Ekspertët: Rruga e “Arbrit” në Maqedoni, opsion jo i mirë

Ekspertët rekomandojnë që qeveria të ndërtojë me shpejtësi akset rrugore Gostivar–Kërçovë dhe Kërçovë–Ohër për shkak se pikërisht këto rrugë do të mundësojnë lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe shërbimeve, dhe kështu do t’i jepet energji e re ekonomisë. Sipas profesorit Vullnet Palloshi, qeveria duhet të vazhdojë me lidhje infrastrukturore të Maqedonisë me fqinjët e saj, por ajo duhet të ketë akse prioritare rrugore. Palloshi tha derisa Shqipëria e ndërton me shpejtësi autostradën Rruga e “Arbrit” nga ana jonë nuk ka nevojë të bëhet autostradë. Drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov thotë se, kjo pjesë nga pala maqedonase nuk do të jetë autostradë, sepse kjo rrugë në bazë të analizave ekonomikisht është e pa-leverdisshme, sepse gjatë ditës kalojnë më pak se pesë mijë automjete. Por nga Ndërmarrja Publike thanë se, ky aks rrugor rehabilitohet. “Aktualisht rehabilitohet rruga ekzistuese nga Dibra deri në pikën kufitare Bllatë. Në shtator e nënshkruam kontratën, kontraktori është përzgjedhur për rehabilitimin e kësaj rruge”, thanë nga NP “Rrugët shtetërore”. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e konfirmojnë informacionin dhe shtojnë se faza e parë e rehabilitimit ka mbaruar. Tani punohet në rindërtimin e rrugës nga Ura e Boshkut deri në Dibër, pas së cilës vijon faza e tretë, apo kalimi kufitar me Shqipërinë. Aksin e ri rrugor “Rruga e Arbrit” në “Samitin 100” në Shkup, e njoftoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rama disa vite më parë në faqen e tij në facebook shkroi se Projekti i parë, që do të hapë një epokë të re të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës do të jetë Rruga e “Arbrit”. Financimi për këtë rrugë do të mbështetet nga Banka Popullore kineze, dhe projekti i ri do ta shkurtojë udhëtimin nga Tirana drejt kalimit kufitar Bllatë.

ALSAT MK

Artikulli paraprakRritja e akcizës, paketat e cigareve do të kushtojnë më shumë
Artikulli tjetërNga pasuria, tek makinat dhe cigaret, taksat që do paguajmë pas 1 janarit