OBSH: Shqipëria, në mesin e vendeve më të ndotura në botë

Organizana Botërore e Shëndetësisë e rendit Shqipërinë në grupin e vendeve më të ndotura në botë, ndërsa sikur të mos mungonte kjo, qeveria planifikon edhe importin e plehrave. Rreth 18,000 njerëz vdesin çdo ditë nga ndotja e ajrit. Një studim i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë bën të ditur se, në vit kjo shifër llogaritet në 6.5 milionë njerëz ose sa 11.2% e të gjitha vdekjeve në botë. OBT ka krijuar edhe një hartë me zonat më të rrezikuara nga kjo ndotje. Vihet re se Shqipëria është në zonën “portokalli”, duke u vlerësuar si një shkallë e mesme e rrezikut nga ndotja e ajrit. Këtij studimi i bashkëngjiten edhe të dhënat nga Banka Botërore sipas të cilit tregojnë se vdekjet e parakohshme i kushtojnë ekonomisë botërore qindra miliarda dollarë humbje nga tregu i punës. Rreth 92% e popullsisë së botës, ku përfshihet edhe Shqipëria jeton në një mjedis me ajër të ndotur. Ndotja e ajrit është një nga katër shkaqet që rrezikojnë jetën e njeriut, pas tensionit, rrezikut nga dietat dhe duhanpirja. Shqipëria renditet në vendin e 65-të për nga indeksi i ndotjes me 77.9 pikë.
Për sa i përket Shqipërisë duke iu përmbajtur statistikave të raportit të OBSH-së, Shqipëria është ndër 15 vendet e para ndër vendet e anketuara, me numrin më të lartë të vdekjeve nga sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit të ambientit për 100 mijë banorë. Ataku i zemrës për shkak të ndotjes së ajrit ka shkaktuar edhe vdekjet më të mëdha në Shqipëri: 780. Në total në Shqipëri ka pasur 1,842 vdekje për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Për këtë statistikë renditemi në vendin e 3-të ndër vendet e Ballkanit Perëndimor të anketuara. Ndërkaq, edhe faqja e sondazhe të perceptimit, “Numbeo”, e rendit Shqipërinë ndër vendet me ajrin më të ndotur në rajon.
Sipas sondazheve të mbledhura këto 3 vitet e fundit, “Numbeo” e rendit në vendin e të dytë të perceptuar me ajrin më të ndotur në rajon. Ndërkaq për Shqipërinë ka pakënaqësinë më të madhe në rajon për sa i përket trajtimit të mbetjeve. Gjithashtu vendi ynë perceptohet si vendi me ndotjen më të madhe të ujit të pijshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe i dyti në Ballkanin Perëndimor për papastërti.
Pas kryeqytetit maqedonas Shkupi dhe kryeqytetit boshnjak Sarajeva, kryeqyteti shqiptar Tirana, sipas “Numbeo”-s, perceptohet si një ndër kryeqytetet me ajrin më të ndotur në rajon. Gjithashtu sondazhi e ka vlerësuar ndotjen e ajrit të Tiranës si të lartë. Po kështu, Tirana është kryeqyteti i dytë në rajon, pas atij maqedonas të Shkupit, me vlerësimin më të keq si për trajtimin e mbetjeve ashtu edhe për papastërtinë. Ndërkaq, sipas “Numbeo”-s, për Tiranën të anketuarit kanë shprehur nivelin më të lartë të pakënaqësisë për sa i përket gjelbërimit dhe parqeve në këtë qytet.

Artikulli paraprakStrategjia e qeverisë për Brexit: “Duke parë, duke bërë”
Artikulli tjetërOKB: Trafikantët 1.5 miliardë USD fitime nga droga më 2016