Në tre muaj, 2067 familje të tjera u hoqën nga ndihma ekonomike

Për çdo muaj qeveria shkurton listën e personave që përfitojnë ndihmë ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare të vet INSTAT, numri i familjeve të varfra që përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike shtetërore sa vjen dhe rritet. Sipas të dhënave, në tre mujorin e fundit të 2015.

Numri i familjeve që përfituan ndihmë ekonomike ra në tremujorin e fundit të vitit 2015 me 2.6 %. Sipas të dhënave në buletinin statistikor të INSTAT shihet se gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 79.530 familje, nga të cilat 40.339 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 39.191 familje me ndihmë ekonomike të plotë. Numri mesatar i familjeve që përfituan ndihmë ekonomike gjatë tremujorit të katërt 2015 është ulur me 2067 familje krahasuar me tremujorin e tretë 2015.  Qarku i Elbasanit ka numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike (18,6 % të të gjitha familjeve në skemë në rang vendi) të cilat përfitojnë ndihmën ekonomike. Familjet me katër anëtarë zënë peshën më të madhe (30 %) në numrin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, 51 % e të cilave përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë. Ndihma ekonomike janë fonde publike dhe para për familjet e varfra dhe shpërndahet çdo muaj. Ajo mund të jetë e pjesshme ose e plotë, në varësi të të ardhurave të familjes. Ndihma përfitohet nga familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët e papunë,mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18- 25 vjeç,të cilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose nën kujdestari, prindërit e fëmijëve të lindur trinjak e më shumë, që u përkasin familjeve në nevojë. Gjatë vitit 2015 qeveri uli shpenzimet buxhetore për ndihmën ekonomike me 19 për qind. Nga 22.3 miliardë lekë të shpenzuara në këtë zë për vitin 2014 gjashtë vitit që shkoi u shpenzuan 18.3 miliardë lekë.

Kriteret e reja skandaloze për ndihmën ekonomike

Qeveria miratoi më datën 9 të këtij muaji (mars 2016) disa ndryshime për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike. Bashkë me ndryshimet u miratua edhe formulari i verifikimit të situatës social-ekonomike të familjeve në nevojë. Formulari, prej 3 faqesh, do të duhet të plotësohet 2 herë në vit. Nëse deklaratat do të jenë të rreme, atëherë deklaruesit i hiqet ndihma ekonomike. Ky penalitet iu shtua VKM–së së vitit 2012, në pikën 8. Paragrafi i shtuar thotë: “Pas shkronjës ‘b’, të pikës 8, shtohet shkronja ‘c’, me këtë përmbajtje: ‘c) Deklarimin e rremë apo mosdeklarimin e ndryshimeve të situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes’”. Familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike do t’u bëhet llogaria dhe për gomerët, mushkat, demat apo dhe peshqit që kanë në shtëpi. Sipas ndryshimeve të vendimit nr. 904, 12.12.2012 Këshilli i Ministrave ka vendosur rishikimin e procedurave të përfitimit. Tashmë do të jenë tre formularë që do të plotësohen nga administratorët në prezencë të kryefamiljarit. Në rast se kryefamiljari ka gënjyer për pasurinë që ka, atëherë përjashtohet menjëherë nga skema. Për këtë në VKM saktësohet plotësimi për “Formularin e verifikimit të situatës social-ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë dhe dy herë në vit atë të të gjitha familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi”. Ndërsa në nenin 5 ku saktësohen rastet e përjashtimit nga skema është përfshirë rasti për “c) Deklarimin e rremë apo mosdeklarimin e ndryshimeve të situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes”. Në formularët e deklarimit do të plotësohen tabelat nëse familja ka gomar, mushkë, lepuj, dem, dele, dhi, peshk etj. Për sa i përket banesës do të verifikohet nëse në familje ka biçikletë, frigorifer televizor etj. Apo dhe nëse ka kuzhinë të ndarë, dush, vaskë, ashensor, si dhe do të shihet cili është burimi i ngrohjes gaz, energji dru apo tjetër. Por çfarë do të duhet të deklarojnë familjet në nevojë, me qëllim që deklarimi i tyre të mos quhet i rremë. Janë një sërë asetesh jetësore. Përveç të dhënave personale, çdo aplikant për ndihmë ekonomike duhet të deklarojë nëse ka: televizor, frigorifer, makinë larëse (lavatriçe), pjatalarëse, sobë me gaz apo energji elektrike, sobë me vajguri apo me dru zjarri, kalorifer, mikrovalë, makinë qepëse ose thurëse, bolier dushi, antenë satelitore, biçikletë, motoçikletë apo makinë.  Lista nuk mbaron këtu. Aplikanti duhet të deklarojë edhe nëse në familjen e tij ndokush ka gjë të gjallë si: lopë, derra, dele, dhi, shpezë, kuaj, gomar apo mushkë, dem, bletë, lepuj, peshk apo ndonjë kafshë tjetër. Për të gjitha këto duhet bërë kujdes. Nëse nuk deklaroi qoftë edhe një të vetme, për shembull të harroni ndonjë nga derrat apo pulat që keni në shtëpi, përjashtoheni nga skema e ndihmës ekonomike. Edhe nëse nuk deklaroni kaloriferin apo bolierin, jeni të përjashtuar. Kini parasysh se do të duhet të mbushni një fletë edhe për të pranuar nëse informacioni rreth anëtarëve të familjes është i saktë, a është deklaruar saktë paaftësia, statusi i të punësuarit apo arsimimi. Çdo gabim ju nxjerr jashtë skemës, sado që mund të jeni të varfër.

Artikulli paraprakStrasburgu, Rama ligj të ri për të mos kompensuar pronarët
Artikulli tjetërRënie e lirë e investimeve të huaja direkte