republikës së vjetër, i këtij komploti masiv ekonomik dhe politik kundër shqiptarëve. Kjo kupolë ka vetëm një qëllim, të pasurohet dhe të vetëmbrohet nga ligji, nga drejtësia e vërtetë dhe nga gjykimi popullor me votë të lirë e të ndershme. Kjo lëvizje popullore, ky bashkim i paprecedent në historinë tonë kombëtare përbën një rrezik ekzistencial për kupolën e republikës së vjetër të kryesuar nga Edi Rama dhe për vetë republikën e vjetër. Ata e dinë se tani që maskat kanë rënë dhe populli dallon fare qartë se si Parlamenti fasadë dhe qeveria fasadë janë një teatër kukullash për të grabitur miliardat e buxhetit me tendera dhe koncesione korruptive, për të grabitur pasuritë e vendit, naftën, mineralet, bregdetin dhe gjithçka që ky vend ofron për të vendosur Shqipërinë në hartën e zezë të prodhuesit dhe shpërndarësit numër një të drogës në Europë. Tani që maskat e këtij teatri kanë rënë njëherë e përgjithmonë, se përballja me votën e lirë dhe të ndershme të popullit shqiptar do të degdisë atë dhe gjithë kupolën e republikës së vjetër në minorancën më absolute që ka ndodhur ndonjëherë në Europën e pasviteve ‘90, me votë të lirë e të ndershme. Edi Rama ka bërë e po bën gjithçka për ta ndalur votën e lirë dhe të ndershme, për të ndalur zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ai ka mobilizuar miliardat e korrupsionit, ai ka mobilizuar dhe ka shkrirë shtetin me partinë dhe partinë me shtetin. Ai ka thirrur në ndihmë miliardat e bosëve të drogës dhe krahun e fortë të organizatave të tyre kriminale”, tha Basha.

Në çdo rrugë e shesh për zgjedhje të lira

Opozita do të vijojë betejën e saj në çdo rrugë e shesh deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Unë e di dhe jam shumë mirënjohës për shprehjet tuaja të solidaritetit, për këtë sakrificë për sulmet që na vijnë e më vijnë për qëndrimet që ne mbajmë. Por unë jam i vetëdijshëm se këto janë qëndrimet e duhura, se kjo është kauza e drejtë, se në këtë udhëkryq nuk ndahen thjesht katër vitet e ardhshme, por dorëzimi i Shqipërisë krimit, drogës, diktaturës dhe tiranisë së korrupsionit apo lindja e Shqipërisë europiane, moderne dhe demokratike. Jam i vetëdijshëm se edhe ata mes nesh që akoma nuk e kanë kuptuar këtë do ta kuptojnë. Tek kjo betejë afrohet në finishin e saj me një përfundim të sigurtë, fitoren totale të kauzës tonë të drejtë, siç kuptuan dhe mbështetën jo të gjithë prej fillimit, jo të gjithë të djathtë e të majtë betejën tonë të drejtë për dekriminalizimin dhe ligjin për dekriminalizimin. Siç mbështetën dhe kuptuan qëndresën tonë të drejtë për amendamentet kushtetuese të reformës në drejtësi jo sipas Ramës, Tahirit, Shullazit apo Xhorxh Sorosit, por sipas Komisionit të Venecias dhe standardit europian dhe euroatlantik. Kjo ditë miqtë e mi po vjen, por ajo që përcakton fitoren, ajo që ndan se nga cila anë të këtij udhëkryqi historik do të shkojmë, forca e vetme që e përcakton fitoren në këtë betejë jeni ju, është ky bashkim i madh qytetar, i paepshëm, i pathyeshëm, i vendosur dhe kurajoz. Ndaj ju ftoj që së bashku me këtë qëndresë të përditshme e të përnatshme në këtë tempull të lirisë ta shtrijmë bashkimin tonë në çdo rrugë e çdo shesh anembanë Shqipërisë për të diktuar përmes fuqisë së bashkimit zgjidhjen e vetme që na çon drejt destinacionit tonë europian. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm me një qeveri teknike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, që do të luftojë drogën dhe paratë e drogës dhe që do të bëjë të mundur reformën e vërtetë zgjedhore përfshirë votimin biometrik elektronik dhe numërimin elektronik. Kjo kauzë e drejtë, e cila nuk ka asnjë interes të opozitës, por çdo interes publik të çdo shqiptari të djathtë e të majtë në zemër nuk mund të përfundojë përveçse me fitoren totale të shqiptarëve të bashkuar kundër krimit, korrupsionit dhe drogës në pushtet. Ndaj le të bëhemi gati. E para na pret kryeqyteti i lirisë dhe demokracisë, Kavaja. Nga Kavaja dhe nga Tirana, anembanë Shqipërisë na pret një bashkim i jashtëzakonshëm i të rinjve dhe i të rejave, i prindërve dhe të moshuarve, gegë dhe toskë, të djathtë dhe të majtë për Shqipërinë e republikës së re, për Shqipërinë e çdo shqiptari dhe shqiptareje të ndershëm”, tha Basha. Ai tha se arma e tij më e fuqishme në këtë betejë është media e korruptuar dhe e blerë me zhaget e drogës dhe zhaget e korrupsionit të republikës së vjetër. “Dhe për të mos mjaftuar kjo ai i ka dërguar zhaget e parave të pista të drogës dhe paratë e djersës dhe gjakut të shqiptarëve për të blerë mbështetjen e mercenarëve të huaj, të cilët para interesave të shqiptarëve dhe Shqipërisë kanë vendosur interesin e xhepave të tyre, por ai ble dhe nuk mund të blejë kurrë këtë bashkim të madh popullor që është ngritur në këmbë për të mos u ulur dhe për të mos u dorëzuar kurrë pa fitore totale. Ai nuk mund të blejë e nuk do të blejë dot kurrë me lobingjet e pista vullnetin e pastër të partnerëve tanë europianë dhe amerikanë për ta parë Shqipërinë jo një hambar droge, jo një kopsht zoologjik të kriminelëve me nam në Ballkan, jo një vend të dështuar nga krimi dhe korrupsioni, por një Shqipëri demokratike, europiane, euroatlantike, moderne dhe të pavarur nga tirania e krimit dhe e korrupsionit. Miqtë tanë kanë qenë në krah të kauzës së drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme prej orës së parë të bashkimit tonë në këtë shesh më 18 shkurt e do të jenë me ne e krah nesh derisa zgjedhjet e lira dhe demokracia e vërtetë, edhe drejtësia e vërtetë të jenë një realitet i prekshëm nga çdo shqiptar dhe shqiptare e ndershme”.

Rama i trembet vettingut të vërtetë

Basha hodhi poshtë dje pretendimet e Ramës se PD është kundër vettingut, ndërsa tha se është Rama ai që i trembet këtij procesi ndaj dhe kërkon nisjen e këtij procesi në kundërshtim me marrëveshjen konsensuale të 21 korrikut. “Ky pazar politik, i cili tash katër vite ka vetëm një qëllim, të pasurojë dhe mbrojë klikën e korruptuar dhe kriminale në pushtet, sot bëri atë që Edi Rama me zemër u mundua ta shmangë për katër vjet. Çfarë thotë Edi Rama? Edi Rama thotë se: ‘Ne jemi kundër vettingut’, ‘se ai e ka të sigurt fitoren e tij në zgjedhjet e ardhshme’ dhe se ‘çadra është këtu për të bllokuar vettingun’. Hiq lajle lulet dhe broçkullat e përditshme të folklorit të mërzitshëm, këto janë pak a shumë tre tezat e Edi Ramës. Ne jemi kundër vettingut. Ai do t’i fitojë zgjedhjet, me apo pa LSI dhe kjo çadër është këtu për të bllokuar vettingun. Kemi tash 69 ditë që i kemi thënë t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme me një qeveri teknike, ku kryeministri do të propozohet nga mazhoranca me miratimin e opozitës. Dhe se pas miratimit të qeverisë teknike ne jemi gati të zbatojmë vettingun sipas përcaktimeve kushtetuese dhe t’i japim Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo zgjedhje fasadë, dhe vetting të vërtetë dhe jo vetting fasadë. Por Edi Rama nuk do as njërën, as tjetrën. Edi Rama i trembet vettingut të vërtetë, i trembet gjyqtarëve dhe prokurorëve të pakorruptuar e të pavarur”.

Rama preku në Kavajë fundin politik të ekzistencës së tij

Degradimin e djeshëm të Ramës në një takim elektoral në Kavajë, ku ai humbi kontrollin dhe ulëriste përpara njerëzve të sjellë me detyrim, Basha e cilësoi si dëshmi të fundit politik të Ramës. “Sot është një ditë ku leximi i dëshpërimit të Edi Ramës dhe republikës së vjetër është i qartë për çdo njeri me sy në ballë dhe mend në kokë. Sot Edi Rama është rikthyer me fjalë, me akte, me gjeste, aty ku Shqipëria ishte 27 vjet e kusur më parë. Është kthyer në shembëlltyrën më të shëmtuar të satrapëve në orët e fundit të diktaturës komuniste. Sot është një ditë e dëshpëruar për Edi Ramën, i cili e provoi këtë dëshpërim para çdo qytetari të Kavajës e në veçanti para gjimnazisteve dhe gjimnazistëve të Kavajës, para prindërve, mësuesve dhe çdo shqiptari, ashtu si para botës, sepse i mbërthyer nga paniku i braktisjes totale që kavajasit dhe mbarë shqiptarët i kanë bërë atij si kreu i kupolës së krimit në republikën e vjetër, urdhëroi si askush në 27 vite, mobilizimin masiv me forcë dhe kërcënime të gjimnazistëve, mësuesve të Kavajës dhe çdo qytetari të Kavajës që mund të shantazhohej nga falangat e kriminelëve të tij në pushtet dhe pushtetit të tij të korruptuar dhe inkriminuar. Nxinte sot Kavaja sepse kishte Edi Ramën, por më shumë se Kavaja nxinte edhe Edi Rama, i cili preku sot në Kavajë fundin politik të ekzistencës së tij, fundin e turpshëm politik të mashtrimeve, dështimeve, korrupsionit dhe varfërisë që mbolli tash 4 vjet në Kavajë e gjithë Shqipërinë. Provat, faktet, filmimet me celular, sms të shumta, dëshmitë e atyre që i detyruan me zor të dilnin në sheshin qendror të Kavajës për të pritur kryeministrin e dështuar dhe korruptuar, janë sot fakte të pakundërshtueshme në dosjen e trashë që e njeh Shqipëria, Europa dhe Amerika. Dosjen e fakteve të pakundërshtueshme se me Edi Ramën nuk mund dhe nuk do të ketë asnjë shans për zgjedhje të lira e të ndershme. Me heshtjen e tyre, që më kot mundohej ta kompensonte tamburja e shtypur e rilindjes së inkriminuar dhe krimit të rilindur, me në krye Elvis Rroshin me falangat e tij në Kavajë, i flisnte fare qartë edhe mjerimi i ulur këmbëkryq në Bashkinë e Kavajës sikundër në bashkitë e tjera të vendit. Papunësia në nivele ekstreme, rritja e papërballueshme e kostos së jetesës, shkatërrimi i qindra mijëra vendeve të punës dhe mbi të gjitha pasigura totale që ka mbërthyer një qytet, i cili nën rilindjen e Edi Ramës u menaxhua nga kryebanditët e Rilindjes, njeriun e dënuar në Itali për përdhunim të një vajze të mitur dhe të ekstraduar nga Zvicra për trafikun e drogës. Ky është monumenti i vetëm i Edi Ramës në Kavajë. Ky është monumenti i turpit që më 7 maj kavajasit e ndershëm dhe bashkë me ta të gjithë shqiptarët e ndershëm do ta rrëzojnë njëherë e mirë. Dëshpërimi i Edi Ramës lexohet në çdo fjalë dhe akt të tij. Por një nga njohësit më të shkëlqyer të rajonit, të Ballkanit, ish-shefi i qeverisë dhe më vonë i diplomacisë suedeze Carl Bildt sot në krye të një përpjekjeje ndërkombëtare për parandalimin e konfliktit dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, shënoi në llogarinë e tij në Tëitter se Shqipëria gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm politik për demokracinë dhe stabilitetin. Ky, në një akt dëshpërimi që do t’ja kishte zili edhe Sulo Gradeci, u përgjigj: i dashur Carlo, Shqipëria është shkëmb graniti. Tani për të rinjtë e shumtë këtu kjo frazë mbase s’do të thotë asgjë, por për këdo tjetër që ka jetuar në errësirën e diktaturës mizore të Enver Hoxhës, kjo është shprehja më absurde, më idiote, më kriminale që tregonte shkëputjen totale nga realiteti të Byrosë Politike dhe regjimit komunist. Po kaq i shkëputur nga realiteti i përditshëm i kavajasve dhe mbarë Shqipërisë është sot Edi Rama, njeriu që edhe për pak ditë apo javë ka peshën e papërballueshme të karriges kryeministrore”, tha Basha.

A.Shahini

Artikulli paraprakOSHEE do i paguajë KESH dhe OST 10.7 miliardë
Artikulli tjetërDuke u afruar ditëlindja e “Vatrës”