Kanë shkatërruar arsimin e lartë, universitetet do të kthehen në shërbim të studentëve

Paraditen e 42-të, në sheshin e lirisë, kreu demokrat Lulzim Basha, pedagogë dhe qytetarë, bashkëbiseduan lidhur me sistemin arsimor universitar në vend. 70 pedagogë të degëve të ndryshme të universitetit publik u bashkuan për të çjerrë maskën e premtimeve të pambajtura të Kryeministrit Rama. Enriketa Papa, pedagoge në Fakultetin e Historisë, tha se ligji i arsimit të lartë është cungim i lirive, pavarësisë dhe fjalës së lirë të universiteteve. Papa tha se sidomos pedagogët dhe intelektualët nuk duhet t’i binden autoritarizmit. Orinda Malltezi beson se ligji i arsimit të lartë duhet zhbërë i gjithi, pasi është ndërtuar duke mbrojtur jo interesat e studentëve dhe pedagogëve, por ato të klientëve të kryeministrit dhe ministres së Arsimit Nikolla. Çlirim Gjata argumentoi nga pikëpamja e juristit se problem madhor është edhe mungesa e mbështetjes ligjore. Kjo, sipas tij, shkakton frikë tek njerëzit, të cilët nuk ndihen të lirë të shprehin mendimin e tyre sa kohë mund t’i rrezikojë vendin e punës. Duhet një status ligjor ku intelektualët të jenë të lirë, të mos shkarkohen njerëzit nga puna vetëm sepse kanë kundërshtuar diçka, tha Gjata. Në anën tjetër, pedagogët denoncuan farsën e rritjes së rrogave të premtuara nga Edi Rama. Zamira Sina deklaroi se kryeministri, jo vetëm nuk i rriti me 20% deri në 25% rrogat e pedagogëve, ashtu si edhe u kishte premtuar, por tani u ka ngritur ngarkesën. Duke përdorur një formulë të re në mënyrën se si paguhen pedagogët për orët e punës, Kryeministri i ka ulur pedagogëve normën e orëve të mësimit dhe koeficentin që përllogariste shpërblimin për to. Sot, tha Sina, ne duhet të punojmë më shumë, që të marrim më pak. Problem tjetër i shtruar nga pedagogët është edhe mungesa e financimit për kërkimin shkencor në universitete. Ky shqetësim është ngritur edhe më parë nga studentë të universiteteve publike, po nga sheshi i lirisë, ku dje ngritën zërin pedagogët. Enriketa Papa tha se universitetet nuk kanë as kushtet minimale për kërkime shkencore. Zamira Sina theksoi se kërkimi shkencor në Shqipëri nuk paguhet duke treguar se mendja e shkencëtarëve për këtë qeveri ka vlerën zero. Mirela Tabaku tha se pedagogët shqiptarë, të cilët shkruajnë artikuj për revista prestigjioze që i kontaktojnë edhe nga jashtë, nuk kanë asnjë kusht apo shpërblim për ta bërë këtë në vendin e tyre.

Artikulli paraprakKandidatët e Vettingut, Bylykbashi: Çdo veprim është antikushtetues
Artikulli tjetërNjë nëndetëse ushtarake turke, katë ditë në portin e Durrësit