Vrasja për drogën në Devoll, “Dajo” u ngriti pritë për 12 mijë euro

Vrasja e shtetasit Zarif Alliu në fshatin Braçanj të zonës së Devollit, ka ndodhur për shkak se viktima nuk kishte paguar tarifën e transportit të drogës nga Shqipëria në Greqi. Prokuroria e Korçës, zbardh detaje të ngjarjes së rëndë kriminale, ku si pasojë e dhunës së rëndë fizike, gjeti vdekjen disa orë më pas shtetasi Zarif Alliu dhe pësuan dëmtime të rënda shtetasit Mendar Burnazi dhe Daniel Tole. Sipas akuzës, dyshohet se i gjithë sherri me pasojë vdekjen ka ndodhur për shkak se viktima nuk kishte paguar tek të dyshuarit ende të paidentifikuar shumën prej 12 mijë eurove të transportit të një sasie droge nëpërmjet vijës së gjelbërt nga Shqipëria në Greqi.
Në dosjen e Prokurorisë, janë evidentuar pjesë të dëshmive të të dëmtuarve, të cilët kanë përshkruar momentin e rrëmbimit të tyre në rrugën nacionale Korçë-Bilisht dhe më pas janë dërguar pranë varrezave të fshatit Braçanj. Aty, thonë të dëmtuarit, Burnazi dhe Tole, që arritën t’i mbijetonin dhunës, se janë mbajtur për disa orë ku janë rrahur në mënyrë barbare me sende të forta nga një grup personash, mes tyre shtetasi tashmë i arrestuar David Myrte. Kjo dhunë, thonë të dëmtuarit, ka ardhur pasi viktima Alliu dhe i dëmtuari Burnazi, nuk kishin paguar te personi ende i paidentifikuar, por që njihet me nofkën ‘Daja’, pagesën prej 12 mijë eurove të transportit të një sasi droge nga Shqipëria në Greqi.
Në materialin e Prokurorisë së Korçës, nuk saktësohet ende sasia e drogës që është transportuar drejt Greqisë dhe koha e kryerjes së këtij transporti nga autorët e dhunës. Fakte të cilat, thonë burimet nga Prokuroria po punohet për t’i zbardhur, pasi edhe dëshmitë e të dëmtuarve dhe të arrestuarit të vetëm David Myrte janë kontradiktore. Në ditët në vazhdim, nuk përjashtohet mundësia që Prokuroria e Korçës të ngre akuzë edhe ndaj të dëmtuarve të kësaj dhune, të cilët nuk kanë treguar të vërtetën për transportin e një sasie të konsiderueshme droge nga Shqipëria në Greqi.
Ngjarja për të cilën është arrestuar i riu David Myrte dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e datës 18 mars në afërsi të varrezave të fshatit Braçanj të zonës së Devollit, ku si pasojë e dhunës fizike gjeti vdekjen shtetasi Zarif Alliu, ndërsa u plagosën shtetasit Mendar Burnazi dhe Daniel Tole.

Artikulli paraprakNjë javë pas zjarrit në Bibliotekën Kombëtare, asnjë bilanc për librat e djegur
Artikulli tjetërDrogë nga Shqipëria në Gjermani, Antimafia italiane zbulon rrjetin