Strasburgu, Rama ligj të ri për të mos kompensuar pronarët

BIRN

Qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë valën e kompensimeve të shtrenjta nga Strasburgu në favor të pronarëve të tokave, asetet e të cilëve u sekuestruan nga regjimi komunist. Qeveria shqiptare shpreson se legjislacioni i ri do të ndalojë vendimet e mëtejshme nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në favor të ish-pronarëve, që e kanë detyruar atë t’i paguajë atyre sasi të mëdha kompensimi financiar. Në vitin 2006, gjykata e Strasburgut lëshoi vendimin e parë në favor të pronarëve që kërkonin kompensim për pronat e marra nga regjimi komunist – dhe të cilëve u njohën të drejtat nga një komision shtetëror. Zyra e Avokaturës së Shtetit që funksionon brenda ministrisë së drejtësisë dhe përfaqëson shtetin shqiptar në gjykatë të Strasburgut i tha BIRN se shuma totale e kompensimit që u desh të paguhej në 2014 ishte 2,462,015 euro dhe 10,751,416 euro në 2015. Fatura për 2016 pritet të jetë gjithashtu e lartë. Më 17 mars, gjykata e Strasburgut e urdhëroi Shqipërinë të paguajë 11 milionë euro të tjera në një vendim në lidhje me gjashtë ish-familje pronare. Qeveria ka tre muaj kohë të gjejë fondet për këtë rast të ri kompensimi. Burime nga Zyra e Avokaturës së Shtetit dhe shoqata e pronarëve i thanë BIRN se një vendim tjetër multi-milionë euro nga Strasburgu mbi të njëjtën çështje do të jepet së shpejti. “Norma e çmimit të tokës që gjykata përdor për të kompensuar ish-pronarët është më e lartë sesa ajo e qeverisë. Kjo krijon një barrë financiare për shtetin, që është arsyeja përse po përpiqemi të ndalojmë praktikën e vendimmarrjes së Strasburgut për pronarët shqiptarë të tokave,” tha për BIRN Alma Hiçka, kreu i Zyrës së Avokaturës së Shtetit. Me shpresën për t’i dhënë fund vendimeve të kripura për nga çmimi i kompensimit, qeveria miratoi një ligj të ri për kompensimin e pronarëve për pronat dhe asetet në dhjetor 2015. Ky synon të mbledhë rreth 438 milionë euro dhe 23,000 hektarë tokë bujqësore për 10 vite në mënyrë që të kompensohen rreth 26,000 raste. “Do ta prezantojmë këtë ligj të ri në fillim të prillit në gjykatën e Strasburgut ngaqë e kemi hartuar sipas sugjerimeve të tyre,” tha Hiçka. “Ne shpresojmë që gjykata do ta vlerësojë si një zgjidhje të qëndrueshme për ish-pronarët dhe do t’i japë fund vendimmarrjes së tyre për pronat,” shtoi Hiçka. Megjithatë, në një shenjë se ligji i ri nuk do t’i japë fund mosmarrëveshjes së kompensimit mbi asetet e sekuestruara, shtatë padi të ndara janë drejtuar në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të ri, përfshirë mocione nga Presidenti i Shqipërisë, Avokati i Popullit dhe shoqatat e ish-pronarëve. Gjykata Kushtetuese pritet të lëshojë një vendim për ligjin në javën e parë të prillit. Ish-pronarët thonë se ata kanë pritur vite për të rimarrë pronat – ose të marrin kompensim financiar për to – që është arsyeja përse shumë prej tyre i janë drejtuar Strasburgut.

Shkelja e të drejtave të pronësisë

Shqipëria renditet e fundit për vitin 2015, në indeksin e të Drejtave të Pronësisë, krahasuar me vende të tjera të rajonit të Ballkanit, sipas indeksit të Forumit Ekonomik Botëror. Duke analizuar zhvillimet në të drejtat e pronësisë qeveria shqiptare referon se, reforma ka kontribuar pak në forcimin e të drejtave të pronësisë dhe në eliminimin e pasigurive ligjore. Legalizimi i ndërtimeve ende nuk është finalizuar, ndërsa rikthimi e kompensimi i ish-pronarëve është një proces në viijimësi, përfundimi dhe kostoja totale e të cilit nuk është e përcaktuar, thuhet në një analizë të posaçme të qeverisë për këtë çështje publikuar së fundmi. Ndër sfidat kryesore që duhen adresuar është finalizimi i regjistrimit të fillestar të pronave, me qëllim garantimin për sigurinë e pronësisë dhe zgjidhur mosmarrëveshjet e lidhura me pronësinë. “Këto dhe çështje të tjera për sigurimin e të drejtave të pronësisë dhe vendosjen e një sistemi të shëndoshë të menaxhimit të tokës janë të shumta, komplekse dhe duan një kohë të gjatë për t’u zgjidhur”, thuhet në raport. Për këto arsye, qeveria e ka identifikuar çështjen e tokës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të saj si një nga gjashtë përparësitë e saj për pesë vitet në vijim. Reforma në fushën e të drejtave të pronësisë synon mbrojtjen e të drejtës së qartë të pronësisë dhe eliminimin e pasigurisë ligjore. Megjithatë, problemet vazhdojnë të ekzistojnë, duke qenë se mekanizmat për sigurimin e të drejtave të pronësisë i bëjnë bisht zgjidhjes përfundimtare të saj.

Artikulli paraprakKriza greke dhe ngadalësimi i Italisë godasin dërgesat
Artikulli tjetërNë tre muaj, 2067 familje të tjera u hoqën nga ndihma ekonomike