Zjarri përfshin pyllin me pisha në Krujë, rrezikohen banesat

Një zjarr masiv ka përfshirë një zonë të pyllëzuar në zonën e Krujës. Fillimisht, zjarri ka rënë në një pyll me pisha dhe shqopa, mbi 20 metra të lartë, në fshatin Halil, e më pas është përhapur me tej për shkak të erës. Flakët e zjarrit tashmë janë përhapur në një sipërfaqe prej 8 hektarësh. Banorët e zonës shprehen të shqetësuar, sepse zjarri u është afruar banesave të tyre.
Një sipërfaqe e konsiderueshme është përfshirë nga flakët në zonën e njohur si kodrat e Krastës në Krujë. Forcat e zjarrfikëses janë nisur për në vendngjarje, por e kanë të pamundur që të ndërhyjnë me automjete në këtë zonë për shkak të mungesës së rrugës. Zjarri, i ndihmuar edhe nga era, po përhapet me shpejtësi, duke iu afruar shtëpive të banuara në lagjen “Boje” të Krujës.
Forcat e Armatosura i janë përgjigjur kërkesës së Emergjencave Civile, duke angazhuar rreth 40 trupa të batalionit të dytë të këmbësorisë për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë një masiv pyjor në fshatin Krastë në Krujë. Në këtë zonë është e pamundur që forcat zjarrfikëse të ndërhyjnë me automjete për shkak të terrenit të vështirë, ku është e pamundur ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse. Deri më tani efektivët e Forcave të Armatosura kanë bërë të mundur eliminimin e disa vatrave dhe vijojnë angazhimin për shuarjen e disa vatrave të tjera të zjarrit, i cili favorizohet edhe nga era.

Artikulli paraprakNjë nëndetëse ushtarake turke, katë ditë në portin e Durrësit
Artikulli tjetërDhunohet mjeku në spital nga prindërit e një fëmije