Ançeloti ka refuzuar kombëtaren italiane?

E hëna do të jetë shumë e rëndësishme sa i përket futbollit në Itali, pasi do të mblidhet Këshilli Federal. Kështu, krahas konfirmimit të Tavecchios si president, pritet të diskutohet edhe në lidhje me trajnerin e ri.
Emri i vetëm që diskutohet në këto momente, është ai i Karlo Ançelotit, një trajner me mjaft eksperiencë dhe që për momentin është i papunë, pas shkarkimit nga stoli i Bayernit. Emrat e tjerë, si Mançini, Di Biagio, apo ndonjë tjetër, nuk bindin, ndërsa thuajse i gjithë opinioni sportiv italian, sugjeron Ançelotin si zgjedhja e duhur.
Gjithsesi, Giovanni Brachini, një menaxher i njohur futbolli, i ftuar në programin sportiv të një radioje italiane, tregoi me bindje se Ançeloti ka refuzuar stolin e kombëtares italiane.
“Ançeloti nuk do të stërvisë Italinë, të paktën për momentin. Mund ta them me bindje këtë, sepse planet e tij aktuale janë krejtësisht të tjera dhe stolin e kombëtares do ta preferonte pas disa vitesh”, tha Brachini.
Gjithsesi, të hënën pritet të ketë detaje të reja në lidhje me faktin, nëse do të pranojë Ançeloti stolin e Italisë, apo do të kërkohet një tjetër trajner.

Artikulli paraprakRanieri: Unë trajner i Italisë?
Artikulli tjetërNeymar do të qëndrojë gjatë te PSG