Neymar do të qëndrojë gjatë te PSG

Trajneri i PSG-së, Unay Emery ka tentuar t’i japë fund zërave që flasin për rikthimin e brazilianit Neymar, në Spanjë, konkretisht te Reali i Madridit. Emery theksoi se blerja e Neymarit u bë për t’i hapur rrugë një projekti të gjatë dhe fitues, në kryeqytetin francez, ndaj askush nuk e mendon largimin e tij të parakohshëm.
“Neymar erdhi te ne për të hapur një cikël të ri dhe fitues, ndaj shpenzuam një shumë të tillë për të. Askush nuk e do largimin e tij dhe besoj se as ai vetë nuk e çon nëpër mend. Është e vërtetë që mund të ketë nevojë të ambientohet disi me jetesën në Paris dhe ne të gjithë po përpiqemi ta ndihmojmë në këtë drejtim. Gjithsesi, deri atëherë, rëndësi kanë paraqitjet në fushë, ku Neymar po tregon klasin e tij të lartë”, tha Emery.
Neymar është dashur të shkojë në një shtëpi tjetër. Ai jetoi në Bougival, një qytet i qetë, me më pak se 9000 banorë, ku hyrje-daljet e tij të shpeshta nuk i shqetësonin fqinjët. Në këtë rast, ka qenë e kundërta. Fqinjët e shqetësonin atë. Shtëpia luksoze ka 1000 metra katrorë sipërfaqe, plus bodrum, pishinë dhe një kopsht prej 5000 metrash katrorë, si dhe një mur rrethues 170 centimetra të lartë, nga i cili njerëzit nuk hezitonin të hidheshin për t’iu afruar lojtarit brazilian.
“Le Parisien” publikon se, arsyeja që lojtari i PSG-së ka vendosur të ndryshojë shtëpinë e tij është pikërisht kjo. Ai nuk e ka gëzuar jetën private, pasi njerëzit do ta mësynin në shtëpinë e tij për të marrë fotografi, ose për të kërkuar autografe. Prej tani, futbollisti do të jetojë në një zonë shumë më të sigurtë të Parisit.

Artikulli paraprakAnçeloti ka refuzuar kombëtaren italiane?
Artikulli tjetërMourinho, gati t’i rrëmbejë një yll tjetër Antonio Contes