Nga Britania e Madhe tek Anglia e Vogël

Michael O’Sullivan

Kryeministrja britanike, Theresa May, u përtyp shumë herë përpara se t’i bënte thirrje nenit 50 të Traktatit të Lisbonës dhe të niste procedurat e daljes së Britanisë nga Bashikimi Europian. Sipas saj, Brexit do të transformojë Mbretërinë e Bashkuar duke e kthyer atë në “Britaninë globale”. Por ajo që fshihet në të ardhmen nuk dihet nga askush. Mbretëria e Bashkuar prej kohësh jeton pa perandorinë e saj dhe tani do të jetojë pa Bashkimin Europian gjithashtu.
Singapori, Zvicra dhe Norvegjia përmenden shpesh si modele për të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar teksa do të fillojë të ndjekë politikat tregtare jashtë Bashkimit Europian. Kjo është një situatë mjaft ironike pasi të tre shtetet në fjalë nuk janë aspak dakord me bindjen e Britanisë së Madhe dhe rëndësinë që ajo i jep vetes në çështjet botërore.
Eksperienca e shteteve të vogla duhet të shihet si mësim nga Britania e Madhe. Nëse shohim Zelandën e Re apo Singaporin, do të ishte naive të mendohej se arritja e marrëveshjeve të reja të tregtisë së lirë me tregje të mëdha si Kina dhe India. Periudha e negocimit për marrëveshjet FTA është e gjatë edhe në kushte të favorshme dhe sot ka një re proteksioniste mbi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.
Situata tregon se edhe ekonomitë e vogla që e njohin mirë angazhimin global janë pesimiste përballë Brexit, politikanët ekonomikë që nga Holanda tek Zelanda e Re dhe Singapori e kuptojnë se integrimi rajonal ka rëndësi të madhe dhe se Brexit do të ketë efekte të mëdha negative. Vendet e vogla në periferi të BE-së si Norvegjia dhe Zvicra e kanë kuptuar se të përfitosh nga Bashkimi Europian kërkon kufizimin e politikëbërjes së pavarur të brendshme. Duke pasur parasysh eksperiencën e këtyre vendeve, britanikët duhet t’i ulin pritshmëritë e tyre për sasinë e kontrollit që do t’u rikthehet në dorë pas daljes nga bashkimi.
Qeveria e May ka bërë disa deklarata që sinjalizojnë se cilat lloje politikash do të ndjekë vendi pas Brexit. Kancelari Phillip Hammond për shembull, ka folur për taksa të ulëta, model të lehtë rregullash, por ky model i suksesshëm për qytet-shtetet e vogla si Singapori, Hong Kongu apo Dubai nuk garanton sukses për një ekonomi të G20-ës. Ndërkohë, May ka sugjeruar se Britania do t’i rikthehet politikës industriale, edhe pse është e paqartë se çfarë do të thotë me këtë.
Mbretëria e Bashkuar ka një nivel të lartë autonomie për të formuar strategjinë e saj ekonomike, por Brexit do ta detyrojë me siguri të ndërtojë një axhendë gjithëpërfshirëse që thekson qartë prioritetet e vendit. Teksa bën këtë, vendi duhet të mësojë nga historia e suksesit të ekonomive të vogla.
Si fillim, vendet e vogla investojnë shumë në njohuri dhe kapitalin njerëzor në të gjithë nivelet, që nga edukimi i detyruar fillor e deri tek ai universitar apo programet e mësimit dhe trajnimit gjatë gjithë jetës profesionale. Këto investime i mundësojnë njerëzit të përfitojnë nga mundësitë që ofron globalizimi për të rritur produktivitetin dhe pagat.
Së dyti, vendet e vogla kanë politika të rritjes të krijuar specifikisht për të nxitur konkurrencën në ekonominë globale. Këto masa mund të kenë forma të ndryshme, që nga investimet në infrastrukturë të cilësisë së lartë tek kapitali njerëzor, e deri tek politikat sektoriale që ndihmojnë industritë. Por të gjitha politikat janë krijuar për të forcuar pozicionin e vendit në frontin e produktivitetit brenda hallkave të ekonomisë ndërkombëtare.
Së treti, për shkak se vendet e vogla janë tepër të ndjeshme nga tronditjet e jashtme, ato kanë ngritur një sërë masash për të menaxhuar riskun ekonomik dhe për të garantuar mbijetesën, këtu përfshihen sigurimet e zhvilluara sociale, tregje pune fleksibël, politika aktive të tregut të punës dhe hapësirë fiskale për të stimuluar ekonominë.
Negociatat e ardhshme të Brexit do të imponojnë sfida të mëdha për Britaninë e Madhe, por përtej menaxhimit të këtyre bisedimeve, Britania duhet të zhvillojë edhe politika që të mundësojnë lundrimin e vendit në një mjedis më të vështirë të ekonomisë ndërkombëtare. Kjo do të kërkojë që vendi t’i bëjë gjërat ndryshe nga sa është mësuar t’i bëjë gjatë dekadave të fundit.
Në fakt, vetë mbijetesa e Britanisë varet nga kjo. Brexit dhe paaftësia e politikanëve për të zhvilluar strategji koherente dhe të fortë ekonomike ka nxitur lëvizjen për pavarësi të Skocisë. Shumë janë të bindur se modeli i ekonomisë së vogël do të funksiononte shumë mirë për Skocinë. Është e vërtetë se do të kishte shumë sfida të mëdha ekonomike që duhet të adresonte dhe mund të ketë nevojën e një njësie më të madhe ekonomike, por nuk është e qartë nëse Britania mund t’ja ofrojë këtë siguri, veçanërisht gjatë rrugës së daljes nga tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor i BE-së.
Pavarësia mund ta lejojë Skocinë që të zhvillojë politika në përputhje me ekonomitë e tjera të vogla të suksesshme – jo duke kërkuar të qëndrojë brenda Bashkimit Europian. Teksa Skocia përballet me sfidat e Brexit, do të ketë mundësinë të zhvillojë edhe politikat që i shkojnë më për shtat.
Britania zgjodhi të largohet nga Bashkimi Europian sepse kishte një vizion tjetër të së ardhmes, por së shpejti do të duhet të ndjekë modelin e vendeve të vogla si Zvicra dhe Norvegjia. 40 vite pasi është distancuar nga Zelanda e Re për t’u bashkuar me Komunitetin Europian Ekonomik, Britania e Madhe mund të ketë së shpejti më pak akses në tregun europian se Zelanda e Re. Udhëtimi nga Britania e Madhe drejt Anglisë së Vogël sapo ka filluar.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakNuk është vetëm faji i kolesterolit
Artikulli tjetërRënia e demokracisë “Obama”