Oligarkët shtojnë pasuritë me 170 milionë euro brenda vitit

Në fund të vitit 2016, 50 depozitat e para (për nga volumi) në sistemin bankar shqiptar përfaqësojnë 11.7 për qind të numrit të përgjithshëm të depozitave. Ato përfaqësojnë rreth 1 miliard euro nga vlera prej 8 miliardë e 670 milionë euro e të gjitha depozitave të tjera të sistemit bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë përqendrimi i depozitave bankare në Shqipëri gjatë vitit 2016 është rritur ndjeshëm. Kjo shifër është gati e njëjtë me atë të një viti më parë. Në fund të vitit 2015 banka deklaroi se këto 50 depozita përbëjnë rreth 10,3 për qind të sistemit bankar me vlerë rreth 8 miliardë e 186 milionë euro. Pra, në fund të 2015-tës, 50 depozitat më të mëdha vlenin rreth 843 milionë euro. Por le ta analizojmë në një këndvështrim tjetër — 50 depozitat më të mëdha në të gjitha bankat e Shqipërisë janë rritur brenda një viti me 3,4 milionë euro secila. Ato kanë kaluar nga një vlerë mesatare prej 16,8 milionë eurosh në vitin 2015 në një vlerë mesatare prej 20,3 milionë eurosh në vitin 2016. Kjo do të thotë se në një vit ato janë rritur me 20 për qind përkundrejt rritjes së përgjithshme me më pak se 5 për qind të depozitave bankare të tjera. Rritjen më të madhe e kanë pasur veçanërisht 10 depozitat më të mëdha të sistemit bankar. Secila prej tyre është rritur me 35 për qind. Nga vlera mesatare prej 39 milionë euro në vitin 2015, ato kanë arritur në vlerën mesatare prej 53 milionë euro në vitin 2016. Nuk bëhet e ditur nëse këto depozita janë idividuale apo biznesi, pa llogaritur këtu që një individ mund të ketë depozita bankare në banka të ndryshme të vendit. Kjo është shenja e disatë e një ekonomie që nuk funksionon ashtu sikurse deklarohet nga qeveria, përkundrazi funksionon në një mënyrë tërësisht të kundërt: merr para nga të varfërit për t’ia dhënë të pasurve, madje, të pasurve të mëdhenj. Mundësisht atyre që janë edhe përfituesit kryesorë të kontratave koncesionare të qeverisë. Është e vështirë që një sistem i tillë kaq shumë i paekuilibruar të mund të zgjasë gjatë. Por, gjithashtu është e vështirë që qeveria socialiste pas një fitoreje të tillë të mund të heqë dorë nga përfitimet dhe strategjitë e saj.  Kombinimi i rënies së vazhdueshme të normave të interesit me faktorë të jashtëm solli tkurrjen relative të depozitave me afat të klientëve nga njëra anë dhe rritjen e përqendrimit të depozitave në më pak klientë gjithashtu. Banka e Shqipërisë analizoi së fundmi se vitin e kaluar, llogaritë e bizneseve janë rritur me ritme më të larta se llogaritë e individëve (përkatësisht 17.16% dhe 3.13%), zhvillim që ka pasur impaktet e tij në rritjen e përqendrimeve të depozituesve më të mëdhenj. Në dhjetor 2016, dhjetë depozituesit më të mëdhenj zënë 6.16% të totalit të depozitave të sistemit bankar, kundrejt 4.8% që zinin në dhjetor 2015. E njëjta ecuri e përafërt vërehet edhe për grupet e tjera të depozituesve të mëdhenj. Për vitin 2016, 20 depozituesit e mëdhenj kishin 8.37 të depozitave në sistemin bankar, kundrejt 6.7% më 2015. Më 2016, 50 depozituesit e mëdhenj zotëruan 11.68% të totalit të depozitave, kundrejt 10.3% në vitin 2015. Depozitat e klientëve mbeten burimi kryesor i financimit për sistemin bankar shqiptar, me një peshë prej 82.27% të totalit të pasivit, megjithatë ritmi i rritjes së tyre ka rezultuar negativ (-1.23%), krahasuar me një vit më parë. Në fund të dhjetorit 2016, totali i depozitave në sistemin bankar arriti 1,160 miliardë lekë, krahasuar me 1,066 miliardë lekë që ishte një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 5.2%. Norma mesatare e ndryshimeve vjetore për shtatë vitet e fundit ishte 7.4%. Pesha e monedhës vendase në totalin e depozitave ka rënë në 47.2%, nga 48.7% në dhjetor 2015. Struktura e maturitetit është zhvendosur në drejtim të afateve më të shkurtra, sepse është rritur pesha e llogarive rrjedhëse dhe depozitave pa afat, ndërkohë që depozitat me afat janë tkurrur relativisht nën ndikimin e uljes së vazhdueshme të normave të interesit. Depozitat e individëve mbeten baza kryesore e depozitave të sistemit, me peshë prej 83.43% të totalit të depozitave, por me një rënie rreth 1.57 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Artikulli paraprakBE: Luftoni drogën dhe krimin e organizuar
Artikulli tjetërMasakra elektorale-2017 e ngjashme me vitin 2001