Një ‘Bojaxhi’ për Fasadat e Rilindjes

Elena QIRICI

Tani që fasadat politike, demagogjike, partiake dhe qeverisëse u hirnosën, Rilindja kërkon “bojaxhinj”, me apo pa stazh politik, e rëndësishme është që fasadave të rrjepura t’u kalohet një bojë dhe monizmit t’i jepen ngjyra pluraliste, mes një multipartizmi, ku parti që u ngjajnë më shumë shoqërive “të miqve”, i atashohen partisë qëndrore.
Dhe për ironi të fatit, proçesit të traumatizuar zgjedhor, monist në thelb të tij, i afrohen “bojaxhinj” dhe “zanatçinj” që sfidojnë demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri, me parrulla dhe citate politike, me pretendimin se vijnë të prirur për të shkërmoqur sistemin, duke i vënë stëngëza dhe paterica, Partisë Socialiste që shkatërroi sistemin qeverisës, jo vetëm në ideologji dhe funksion, por edhe duke cënuar proçesin dhe formën e zgjedhjes për përfaqësim.
Kë sfidon “bojaxhiu”, fasadën e hirnosur, apo veten? Sepse demokracinë dhe pluralizmin nuk mund ta sfidojë kurrsesi një parti politike, që sot përkrah zgjedhje jo legjitime, një farsë elektorale për të instaluar një neo-diktaturë dhe për të përmbushur dhe mbrojtur interesa individuale, me një pseudo petk komunitar, individësh që vijnë që të shbëjnë një sistem dhe të ndërtojnë një tjetër. Por si dhe kë sistem do të ndërtojnë këto parti “sfidante”? Këtë përgjigje nuk mund ta japin “bojaxhinjtë” e rinj dhe “zanatçinjtë” e vjetër partiakë, që janë bërë sot pjesë e një loje të shëmtuar, por mbi të gjitha janë bërë pjesë e një proçesi zgjedhor antikombëtar dhe antishqiptar, antidemokratik dhe antieuropian.
“Partia” është një koncept i rëndësishëm, një nyjë që ndërlidh popullin me administrimin qeverisës, sipas Shkencave Politike dhe veçanërisht sipas Sociologjisë Politike. Sakaq, strukturimi i këtij koncepti ka qenë historikisht shumë herë i paplotë, në shumë raste të shqyrtuara dhe studiuara nga akademikë të shkencave politikë.
Në Shkencat Politike klasike (institucionale) “partia politike” përshkruhet ose me terma të “rregullimit ligjor” (ku partia është një union personash, me një ideologji të përbashkët, që synon marrjen dhe ushtrimin e pushtetit), ose “partia politike” përshkruhet në terma “funksionimi” (ku partia kryen funksionet për harmonizimin e interesave në kuadër të qeverisjes, ngritjes së strukturave shtetërore dhe administrative, si dhe ndërlidhjes së popullit,shoqërisë,komunitetit me shtetin).
Në sa më sipër, ku e gjejnë veten partitë e “Bojaxhinjve” dhe “Zanatçinjve”?
E megjithatë “partia politike” është një koncept shumë më kompleks. Lidhet në mënyrë direkte me teorinë e përfaqësimit dhe të marrëdhënieve social-ideologjike që organizohen në brendësi të vetë strukturës së “partisë politike”. M. Weber e ka përkufizuar në formë edhe më energjike dhe sinergjike, duke e cilësuar “partinë politike” si prodhues të së drejtës së përbashkët elektorale, që shoqëron shtrirjen e demokracisë përfaqësuese dhe të nevojës për të sjellë pranë simpatizantë, anëtarë dhe mbështetës. Për rrjedhojë, “partia politike” është pikë së pari një krijesë politike marrëdhëniesh përfaqësimi. Marrëdhënie që burojnë nga shkaqe historike dhe riprodhohen në kushte rivaliteti social dhe politik.
Në sa më sipër, ku e gjejnë veten partitë e “Bojaxhinjve” dhe “Zanatçinjve”?
Kriza e sotme politike në Shqipëri, nuk është krizë ekzistenciale partish politike që mbartin në vetvete misionin e konsolidimit të demokracisë përfaqësuese. Aspak! Kriza politike sot në Shqipëri është tendencë për të goditur vertebrën e sistemit demokratik pluralist, është revansh për të rrënuar themelet e sistemit elektoral pluralist, mes së cilit shtetasit gëzojnë të drejtën e përzgjedhjes dhe përfaqësimit politik.
Në këtë rrëzik të cënimit të sistemit, ku monopartizmi po bëhet qëllim në vetvete për Partinë Socialiste dhe lidershipin e saj, vijnë dhe shfaqen, aktorë (në dukje politikë), parti hibride pa përkatësi ideologjike, pa platforma dhe strategji, apo krijesa makinacionesh dhe manovrash politike të dirigjuara për të sfiduar demokracinë e vërtetë dhe qytetarët, nën petkun e të ashtuquajturës “së resë” në politikën shqiptare (me kryetarë dhe drejtues të vjetër, por edhe të korruptuar), për të kamufluar para Europës dhe Botës qëllimin e vërtetë, atentatin që duan t’i bëjnë demokracisë përfaqësuese në Republikën tonë Parlamentare.
Fasadat kanë rënë! “Bojaxhinj” dhe “zanatçinj” nuk e bejnë dot monizmin të plurtë në Shqipëri. “Bojaxhinj” dhe “zanatçinj” nuk e mbulojnë dot të zezën e krimit dhe mavinë e errët të korrupsionit, me astarin e partive njëpërdorimshe.
Sfidë sot, është ai akt politik që të bën të tejkalosh veten!

Artikulli paraprakAleati i Ramës, padit Listat: Të paligjshme
Artikulli tjetër“O sa mirë”! Me fy shqiptarë!