Një javë pas zjarrit në Bibliotekën Kombëtare, asnjë bilanc për librat e djegur

Kur ka kaluar një javë nga incidenti në Bibliotekën Kombëtare, ekspertët zjarrfikës kanë dorëzuar një kërkesë për kryerjen e një akti ekspertimi, për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit në seksionin ku ndodhet fondi i librave të rrallë dhe një pjesë e fondit të revistave dhe gazetave. Burimet thanë se, nga këqyrja paraprake nga ekspertët kriminalistë është vënë re se, një abazhur ka qenë mjaft afër me disa prej librave dhe objekteve çka dyshohet se mund të ketë provokuar zjarrin.
Nga këqyrja e kryer është vërejtur dëmtim i një grupi gazetash dhe revistash, pa prekur fondin i librave të rrallë. Në pritje të përfundimit të hetimeve, Biblioteka Kombëtare vazhdon të qëndrojë e mbyllur. Në njoftimin e vendosur në derën kryesore, shkruhet se deri në datën 26, në shtëpinë e librit askush nuk mund të marrë apo të kthejë libra apo të shfrytëzojë sallat për lexim e studim.
Të dhënat e fundit zyrtare të shpërndara nga Biblioteka Kombëtare janë të datës 16 mars, ku thuhet se janë dëmtuar 3 rafte, me libra të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj të përkthyer. Pas katër ditësh ky institucion ende nuk jep asnjë informacion për numrin e librave dhe titujve të djegur apo dëmet të tjera të mundshme të shkaktuara nga përdorimi i ujit për shuarjen e zjarrit në katin e tretë të nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare.
Ndërkohë, dyshohet se zjarri në bibliotekë ka qenë i qëllimshëm për të zhdukur gjurmët e vjedhjeve të librave me vlerë historike si dhe disa dokumentave të rralla. Bëhet e ditur se, drejtuesit e Bibliotekës dhe të Ministrisë së Kulturës po ushtrojnë terror, duke mos lejuar mediat të futen në katin e tretë të nëndheshëm ku ra zjarri për të mos zbuluar skandalin e zhdukjes së librave me vlerë të rrallë historike. Krahas librave me vlerë, dyshohet se janë vjedhur edhe kodikë të shekullit XVI-XVII.
Ndonëse ka kaluar një javë nga zjarri në Bibliotekën Kombëtare, ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi sasinë e librave të djegur, apo rëndësinë e tyre, ndërsa burimet nga Biblioteka kanë bërë të ditur se janë djegur libra të rëndësishëm.

Artikulli paraprakRritet frikshëm numri i aksidenteve në Gjirokastër
Artikulli tjetërVrasja për drogën në Devoll, “Dajo” u ngriti pritë për 12 mijë euro