Nuk është vetëm faji i kolesterolit

Gjithçka ka filluar në vitin 2014, me një kontroll rutinë. Isha 44 vjeç dhe ndjehesha mjaft në formë. Kisha marrë pjesë në një seri garash triatloni me distanca olimpike. Bëja ushtrime fizike çdo ditë, luaja futboll, vrapoja dhe shëtisja me biçikletë. Më duhet ta pranoj se treguesi im i masës trupore tentonte gjithmonë drejt mbipeshës, por gjëja nuk më preokuponte aspak. Jam njeriu tipik me kockën e rëndë. Problemi ka filluar kur një infermiere më ka bërë një analizë gjaku për matjen e nivelit të kolesterolit dhe më ka thënë që të kthehem një herë tjetër. “Më duket se aparati nuk funksionon”, është justifikuar. “Nuk më ka dhënë kurrë një rezultat kaq të lartë”. Nuk ishte i prishur. Analizat e mëpasme kanë konfirmuar se vlera ime e kolesterolit ishte sa dyfishi i një njeriu të shëndoshë. Ka mundësi, më ka thënë mjeku, është çështje gjenetike. Ndryshimi i dietës dhe i stilit të jetesës nuk do të shërbente. Zgjidhja e vetme ishte që të merrja statinat. Kështu kam hyrë në klub. Gjatë 30 viteve të fundit këto ilaçe, që mundësojnë të reduktohet niveli i kolesterolit, janë bërë ndër më të shiturit në botë dhe nuk është për t’u habitur, po të kesh parasysh se sëmundjet kardiovaskulare janë midis shkaqeve kryesore të vdekjes. Linjat drejtuese zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar thonë se një njeri me nivele normale kolesteroli duhet të marrë statina nëse ka më shumë se 10% probabilitet që të ketë një infarkt apo një iktus në harkun e 10 viteve. Në Shtetet e Bashkuara pragu është në 7.5%.
Pavarësisht, kësaj, isha pak i vetëdijshëm për faktin që ekzistojnë mendime të kundërta për statinat, por edhe për faktin që kolesteroli është vërtet i dëmshëm për zemrën. Kështu, duke parë se në lojë ishte shëndeti im, kam vendosur të kërkoj një përgjigje më të qartë. Në rajonet më të pasura të botës, sëmundjet kardiake dhe iktuset shkaktojnë 25% të vdekjeve. Në këtë kontribuojnë faktorë të ndryshëm, por në përgjithësi mendohet se kolesteroli është një prej përgjegjësve kryesorë. Kolesteroli, një biomolekulë yndyre e sintetizuar sidomos nga mëlçia, formon paretet e qelizave dhe mbulesat mielenike që mbrojnë neuronet e trurit. Ka rol në procese biologjike që shkojnë nga sinjalizimi qelizor tek prodhimi i vitaminës D, si edhe mund të kontribuojë në luftimin e infeksioneve. Por dyshohet prej kohësh se ka një anë të errët. Më 1913, patologu rus, Nikolaj Aniçkov demonstroi se tek lepujt e ushqyer me kolesterol të pastër të nxjerrë nga e verdha e vezës niveli i kolesterolit në gjak rritej. Qysh atëherë dimë se një tepri e kolesterolit, e transportuar në gjak nga lipoproteinat, mund të ngjitet në paretet e arterieve, duke reduktuar rrjedhjen e gjakut, duke e bërë më të mundur formimin e koagulave dhe duke shkaktuar të ashtuquajturën arteriosklerozë.

Zbulimet e para
Lidhja midis kolesterolit dhe sëmundjeve kardiake është njohur gjerësisht më 1984, kur u botua një kërkim i Lipid Research Clinics Coronary Primary Prevention Trial. Autorët e studimit kishin ndjekur rreth 3800 burra në moshë të mesme dhe kishin demonstruar se një nivel më i ulët i kolesterolit të “keq”, me dendësi të ulët lipoproteine, ishte i lidhur me një rrezik më të ulët infarkti, pak a shumë fatal dhe me një nevojë më të ulët të ndërhyrjeve të by pass. Në këtë pikë kanë hyrë në skenë statinat. Këto ilaçe nxisin prodhimin e një enzime themelore për akumulimin e kolesterolit në mëlçi. Në Shtetet e Bashkuara produkti i parë me bazë statine është miratuar më 1987 dhe në dekadën e mëpasme janë komercializuar shumë të tjerë. Teste të ndryshme klinike kanë demonstruar se statinat e reduktonin ndodhjen e infarkteve dhe të iktuseve në njerëzit me nivel të lartë kolesteroli apo në ato që gjithsesi qenë në rrezik sepse pinin duhan, nuk bënin ushtrime fizike apo qenë mbipeshë. Studime të mëtejshme kanë demonstruar se përfitimet e statinave zgjerohen edhe tek personat që kanë rreziqe më të vogla. Studimi Jupiter, i botuar më 2008, ka analizuar efektet e marrjes së rosuvastatinës në 17800 subjekte pa simptoma të mëparshme shqetësimesh kardiake. Qenë njerëz me një nivel kolesteroli më të ulët se ai i marrë në konsideratë për trajtimin me statinat, por një nivel më i lartë i një bioshënuesi të njohur për korelacionin e tij me një rrezik më të madh problemesh kardiake në të ardhmen. Në harkun e 5 viteve, ndodhja e infarkteve midis njerëzve që merrnin statina ishte më shumë se përgjysmuar. Më 2013 këto rezultate e kanë shtyrë American Heart Association që t’i azhurnojnë udhëzuesit e saj lidhur me marrjen e statinave.
Në Mbretërinë e Bashkuar, National Institute for Health and Care Excellence (NICE) ka marrë të njëjtin vendim më 2014. Kur në spital mjeku im më ka këshilluar që të marr çdo ditë një “dozë minimale” prej 20 miligramësh atorvastatinë për të ulur nivelin tim të kolesterolit dhe parandaluar problemet e ardhshme kardiake, po ndiqte vetëm një orientim të përgjithshëm. Por qysh nga fillimi studime si Jupiter kanë shkaktuar polemika. Sa për të filluar, nëse është e vërtetë se midis vullnetarëve të marrë në konsideratë infarktet janë përgjysmuar, duhet pasur parasysh edhe se shpeshtësia absolute e infarkteve midis popullsisë së studiuar ka qenë gjithsesi e ulët. Vetëm 99 persona nga 17800 kanë pasur një infarkt vdekjeprurës gjatë periudhës në të cilën është zhvilluar studimi dhe 31 prej tyre merrnin statina. Kjo do të thotë se më pak se 05% e personave të trajtuar me rosuvastatinë ka përfituar dhe kjo hedh një dritë ndryshe lidhur me efikasitetin e ilaçit. Kërkime të tjera ngrinin dyshime të ngjashme. Për shembull, siç nënvizonte një editorial i Annals of Internal Medicine të vitit 2014, dy meta – analiza të studimeve të kryera midis 2012 dhe 2013 kanë arritur në konkluzione të kundërta lidhur me efikasitetin e statinave, edhe pse nivelet e vdekshmërisë që kishin hasur ndryshonin me më pak së gjysmë pike përqindjeje.
Një metër matës alternativ i efikasitetit të ilaçit është i ashtuquajturi NNT (Number Needed to Treat), numri i njerëzve që i duhet nënshtruar terapisë për një periudhë të caktuar kohore që të nxjerrë përfitim. Uebsajti nnt.com, i menaxhuar nga një konsorcium mjekësh dhe hulumtuesish që synon të fusë në të dhënat e kërkimeve perspektivën e pacientëve, sugjeron që subjektet tashmë të prekura nga shqetësime kardiake kanë një përfitim të dukshëm nga marrja e statinave: në harkun e 5 viteve, i shpëtojnë jetën 1 njeriu në 83 (1.2%). Por për njerëzit që kanë sëmundje kardiake të sqaruara nuk është e mundur të bëhet një pohim kaq i pastër. Një tjetër meta – analizë e kryer më 2013 nga ekipi i John Abramson të Harvard University ka zbuluar se, “për të penguar një infarkt koronar apo një iktus është e nevojshme të trajtohen me statina 140 njerëz me rrezik të ulët për 5 vjet”. Dhe jo vetëm: në këtë periudhë Abramson nuk ka hasur asnjë reduktim të koeficentit të vdekshmërisë së përgjithshme për çfarëdolloj shkaku. Sipas studiuesit, këto shifra tregojnë se nuk është e nevojshme të jepen statina dorëlëshuar. “Mjekët duhet t’i diskutojnë këto të dhëna me pacientët e tyre”, shton Abramson. “Pse t’ua imponosh vendimin kur në rastin më të mirë është një çështje gjykimi personal?”. Të tjerë nuk janë dakord. Si Rory Collins, drejtor i Cholesterol Treatment Trialists (CTT) Collaboration në Oxford, që ka akses në databazën më të madhe të studimeve lidhur me statinat. Collins nënvizon se në shkallë të gjerë edhe një numër i ulët NNT-je është ekuivalent me qindra mijëra njerëz të shpëtuar nga infarkti. Ia vlen gjithsesi barra qiranë, edhe pse nuk arrijnë të jetojnë më gjatë. “Në qoftë se njihni ndonjë që ka pasur ndonjë infarkt apo iktus jo fatal, dijeni se kjo gjë ua ka ndryshuar krejtësisht jetën si nga pikëpamja fizike, ashtu edhe psikologjike”, thotë ai. “Është absurde të thuash se gjëja e vetme për t’u konsideruar është vdekja nga infarkti”.
Në momentin e diagnozës isha në formë të shkëlqyer, por maturia nuk është asnjëherë e tepërt. Kështu, duke ndjekur këshillën e mjekut, kam nisur të marr një tabletë statine në ditë. Në fillim gjithçka ka shkuar mirë. Kam marrë pjesë deri në një garë tjetër triatloni, por një vit më pas ndjeja lodhje kur stërvitesha. Në fushën e futbollit isha i ngathët. Nëse një ditë stërvitesha më shumë – të themi për 2 orë – përfundoja në mbrëmje duke u rrotulluar në divan me muskujt që më thimbin sikur të kisha grip. Dhembja muskulore – ose mialxhia – është efekt kolateral i statinave i përmendur më shpesh. Nuk më është dashur të shkoj shumë larg për të gjetur dikë që vuante prej saj: edhe ime më merrte statina për të ulur nivelin e kolesterolit. “Herë pas here e ndërpres kurën”, më ka thënë ajo. “Nuk e duroj të jem gjithmonë kaq e dobët dhe në dhembje. Më bëjnë të ndjehem 10 vite më të plakur”. Sipas një analize të botuar në shtator të 2016 nga Liam Smeeth i London School of Hygiene and Tropical Medicine mbi bazën e testeve klinike të kryera nga Collins, terapia me bazë statine shkakton dhembje muskulore në “rreth 50–100 pacientë nga 10000 të trajtuar për 5 vjet”, më pak se 1%. Por në studime të tjera pacientët me dhembje qenë shumë më tepër – një e katërta apo një e treta e totalit – dhe në një studim të kryer në Paris 87% e pjesëmarrësve ankohej për dhembje.

Objektivi i gabuar?
Qeniet njerëzore janë të sugjestionueshëm dhe mund të ndodhë që, nëse dikush flet për dhembje muskulore të shkaktuara nga statinat, edhe njerëz të tjerë fillojnë e i ndjejnë. Por disa hulumtues theksojnë se, për shkak të një projektimi të gabuar të studimeve, njerëzit që vuajnë nga efekte kolaterale tentojnë që të tërhiqen përpara fillimit të testit të parë zyrtar. Smeeth po kryen një studim tjetër lidhur me dhembjet muskulore, pasi thekson se deri më tani nuk kanë ndonjëherë prioritet. “Kemi kryer testime në mbi 100000 njerëz, por qenë të preokupuar sidomos nëse njerëzit vdisnin për shkak të ndonjë infarkti apo iktusi. Dhembjet muskulore dhe lodhja nuk kanë qenë objekt i një matjeje të duhur”, thekson ai. Frika se mos statinat mund të shkaktojnë diabetin është më pak konkret. Sipas Food and Drugs Administration (FDA) amerikane, “përdorimi i statinave mund të sjellë një rrezik paksa më të madh të rritjes së nivelit të sheqernave në gjak dhe të diabetit të Tipit 2”. Por Richard Lehman nga Cochrane, një OJF që analizon të dhënat e disponueshme mjekësore, beson se këto të dhëna varen nga mënyra sesi përkufizojmë diabetin. Edhe pse statinat shkaktojnë një rritje të lehtë të nivelit në gjak, është e pamundur që të shkaktojnë llojin e dëmeve të lidhura me një diabet të rëndë dhe afatgjatë. Nga kjo pikëpamje, thotë Lehman, efektet e dëmshme të statinave janë “në përgjithësi minimale dhe të kthyeshme”. Shpresoj që të ketë të drejtë. Pas dy vitesh statinash kisha pushuar së shkuari në palestër. Kisha hequr dorë nga të vrapuarit dhe shkova të notoja gjithnjë e më pak. Nuk mund ta duroja dhembjen dhe poshtërimin e të qenit kaq i dobët dhe i ngathët. Në fund i kam thënë mjekut tim se duhej të mos merrja më statinat pasi po bëhesha shumë sedentar. Edhe kjo ishte i dëmshme si të kisha kolesterol të lartë apo jo?
Ky mendim pasqyron frikërat e kujt mendon se përqendrimi shumë mbi kolesterolin dhe statinat nuk kontribuon në përmirësimin e shëndetit të zemrës, por mund deri edhe ta përkeqësojë. Përfitimet e dikutueshme të statinave për kë nuk ka probleme kardiake dhe efektet e tyre kolaterale ende jo mirë të studiuara i kanë shtyrë shumë të kërkojnë se të dhënat bruto të studimeve të shqyrtohen më në thellësi. “Nëse shikohen në mënyrë të pavarur të gjitha të dhënat, përfshi rezultatet e testeve klinike, zbulohen gjëra që deri më tani nuk i dinim”, thotë Fiona Godlee, drejtore e British Medical Journal. Godlee i ka bërë një apel qeverisë për t’i kërkuar një analizë të pavarur të të dhënave, duke shkaktuar një luftë të vogël me Collins. Ai dhe ekipi i tij i CTT-së kanë akses në pothuajse të gjitha të dhënat, por këto të dhëna nuk janë pronësi e tij dhe Collins thekson se për shkak të numrit të kompanive farmaceutike, organizata bamirësie dhe ente publike të përfshira është e pamundur të sigurohen premisat e nevojshme për t’i bërë publike. “British Medical Journal po më akuzon në mënyrë false se kam të gjitha të dhënat mbi efektet e dëmshme kolaterale dhe se nuk i bëj të disponueshme”, pohon ai.
Disa rezultate të reja duket se e rrisin konkluzionin. Më 2016, Judith Finegold nga Imperial College i Londrës ka zbatuar një model për të dhënat e disponueshme; ka zbuluar se mosha mesatare e një 50-vjeçari që nuk pi duhan, nuk vuan nga diabeti dhe ka një nivel kolesteroli dhe tensioni gjaku në normë mund të rritet mesatarisht me 7 muaj falë terapisë parandaluese me statinat. Por kjo mesatare është e rreme. Sipas Finegold nuk mban parasysh faktin që 7 njerëz në 100 do të fitonin mesatarisht 99 muaj (më shumë se 8 vite) jetë, por për 93 të tjerët nuk do të ketë kurrfarë avantazhi. Në qershor të 2016, NICE e ka konfirmuar këtë rezultat, duke u shprehur qartë se pacientët që marrin statina marrin pjesë në një lloj lotarie. Ka mundësi që këto ilaçe shpëtojnë jetën e dikujt, por nuk mund ta dimë se të kujt, thotë Smeeth. “Dhe nuk do ta dimë kurrë, pasi ata që përfitojnë nuk do të kenë kurrë më infarkt”. Duhet vetëm të shpresojmë të jem një prej këtyre fatlumëve. Kam luajtur loto kombëtare vetëm tri herë dhe në asnjë prej këtyre rasteve nuk kam pasur ndjesinë se do të kap gjë. Por një herë kam fituar 5000 paund. Është e qartë se jam me fakt, por edhe nëse njerëzve, të cilëve u është diagnostikuar një sëmundje kardiake duhet të vazhdojnë t’i marrin ato tableta, nuk është e thënë se pjesa tjetër e jona duhet ta bëjë. Ndoshta do të rifilloj t’i pi kur do të jem sërish në formë dhe do të provoj një ilaç të ndryshëm, por sigurisht që nuk do ta konsideroj si dhuratë nga Zoti, ashtu siç bëja më parë.
(Michael Brooks për New Scientist)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakVeseli tregon sekretet e “mësuesit”
Artikulli tjetërNga Britania e Madhe tek Anglia e Vogël