Dyshja e trafikantëve Rroshi e Daja, në fushatë për Kavajën

Kavaja do të vazhdojë të qeveriset nën shembullin e Elvis Rroshit ose thënë më thjesht, me ardhjen e Dorian Muratit, një vasali të tij, nuk do të ndryshojë asgjë nga mentaliteti i bandave në këtë qytet. Ligji i dekriminalizimit arriti ta nxjerrë nga zyra e Bashkisë Elvis Rroshin, kryetarin famëkeq të Kavajës, por mesa duket nuk ka mundur ta heqë atë nga preferencat e tij. Një kronikë e “TV6 Kavaja”, transmeton pamje të Rroshit, i dënuar për përdhunim në Itali dhe Gentjan Dajës, kreut të PS-së Kavajë teksa shesin moral politik tek banorët e Luzit të Kavajës, në një takim elektoral në mbështetje të kandidatit për kreun e bashkisë Dorian Murati dhe ky një i përzgjedhur i Ramës. Madje Murati, gjatë fjalës së tij nuk ngurron të thotë se Bashkia do të qeveriset nën shembullin e “fantastikut” Rroshi. Duket se edhe Murati është pjesë e investimit kriminal të Rroshit të Kavajës. Pra, Kavaja, sipas mentalitetit të Ramës nuk mund të jetë ndryshe vetëm se një enturazh bandash politike, që kanë gjashtë vjet që mbajnë peng këtë qytet dhe banorët e saj.

Zëvendësimi i Shehut

Pas ikjes së Rroshit, një herë u përfol për kandidate të Bashkisë së Kavajës gruaja e Gentian Dajës, me qëllim që tava e vjedhjeve të mbetej brenda rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve. Pas zhurmës që u bë, tërhiqet gruaja e Dajës dhe në vend të saj kandidon një tjetër i besuar i Rroshit, Klodian Shehu, që nuk ishte gjë tjetër vetëm se një yes-man i kapobandës së Kavajës. Por, zgjedhjet e 7 majit u anuluan në Kavajë dhe Klodian Shehu, më pas u pa si i papërshtatshëm për të rikandiduar sërish. Në fakt, burime nga Kavaja shprehen se përgjatë kohës që bënte fushatë, Klodian Shehu u mundua ta mbajë larg dyshen Daja-Rroshi, me qëllim që të krijonte idenë se nuk ishte pjesë e të njëjtit klan. Në fjalimet e tij, megjithëse nuk kishte konkurrent, Shehu e përmendte pak ose aspak Rroshin e famshëm. Por mesa duket kjo s’i ka pëlqyer dyshes së pandarë të shokëve të trafikut të drogës, të cilët në zgjedhjet e 25 qershorit menduan të vendosin një tjetër emër në vend të tij, Dorian Muratin, një vegël e bindur e Rroshit, që e imiton dhe në veshje, por dhe në sjellje siç mund ta ketë vënë re shumëkush. Burime nga Kavaja shprehen se  përgjatë këtyre viteve s’ka qenë asgjë më shumë se një ushtar i Dajës dhe i Rroshit. Kjo është arsyeja sepse shumë anëtarë të PS-së u habitën kur panë që Shehun e zëvendësoi Murati me një të rënë të lapsit.

Përgjigjja më 25 qershor

Dje kandidati shihej me veshje “Armani” teksa i fliste fshatarëve të Luzit për punën që kish bërë “fantastiku” Rroshi. Në fakt mund t’i fliste dhe për privatizimet e tokave të Kavajës, firmën e ndërtimit ku është ortak me Dajën apo orientimin e investimeve drejt vendeve ku ai ka ngritur pallatet e tij, ose ku është futur kryeministri si ortak. Më qesharak në këtë histori dukej Gentian Daja, që para të pranishmëve dukej sikur e kishin sjellë me pahir, fliste e fliste për shtetin dhe vizionin e Edi Ramës në krye të shtetit dhe se si socialistët bëjnë shtet. Njeriu që erdhi prej hiçit dhe bashkë me përdhunuesin Elvis flisnin në emër të Ramës dhe dobësinë që na paska ai për Kavajën. Në fakt, 25 qershori nuk është shumë larg dhe kllounëve të këtij tipi Kavaja do ia japë përgjigjen me anë të votës. Kavajasit, ata që u ngritën kundër diktaturës, nuk do të lejojnë më të merren peng dhe të tallen në këtë farë derexheje nga njerëz me këtë moral. Nuk do të lejojnë që e ardhmja e fëmijëve të tyre dhe jeta e tyre, të varet nga oreksi i bandës së Rroshit, edhe nëse ky e ka emrin Dorian dhe jo Bashkim ose Enver si shefi i tij.

Dorian Murati, avokati i zullumeve të dyshesh Rroshi-Daja në Kavajë

Grabitja e pronave nga dyshja Rroshi-Daja është një fakt që e di e gjithë Kavaja, madje Rroshi në jo pak raste ka adresuar fondet e buxhetit të shtetit, drejt investimeve që ai me Dajën kryejnë në bregdet. Më datë 3 shkurt të këtij viti në faqen zyrtare të Facebookut të ish-Kryeministrit do të vinte ky denoncim. “Përshëndetje zoti Sali Berisha. Unë jam banor i qytetit të Kavajës dhe desha të denoncoj te ju një vjedhje të banorëve të fshatit Qerret. Elvis Rroshi dhe Gentjan Daja ndërtojnë pallate në plazh të Qerretit, po i vidhen hapësirat. Po ju dërgoj disa pamje që i kam bërë më datë 20 shkurt. Së bashku me qeverinë Rama po rrëmbejnë tokat tona, që sa gjejnë një hapësirë po ngrejnë pallate, duke rrënuar turizmin e Kavajës”, ka shkruar qytetari në adresë të Berishës. Në fakt i njëjti fenomen po ndodh dhe në Golem. Por jo vetëm kaq. Në zonën e Qerretit Rama nuk do të ngurronte të investonte jo pak, por 3 milionë euro për zgjerimin dhe ndërtimin e një rruge me gjatësi as 3 kilometra që kalon në krah të investimeve të Rroshit në këtë zonë. E njëjta gjë po ndodh dhe në Golem ku në resortet ku Rama është ortak, por bëhen plane për investime nga buxheti i shtetit dhe në të gjitha rastet qehaja i tyre është Rroshi. Në fakt kjo është pjesa më legjitime e aktivitetit të dyshes Rroshi-Daja, pasi përgjatë gjithë kohës ka pasur akuza për kultivimin dhe trafikimin e hashashit në fshatrat përreth Kavajës.

Artikulli paraprak“New Europe”: BE nis zyrtarisht hetimet për korrupsion ndaj Vlahutin
Artikulli tjetërRritet prania e vëzhguesve në terren, monitorim fushatës dhe ditës së votimit