Aleati i Ramës, padit Listat: Të paligjshme

Pas Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës, edhe Partia Aleanca Popullore e Artur Dojakas i është drejtuar Kolegjit Zgjedhor për listat e kandidatëve për deputetë. Kjo parti nuk ka bërë kërkesë ç’regjistrimi në KQZ siç është rasti i PAA. Partia Aleanca Popullore e Artur Dojakas është një parti që ka qenë në koalicion me Ramën. Tani nuk është vetëm opozita që e konsideron të paligjshme datën e zgjedhjeve, por edhe partitë e koalicionit qeverisës.
Paraqitja e listës shumëemërore ne KQZ në datë 29 prill 2017 është në tejkalim të afateve të parashikuar nga neni 67 i Kodit Zgjedhor. Momenti i dorëzimit apo paraqitjes së listave shumëemërore është me rëndësi thelbësisht kushtetuese për funksionimin e sistemit zgjedhor. Neni 68 i Kushtetutës, pika 1, përcakton:
“Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumëemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në Komisionin Zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”.
Kushtetuta parashikon një sistem zgjedhor proporcional me lista shumëemërore me rend të fiksuar. Sipas parashikimit të Kushtetutës të nenit 68, renditja fiksohet në momentin e paraqites së listës në komisionin përkatës dhe nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes. Kushtetuta e ka deleguar tek Kodi Zgjedhor përcaktimin e rregullave për regjistrimin e kandidateve, duke përfshirë edhe afatet e regjistrimit.
Është e qartë nga neni kushtetues se, afati që përcakton momentin e paraqitjes së listës në KQZ, është afat thelbësor për funksionimin e sistemit kushtetues zgjedhor. Ky moment fikson edhe renditjen e kandidateve në listë, duke ndikuar drejtpërdrejt në përcaktimin e së drejtës së çdo kandidati për të fituar një mandat.
Kodi Zgjedhor përmban dy lloje afatesh, ato që llogariten nga datat e dekretit të Presidentit të Republikës dhe ato që llogariten nga data e zgjedhësve.
Data e dekretit të Presidentit të Republikës shënon fillimin e periudhës zgjedhore. Ndërsa data e zgjedhësve shënon fundin e zgjedhjeve.
Respektimi i këtyre afateve është thelbësor në garantimin e sigurisë juridike të të gjithë procesit si themel i garantimit të këtyre të drejtave zgjedhore, barazisë midis zgjedhësve si dhe subjekteve zgjedhore garuese.
Në rastin e dorëzimit të listave shumëemërore, afati i dorëzimit lidhet me proçese të rëndësishme siç janë ato të verifikimit të kushteve të caktuara, mospërmbushja e të cilave sjell refuzimin e listave të kanditatëve. Për këtë arsye, afatet fundore të regjistrimit të zgjedhësve dhe subjekteve zgjedhore përfshirë kandidatët janë afate prekluzive. Mosrrespektimi i tyre cenon garantimin e të drejtës për të zgjedhur dhe asaj për t’u zgjedhur.
Në rastin e afateve që llogariten nga data e dekretit të Presidentit, ato janë afate që llogariten, duke ecur përpara, duke llogaritur ditët që vijojnë pas kësaj date. Ndërsa afatet që llogariten nga data e zgjedhjeve, llogaritja bëhet në të kundërt dhe përfshin ditët që i paraprijnë zgjedhjeve.
Pra, bazuar në nenin 125 pika 2 të Kodit Zgjedhor (“Afatet që në këtë pjesë janë përcaktuar me ditë llogariten duke përjashtuar ditën në të cilën lind e drejta e ankimit ose detyrimi administrativ.”) dhe nenit 56, pika 2, të Kodit të Proçedurave Administrative (“Kur afati caktohet në ditë, në llogaritjen e tij përjashtohet dita, kur ka ndodhur ngjarja, nga e cila fillon të ecë afati”). Për rrjedhojë, në rastin në shqyrtim para Kolegjit Zgjedhor, dita e zgjedhjeve (18 Qershor 2017), nuk llogaritet në periudhën e afatit.
Konkretisht, qartazi ligji parashikon përfundimin e afatit për dorëzimin e listave shumëemërore dhe kanditatëve të propozuar nga zgjedhësit “jo më vonë se 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve”. Pra Kodi Zgjedhor, nëpërmjet togfjalëshit “jo më vonë se” kërkon në mënyrë taksative respektimin e afatit 50-ditor. Pra, momenti fundor për dorëzimin e listave është ora 24:00 e ditës që i paraprin fillimit të afatit 50-ditor.
Duke qenë se Kodi Zgjedhor e përcakton afatin e dorëzimit të listave, duke përcaktuar një periudhe 50-ditore pra afatit të përcaktuar me ditë. Kjo periudhë përcaktohet thjeshtë, duke numëruar 50 njësi ditore që i paraprijnë datës 18 qershor 2017. Duke qenë se data 18 qershor 2017 përjashtohet nga ky afat 50-ditor dhe se kjo periudhë llogaritet duke numëruar 50 ditë të plota nga 24 orëshe, dita e parë është data 17 qershor 2017 dhe dita e 50-të është data 29 prill 2017, e cila fillon në ora 00:00. Pra afati i cili përcakton ky segment kohor 50-ditor është pikërisht mbarimi i ditës që i paraprinë ditës së 50-të ose ora 24:00 e datës 28 prill 2017. Prekluziviteti i këtij afati përcaktohet nga rëndësia kushtetuese e momentit të paraqitjes së listës së kandidatëve në KQZ sipas nenit 68 të Kushtetutës.
Zgjatja dhe tejkalimi i afateve ligjore nga ana e KQZ-së në procesin e pranimit të dokumentacionit të listave shumëemërore është shkelje e dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe bën vendimmarrjen e KQZ-së të pavlefshëm. Kjo vendimmarrje ndikon negativisht në proceset zgjedhore të mëvonshme.
Regjistrimi i listës së kandidatëve për deputetë në kundërshtim me procedurë dhe afatet ligjore cenon parimin e barazisë së palëve në procesin zgjedhor, duke patur parasysh subjekte apo individë të tjerë, të cilët nuk regjistrohen, pasi dështojnë të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar në afatin e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor .
Respektimi i dispozitave ligjore për çdo aspekt të procesit zgjedhor, duke filluar me procesin e kandidimit, votimit, nxjerrjes së rezultateve, garanton në tërësinë e tij një proces të rregullt zgjedhor, në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjithëpranuara.
Shkelja e afatit për regjistrimin e listave do të bënte praktikisht të pamundur hartimin përfundimtar të listave të kandidatëve dhe të fletëve të votimit, duke bërë praktikisht të pamundur ushtrimin nga shumica absolute e qytetarëve të së drejtës së tyre për të zgjedhur.
Dispozita të veçanta të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si ato të përcaktuara në nenin 1 dhe 45 të saj, por edhe parimet e sanksionuara në nenin 3 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, garantojnë të drejtën e shtetasve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Por për përfitimin e këtyre të drejtave, Kushtetuta vendos një sërë kriteresh dhe procedurash, të cilat duhen respektuar me qëllim që parashikimet kushtetuese dhe ligjore të mos mbeten thjesht parashikime boshe, por të bëhen efektive. Këto kritere dhe procedura për mënyrën e ushtrimit e së drejtës për t’u zgjedhur, parashikohen nga Kodi Zgjedhor dhe afati është një nga kriteret ligjore më të rëndësishme, pasi standardizon dhe garanton qëndrueshmërinë e procesit zgjedhor dhe barazinë ndërmjet palëve.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u regjistruan si subjekt zgjedhor 46 parti politike. Pranimi i listave shumëemërore jashtë afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor për 15 parti politike, cenon parimin e barazisë, pasi subjekte të tjera të cilat duke mos pasur mundësi për të përgatitur dokumentacionin e listave shumëemërore brenda afatit ligjor, brenda datës 28 prill, nuk i depozituan kërkesat për regjistrimin në KQZ, ndërkohë parti të tjera, të cilat depozituan në datën 29 prill arritën nëpërmjet vendimmarrjes së paligjshme të KQZ-së të regjistrojnë listat shumëemërore të kandidatëve të tyre.

Afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor u shkelën

Më datë 29.05.2017, Partitë e cituara në objektin e kësaj kërkesë padie kanë depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesat për regjistrimin e listave shumëemërore të kandidatëve për deputet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar këto kërkesa, duke vendosur pranimin e tyre si subjekte, të cilat do të jenë në fletën e votimit për zgjedhjet për Kuvend. Plus, Aleanca Popullore është në koalicion me Partinë Socialiste dhe njihet si parti tjetër çame e që nuk ka pranuar pazare për poste dhe vende pune.

Shkelja Ligjore

Neni 67 i Kodit Zgjedhor parashikon se “Partia politike, që është e regjistruar si subjekt zgjedhor për Zgjedhjet në Kuvend, depoziton pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën shumëemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”.
Data për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin është caktuar më 18 qershor 2017 nga Presidenti i Republikes me Dekretin Nr. 9883 datë 05.12.2016.
Në zbatim të nenit 125 të Kodit Zgjedhor dhe nenit 56 të Kodit të Procedurave Administrative, në llogaritjen e afateve perjashtohet data kur lind detyrimi administrativ apo e drejta perkatëse, e cila korrespondon me datën e zgjedhjeve 18 qershor 2017. Afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe konkretisht afati i përcaktuar në nenin 67 të tij është afati prekluziv.
Neni 67 i Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë parashikon shprehimisht afatin për të depozituar listat shumëemërore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe gjithashtu subjekte që kanë të drejtë të depozitojnë ato.
Subjektet që kanë të drejtë të depozitojnë listat shumëemërore duhet detyrimisht të jenë të regjistruar si subjekt zgjedhor, dhe detyrimisht këto subjekte duhet të depozitojnë listat shumëemërore brenda një afati të caktuar, i cili është 50 ditë para datës së zgjedhjeve i llogaritur në ditë kalendarike është data 28 prill 2017.
Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë depozituar listat shumëemërore në datë 29 prill 2017, në tejkalim të afatit të përcaktuar nga neni 67, pika 1 të Kodit Zgjedhor. Data 29 prill është dita e 50-të e afatit 50 ditor, të cilin neni 67 e ka përjashtuar nga mundësia për të depozituar listat shumëemërore.

Në përfundim,

KËRKOJMË
Gjykimin e çëshjes në themel, duke vendosur çregjistrimin e listave shumëemërore të kandidatëve për deputet të partive që kanë depozituar listat në datën 29.04.2017.

Artur DOJAKA

Artikulli paraprak1.5 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Malin e Zi
Artikulli tjetërNjë ‘Bojaxhi’ për Fasadat e Rilindjes