“New Europe”: BE nis zyrtarisht hetimet për korrupsion ndaj Vlahutin

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin është nën hetim nga Zyra europiane kundër Mashtrimit (OLAF).
Lajmi është publikuar në portalin “New Europe”, i cili shkruan se hetimi ndaj Vlahutin ka nisur për blerjen e vilës 1.6 milionë euro në një rezidencë në periferi të Tiranës.
OLAF është organi i vetëm i Bashkimit Europian i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e BE-së.
“Kjo është një shifër e çmendur sipas ekspertëve vendas, pasi ajo vilë nuk vlen as sa 1/3 e çmimit të shitjes. Shtëpi të ngjashme në të njëjtën zonë dhe akoma më të mëdha kishin një çmim më pak se 1 milion euro.
Ky hetim është me rëndësi të veçantë, pasi u hap 4 javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Shqipërisë më 25 qershor. Më shumë se në një rast, Vlahutin ka mbështetur haptazi Partinë Socialiste në pushtet të Kryeministrit Edi Rama. Fakti që ambasadorja e BE është miqësore ndaj Ramës dhe u vu nën hetim përpara zgjedhjeve, mund të nënkuptojë se Komisioni Europian nuk dëshiron të asistojë procesin zgjedhor të Shqipërisë”, shkruan “New Europe”. Vila e re e ambasadores së BE, Romana Vlahutin ka bërë bujë në Bruksel për shkak të shumës së madhe të parave që ka kushtuar kjo rezidencë. Zyra Antimashtrim e BE-së është pyetur nga portali “Tirana Echo” nëse ka nisur hetim. “Nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes suaj. OLAF zakonisht nuk bën komente për rastet që janë nën hetim apo që nuk janë nën hetim. Duhet të ruajmë konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm apo ndonjë procesi gjyqësor të mundshëm, në mënyrë që të respektohen të drejtat personale”, tha Zyra Antimashtrim e BE në një prononcim për portalin “Tirana Echo” pak kohë më parë. OLAF ka konfirmuar gjithashtu për këtë portal se drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Antimashtrim të BE-së dhe Prokurori i Përgjithshëm shqiptar Adriatik Llalla kohët e fundit kanë shkëmbyer mendime rreth bashkëpunimit mes dy institucioneve që drejtojnë.

Artikulli paraprakNdryshimet klimatike, Shqipëria shkarkon rreth 9,4 milionë tonë në vit CO2
Artikulli tjetërDyshja e trafikantëve Rroshi e Daja, në fushatë për Kavajën