Një nëndetëse ushtarake turke, katë ditë në portin e Durrësit

Një nëndetëse ushtarake turke e klasit 209, “Yerboj”, prodhim modern ushtarak turk i vitit 2008, e komanduar nga Kapiteni i Rangut të dytë Ersoj Akca, ka hyrë mëngjesin e të premtes në portin e Durrësit, dhe është bregëzuar në kalatën nr.5 të këtij porti. Nëndetësja është pritur në det të hapur dhe është shoqëruar për në port nga motovedetat 01 dhe 118 të Flotës Shqiptare të Kepit të Palit.
Vizita e saj 4-ditore në vendin tonë bëhet në kuadrin e forcimit të marrëdhënieve mes flotave ushtarake detare të dy vendeve tona dhe operacioneve të NATO-s. Nëndetesja është e gjatë rreth 62 m dhe ka një tonazh të përgjithshëm 1456 tonë. Është e pajisur me 8 silurë të dukshëm, si dhe të tjera pajisje ushtarake, numri i të cilave nuk publikohet për arsye ushtarake.
Ajo është e angazhuar në mbrojtje të sigurisë kombëtare turke dhe në kuadrin e veprimtarisë së forcave të NATO-s në mbështetje të paqes dhe sigurisë Botërore. Nëndetësja, prodhim turk i vitit 2008, ka një ekuipazh prej 45 ushtarakësh të rangjeve të ndryshme. Pas hyrjes në port, Komanda e nëndetëses dhe oficerë të ekuipazhit janë pritur në takime të veçanta nga Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe më pas nga Prefekti i Qarkut të Durrësit Roland Xhelili.
Gjatë vizitës 4-ditore ekuipazhi do të zhvillojë vizita në qendrat historike të Durrësit, Shkodrës, Krujës si dhe kanë në program organizimin e një ndeshjeje futbolli me skuadrën e Fllotës Shqiptare. Nëndetësja ka ardhur në Durrës nga një stërvitje e përbashkët e forcave detare të NATO-s të zhvilluara në rajonin e bregdetit italian. Vizita e saj u menaxhua nga agjencia “Dyrrahsped”, një prej agjencive më serioze që operojnë në portin e Durrësit.

Artikulli paraprakKanë shkatërruar arsimin e lartë, universitetet do të kthehen në shërbim të studentëve
Artikulli tjetërZjarri përfshin pyllin me pisha në Krujë, rrezikohen banesat