Masakra elektorale-2017 e ngjashme me vitin 2001

Armand MAHO

Edi Rama do të mbahet mend si njeriu që riktheu dhe një herë standardet e manipulimit masiv të votës në vend, këtë herë me anë të blerjes. Një metodë më e sofistikuar e cila deformon votën e zgjedhësit dhe e dërgon atë drejt pushtetit. E megjithatë Partia Demokratike, nuk e ka për herë të parë një rezultat të tillë që vjen për shkak të manipulimit masiv të votave, nga ana e kundërshtarit dhe sërish ka mundur të ringrihet. Kush mund ta harrojë fitoren spektakolare të vitit 2005. Por edhe në vitin 2001, ajo rezultoi fituese, dhe të gjithë ata që e kanë harruar e dinë fare mirë se përpara bandave dhe trafikut mund të humbasë çfarë do lloj opozite sado që ajo të marrë masat e veta. Në rast se atëherë ishte dhuna, dhe një mënyrë anadollake e të manipuluarit të zgjedhjeve sot janë të tjera metoda, ato të heshtjes dhe të blerjes së votës. Natyrisht, aso kohe trafikantët ishin në fillimet e tyre dhe shumë prej tyre kishin marrë në dorë Policinë e Shtetit, paraja ishte shumë e shtrenjtë, por druri dhe dhuna aspak. Në rast se atëherë banditët, trafikantët, dhunuesit e kriminelët futeshin në rradhët e policisë, ose në komisionet e votimit dhe shpërbleheshin më pas, sot ata janë në rolin e financuesit të zgjedhjeve pas të korrave të mbara të hashashit të vitit 2015-2016. Në vitin 2013, ai i futi në Parlament një pjesë jo të vogël të tyre, ndërsa sot ata zhvillojnë fushata. Për të paktën tre zgjedhje rresht ky fenomen erdhi duke u zvogëluar. Nano, hoqi dorë disi në vitin 2005, ndërsa ky fenomen as që mund të mendohej në vitet 2009-2013. Rikthimi i bandave u vu re në zgjedhjet e vitit 2015. Një vit më pas, ata do shpërbleheshin, duke i vënë në dispozicion tërë Shqipërinë për ta kthyer në parcelë droge, ndërsa më datë 25 qershor dhe më parë u panë në rolin e financuesit. Denoncimet e kandidatëve për deputetë për shuma marramendëse parash, u përforcuan dhe më tej nga Banka e Shqipërisë, ku tha se vetëm dy javë para zgjedhjeve nga bankat e vendit ishin tërhequr jo pak, por 150 milionë euro. Duket se standardi i manipulimit është vendosur sërish dhe përgjegjësi kryesor për këtë është vetëm një dhe ai quhet Edi Rama. Kthimi i vëmendjes nga problemet e opozitës vetëm sa shton mjegullën për këtë çështje.

Viti 2001

“Gjatë raundit të dytë të balotazhit më tetë korrik, qëndrova disa orë në një qendër votimi në një fshat të Kavajës. Nga gjithë komisionerët e asaj qendre binte në sy një person i cili ndryshonte nga anëtarët e tjerë të komisionit që në pamje të parë. I veshur me rroba të shtrenjta me një zinxhir të trashë floriri në qafë, i ushqyer natyrisht më mirë se të tjerët të tërhiqte vëmendjen me sjelljen e tij agresive pothuaj prej padroni ndaj komisionerëve të tjerëve, që dukeshin të lodhur nga punët e bujqësisë dhe vështirësive ekonomike që i shprehnin që në pamje të parë. Kontrasti ndërmjet tij dhe të tjerëve ishte i madh dhe natyrshëm më lindi ideja e shtyrë dhe nga kureshtja profesionale për të pyetur se kush ishte ai njeri. Kureshtjes time disa djem të rinj që rrinin jashtë qendrës së votimit m’u përgjigjën se ishte nga ai fshat dhe ndër njerëzit më të pasur të zonës. Me se merret, me tregti, biznes çfarë pyeta. Qeshën, dhe duke më parë me habi për pyetjen time që u dukej pa kuptim më thanë se, për të punojnë tre femra si prostitutë që i kishte lënë në kujdestarinë e vëllezërve”. Ishte viti 2001, dhe ky pasazh është shkëputur nga një reportazh i gazetarit Nebil Çika të bërë në Luz të Kavajës në zgjedhjet e atij viti. Njësoj si në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Demokratike do të merrte një goditje të rëndë. Vetëm 25 deputetë nga mazhoritari dhe shtatë deputetë nga proporcionali gjithsej 32 deputetë. Aleatët e saj do të merrnin ndonja 15 deputetë në proporcional dhe i gjithë grupi i deputetëve me të cilët përfaqësohej në Kuvend nuk e kalonte numrin 47 kundrejt 93 deputetë që kishin fituar partitë në koalicionin e majtë.

Fitorja e mohuar

Mesnata e 24 qershorit duke gdhirë data 25 qershor do e gjente fituese Partinë Demokratike me të paktën 47% të votave kundrejt 37 apo 38% që kish fituar e majta. Të dhënat nga komisionerët dhe vëzhguesit e saj tregonin se, pjesëmarrja kish qenë e madhe dhe vota ndëshkuese ndaj atyre që kishin bërë maskarën e vitit 1997 kish qenë evidente. Por askush sdo e mendonte se pikërisht atëherë do të fillonte dhe manipulimi i madh. Të fortët, të mbështetur dhe nga policia do viheshin në shërbim të kandidatëve socialistë. Në të gjitha ambjentet e qendrave të votimit do të mësynte policia, makina pa targa, të cilat do fillonin shqyerjen e kutive dhe manipulimin e votave. Bëmat e Edmond Kosenit në Peqin me urdhër të ish-zëvendësministrit të Rendit, Bujar Himçi nuk kanë sesi të harrohen. Policë që kishin ndaluar kutitë e votimit dhe në bashkëpunim me banditët rregullonin votat në favor të kandidatit të tyre. Madje, rasti i Halit Shamatës është dhe metoda më e mirë për të demonstruar atë që ka ndodhur.

Deformimi i votës në Peqin ndër më flagrantët

Në 2001 në zonën me nr. 49 garonin Halit Shamata i PD-së dhe Shpëtim Kateshi i Partisë Socialiste.  Shpejt u vu re që Halit Shamata ishte përpara me vota. Që në orën 16:00, dy orë para mbylljes së qendrës së votimit bandat e Kosenit, së bashku me ish-kunatin e tij në Polici, Xhaferr Elezin u hodhën në aksion. E para do të ishte qendra e  votimit në Pajovë Fshat, ku komisionerët e PD-së u nxorrën me forcë nga qendra dhe u dhunuan në mes të fshatit. Më pas në orën 19:00 një orë pasi kish përfunduar votimi dhe ishin përpiluar procesverbalet, forcat e Kosenit të udhëhequra sërish nga Xhaferr Elezi hynë në ambjentet e QV-së dhe pasi ushtruan presion mbi komisionerët filluan të mbushnin kutinë. Në orën 21:00 përpara Komisionit Zonal Zgjedhor oficerët e policisë filluan të rakordonin shifrat tek procesverbalet që kishin sjellë vetë. Gramoz Ruçi kish deklaruar një ditë më parë në një konferencë për shtyp se Kateshi i PS-së, do të fitojë para Halit Shamatës me 1000 vota më shumë. Më tej, pasi përpiluan si deshën rezultatet morën me forcë në Komisariatin e Policisë komisionerët e PD-së dhe i detyruan të firmosin. Rezultati përfundimtar ishte, 6478 vota për Kateshin dhe 5287 vota për Shamatën. Por kandidati i PD do e ankimonte procesin në KQZ, e cila megjithëse nën diktatin e PS-së do e çonte zonën 49 në balotazh. Ditën e zgjedhjeve banditët me uniformë nuk u morën gjatë, por arrestuan dhe dhunuan të gjithë Shtabin Elektoral të deputetit Shamata. Në fund rezultati ishte impresionues. Në favor të Kateshit të PS-së kishin kaluar 10440 vota, ndërsa Halit Shamata kish marrë vetëm 1952 vota. Më poshtë tabela se si lëvizën votat në të dyja raundet në Peqin, sipas zonave.
Gjocaj, Raundi I, Shamata 249 vota Kateshi 638, Balotazh, Shamata 186 Kateshi 823
Pajovë, Raundi I, Shamata 1023 vota Kateshi 1551, balotazh Shamata 352 Kateshi 2165
Peqin qytet, Raundi I, Shamata 1711 vota, Kateshi 1003, balotazh Shamata 144 vota Kateshi 1794
Përparim, Raundi I, Shamata 848 vota, Kateshi 916, Balotazh Shamata 323 vota, Kateshi 1509
Pra duket qartë se si është deformuar vullneti i zgjedhësve në favor të kandidatit të majtë. Si kjo histori ka me dhjetëra. Si përfundim në raundin e parë të zgjedhjeve, PD ju mohuan të paktën 37 mandate deputetësh të sigurt, duke i çuar në balotazh, ndërsa me votim të drejtpërdrejtë dolën vetëm 18 deputetë, ndërsa në krahun tjetër kishin dalë tashmë jo pak, por 35 deputetë. E gjithsesi llogaritë nuk ju dolën dhe socialistët u vërsulën jo vetëm për të marrë mandatet e mbetura plot 37, por edhe mandatet e proporcionalit. Loja ishte ende e hapur dhe në rast se Partia Demokratike arrinte të fitonte zonat në balotazh, atëherë mund të kthehej në rrezik për pushtetin e atëhershëm, pasi shkonte në 55 deputetë ndërkohë që kishte plotësuar tashmë numrin prej 21 mandatesh nga proporcionali sipas llogaritjeve. Në raundin e dytë, manipulimi jo vetëm që nuk u pakësua, por u shtua akoma më shumë. Nga 37 mandate Partia Demokratike arriti të merrte vetëm 7 prej tyre, ndërsa 30 mandate u rrëmbyen sërish me anë të manipulimit nga ana e të majtëve. Në këtë kohë ndodhi dhe fenomeni i Dushkut, ku PS bëri thirrje të votohen të gjitha partitë e tjera  përveç PS-së në një fshat ku zgjedhjet do ripërsëriteshin. Bëhet fjalë për Dushkun e Lushnjës, një fshat me jo më shumë se 700 banorë që prodhoi jo pak, por 13 deputetë. Në fund Partia Demokratike nuk kishte më shumë se 32 deputetë, ndërsa bashkë me aleatët numri i përgjithshëm shkonte në 47 deputetë përballë një force prej 93 deputetësh që kishte e majta.

Roli i Gjykatës Kushtetuese dhe KQZ

Natyrisht një rol jo të vogël në të gjithë këtë manipulim masiv ka luajtur dhe KQZ me në krye Ilirjan Celibashin, si dhe Gjykata Kushtetuese me në krye Fehmi Abdiun. Askush s’mund ta harrojë rastin e zonës  18 ku garonte Avni Shehu dhe Luan Rama. Megjithëse në raundin e parë, ai u shpall fitues me gati 700 vota në garë, sërish KQZ me Abdiun e dërguan në balotazh ku u krye manipulimi më i hapur që është parë ndonjëherë. Kutitë e votimit u gjetën në zyrën e kandidatit socialist, ndërsa kutitë e shqyera me fletët e votimit brenda, Fehmi Abdiu dhe Ilirjan Celibashi do i konsideronin si të rregullta. Dhe raste të tilla kishte shumë dhe në të gjithë Shqipërinë, por pushteti nuk dëgjonte nga ai vesh. Raste të tilla  ndodhën hapur dhe në mes të ditës në zonën 36 në Tiranë, ku garonin Edi Paloka dhe Luan Hajdaraga, ish-ministër i Mbrojtjes. Pamjet filmike si në filmat western, ku Paloka me një grup mbështetësish mbronin makinën me kutitë e votimit, teksa ndiqeshin këmba-këmbës nga bandat dhe Forcat Speciale u bënë hit. Ishte nga të vetmet zona, të cilat me gjithë forcën e manipulimit, pushteti nuk arriti të ndërhyjë dhe mandati ju dha kandidatit të opozitës. Vullneti i zgjedhësve u pa qartë që ishte deformuar. E megjithatë, PD nuk u gjunjëzua, por vazhdoi me denoncimet rast pas rasti. OSBE në raportin paraprak të saj, njësoj si tani u shpreh se zgjedhjet ishin një hap pas. Në Durrës, Tiranë, Shkodër, Mat, Dibër, Korçë u verifikua se manipulimi ishte masiv. U humbën zona që nuk ishin humbur ndonjëherë. Komuniteti ndërkombëtar, i njohu zgjedhjet, por nuk i legjitimoi, dhe kjo situatë çoi në faktin e një sërë zëvendësimesh si në Gjykatën Kushtetuese, por dhe në Presidencë ku ky institucion ju dha opozitës. Në fakt ish-lideri socialist Nano të gjithë luftën e kish bërë që kapnin karrigen e Presidentit, por kjo nuk ndodhi. Presidenti ju kalua Partisë Demokratike. Gjithsesi, kjo forcë politike nuk do të hiqte dorë nga manipulimet, të cilat do i vazhdonte dhe në vitin 2003, gjë e cilla do të sillte fillimin e fundit të saj në pushtet. Në vitin 2004 do të fillonte lëvizja Nano ik, ndërkohë që denoncimet e korrupsionit kryheshin çdo ditë.

Zgjedhje 2017, ndryshon metoda, por vullneti i zgjedhësve mbetet i deformuar

Ngjashmëria me vitin 2001 dhe atë sot është e madhe. Në fakt, sot metodat e deformimit të vullnetit të zgjedhësve janë sofistikuar. Historia e zgjedhjeve të vitit 2001 duhet të jetë mësim. Në atë kohë, asnjë nuk u ankua, sepse u pa qartë që manipulimi kërkonte të mbante me dhunë një pushtet që nuk ishte i njerëzve. Edhe më datë 25 qershor, ndodhi e njëjta gjë por në formë tjetër. Në rast se asokohe përdoreshin të fortët dhe policia, sot, gjërat kanë ndryshuar. Sot policia nuk vepron që të kapë sekserët e votës. Vështirësia qëndron në faktin se punët bëhen natën, ndërsa atëherë bëheshin në mes të ditës. Askush s’mund t’i shkojë dikujt në shtëpi për të arrestuar sekserin dhe ta akuzojë se po blen vota. Në rast se do të shohim trendin e lëvizjes do vërejmë se ato që kanë shtuar vota janë vetëm partitë e qeverisjes dhe kjo s’është normale në një demokraci.

Absurdi zgjedhor

Këtë e dinë të gjithë po askush nuk flet. Askush s’di t’i japë përgjigje pyetjes se ku i gjeti Partia Socialiste 70 mijë vota më shumë se në vitin 2013 pas katër viteve pushtet dhe në çfarë manual demokracie përshkruhet kjo përveçse në demokracitë despotike. Po PDIU e Shpëtim Idrizit çfarë ka bërë që të dyfishojë numrin e votave, apo LSI që pati një rritje me rreth 50 mijë të tilla. Këtu duhet parë fillimisht problemi, por sot kemi një tjetër kakofoni, e cila bazohet tek fryma që nuk arriti dot të përcjellë opozita. Sado të ketë gabimet e saj, opozita nuk mund të humbë në një palë zgjedhje rreth 22 mandate në një Parlament me 140 deputetë, sepse do ishte çmenduri ta mendosh. Faktin që ka pasur një manipulim masiv e tregon dhe heshtja e krahut tjetër. Në fakt Rama e di fort mirë, se në rast se raporti i OSBE del në përfundimin se zgjedhjet janë manipuluar, atëherë ky do ishte fundi i tij politik. Rama e di fort mirë se institucionet e BE-së sdo e pranojnë kurrë një qeveri, e cila shfrytëzon varfërinë e njerëzve për të blerë vota, dhe kjo do ishte gjëja më e rëndë që mund t’i ndodhë. Kjo është arsyeja se përse sot kërkon të bëjë modestinë, pasi e di fare mirë se Shqipëria një vend anëtar i NATO nuk mund të jetë kështu. Zgjedhjet janë për të nxjerrë qeveri, dhe jo për të mbajtur qeveri dhe ky parim nuk mund të deformohet me anë të parave të drogës dhe koncesioneve.

Ringritja

Nga ana e saj, Partia Demokratike do të dijë të ringrihet, siç u ringrit në vitin 2001, por edhe  më parë në vitin 1997. Në zgjedhje të lira dhe të ndershme shqiptarët kurrsesi nuk do të votonin një alternativë si Edi Rama. Arbitri nuk ka folur ende shkoqur dhe qartë, por sinjali i parë u dha që dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Partia Demokratike i njeh mirë rregullat e lojës, ajo nuk i ndjek modelin “hap kutitë ose largohu”, siç bënte një herë e një kohë kryeministri aktual, që e dinte boll mirë se nuk i ishte vjedhur asnjë votë. Partia Demokratike është krijuar nën moton “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe demokratët nuk pengojnë proceset e integrimit për mandatin e Vangjel Ndrekos në Fier. Këto kapriçio janë të atyre që sot përbetohen në emër të integrimit, ata që bënin thirrje të mos liberalizohen vizat, të mos na anëtarësojnë në NATO e kështu me radhë. Demokratët presin verdiktin e arbitrit dhe ai sdo të vonojë.

Raporti i OSBE 20017: Zgjedhjet u cënuan, vullneti i zgjedhësve u deformua

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR renditi një numër të lartë parregullsish dhe shkeljesh të standardeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve të së dielës, me akuza që rëndojnë mbi të gjitha palët politike pjesëmarrëse në zgjedhje, si dhe me kritika për median dhe për transmetimin e materialeve të prodhuara nga partitë politike dhe të servirura si “lajme” të pavarura. Raporti, i publikuar në faqen e internetit të OSBE vetëm disa ditë pas zgjedhjeve, vëren se në të paktën 5 për qind të vrojtimeve të saj rastisi votim për persona të tjerë dhe moskontroll të rregullt të lyerjes së gishtit apo moslyerje të gishtit, si dhe faktin se rreth 5 për qind e firmave të hedhura në listat me emrat e votuesve dukej se qenë hedhur nga e njëjta dorë. Në lidhje me blerjen e votave, raporti vëren se një aktivist i të drejtave të njeriut se militantët e PDIU në Fier po kontaktonin votuesit mes komunitetit rom derë më derë, duke i ofruar 10 mijë lekë në shkëmbim të kartave të identitetit, karta që do t’i ktheheshin në afërsi të qendrës së votimit atyre votuesve që premtonin të tregonin një foto të votës së vet. “Në katër për qind të qendrave të votimit të vrojtuara kishte tension dhe kryengritje. Grupet e militantëve partiakë në afërsi të qendrave të votimit u vërejtën, të cilët shpesh u shfaqën duke i instruktuar votuesit se për kë duhet të votonin”, thuhet në raport. Vëzhguesit vërejtën shumë raste, kur militantët partiakë mbanin shënim se kush votoi, duke regjistruar numrat e tyre siç qenë shënuar në listën e votuesve. Ky proces u ndihmua nga komisionerët, të cilët lexonin me zë të lartë numrin e identifikimit të votuesit”, thuhet në raport. Në Delvinë, nënvijëzon raporti, Partia Socialiste ushtroi presion mbi punonjësit publikë të merrnin pjesë në fushatë, si dhe mbajtën shënim emrat e pjesëmarrësve. “Ekziston një shqetësim se në kushtet e institucioneve të politizuara zgjedhjet elektorale të punonjësve të sektorit publik, një segment i shoqërisë vulnerabël ndaj presioneve, mund të ketë pasoja për kushtet e jetesës, si dhe për të ardhmen e punësimit”, vëren raporti. Shqipëria ka aktualisht mbi 166 mijë të punësuar në sektorin publik, të punësuar që shpesh punësohen dhe shkarkohen nga puna për bindje politike apo që janë vazhdimisht nën presion për të votuar partinë që i siguron vendin e punës.
Raporti i Misionit nxjerr në pah probleme në administrimin e zgjedhjeve, si dhe probleme në zbatimin e ligjit. Disa prej problemeve kryesore sipas misionit janë: “politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet”, “akuzat për blerje votash” dhe “presioni ndaj zgjedhësve”. Raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e së dielës, publikuar së fundmi, flet për presion mbi votuesit e punësuar në shtet dhe privat, votim për persona të tjerë dhe firma të ngjashme në 5% të vrojtimeve.
Raporti thekson faktin se gjatë fushatës pati “akuza të gjithpërhapura dhe të ndërsjella për blerje votash, shqetësime mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presion në vendin e punës mbi votuesit, rrethana që minuan besimin publik te procesi zgjedhor”. Në lidhje me blerjen e votave, raporti vëren se një aktivist i të drejtave të njeriut se, militantët e PDIU në Fier po kontaktonin votuesit mes komunitetit rom derë më derë duke i ofruar 10 mijë lekë në shkëmbim të kartave të identitetit, karta që do t’i ktheheshin në afërsi të qendrës së votimit atyre votuesve që premtonin të tregonin një foto të votës së vet. “Në katër për qind të qendrave të votimit të vrojtuara kishte tension dhe kryengritje. Grupet e militantëve partiakë në afërsi të qendrave të votimit u vërejtën, të cilët shpesh u shfaqën duke i instruktuar votuesit se për kë duhet të votonin”, thuhet në raport.
Vëzhguesit e OSBE vërejtën shumë raste kur militantët partiakë mbanin shënim se kush votoi duke regjistruar numrat e tyre siç qenë shënuar në listën e votuesve. Ky proces u ndihmua nga komisionerët, të cilët lexonin me zë të lartë numrin e identifikimit të votuesit, thuhet në raport. Regjistrimi i votuesve në ditën e votimit nga makineritë partiake të menaxhimit të zgjedhjeve shërben për të mbajtur bilanc se kush ka votuar e kush jo dhe për të kryer telefonata lutjeje, të cilat në shumë raste mund të kthehen në presion mbi votuesit e pavendosur. Raporti përmend gjithashtu akuzat se, “bashkëshortja e një kandidati të LSI në Gjirokastër përdori fondet për subvencionimet e bujqësisë për të tërhequr vota”, si dhe faktin se kryeministri Edi Rama bëri thirrje gjatë fushatës që policët të bënin aktivitet politik për partinë e tij, pavarësisht se kërkoi falje më vonë. Raporti vëren gjithashtu se një përfaqësues partiak i kishte thënë vëzhguesve se kryebashkiaku i Fierit i ka bërë thirrje kompanive publike e private të pushonin nga puna simpatizantët e Partisë Demokratike. Në Delvinë, nënvijëzon raporti, Partia Socialiste ushtroi presion mbi punonjësit publikë të merrnin pjesë në fushatë, si dhe mbajtën shënim emrat e pjesëmarrësve. “Ekziston një shqetësim se në kushtet e institucioneve të politizuara zgjedhjet elektorale të punonjësve të sektorit publik, një segment i shoqërisë vulnerabël ndaj presioneve, mund të ketë pasoja për kushtet e jetesës, si dhe për të ardhmen e punësimit”, vëren raporti. Shqipëria ka aktualisht mbi 166 mijë të punësuar në sektorin publik, të punësuar që shpesh punësohen dhe shkarkohen nga puna për bindje politike apo që janë vazhdimisht nën presion për të votuar partinë që i siguron vendin e punës. Raporti vlerëson gjithashtu negativisht procesin e numërimit të votave duke vërejtur se numëruesit, të cilët duhet të vendosin votën para një kamere për ta paraqitur në një ekran të madh, nuk e bënë ose nuk e lanë në mënyrë të mjaftueshme sa ajo të lexohej nga kamera, duke e ulur transparencën e procesit të numërimit.

Artikulli paraprakOligarkët shtojnë pasuritë me 170 milionë euro brenda vitit
Artikulli tjetërLazio konfirmon Strakoshën titullar