Në ndihmë të Lindjes së Mesme

Ishac Diwan

Sot në Liban, janë të dukshme të gjitha simptomat e trazirave aktuale në Lindjen e Mesme. Refugjatët e sapoardhur nga Siria dhe Iraku u janë bashkuar refugjatëve palestinezë, të cilët ndodhen aty prej një kohe të gjatë. Vendi ka dy vjet pa president, për shkak se fraksionet rivale politike, duke reflektuar rritjen e armiqësisë ndërmjet mbështetësve të tyre, Iranit dhe Arabisë Saudite, e kanë dobësuar qeverisjen e brendshme.
Korrupsioni politik është i shfrenuar. Mbeturinat nuk pastrohen rregullisht. Por Libani tregon gjithashtu edhe shenja elasticiteti. Investitorët dhe sipërmarrësit janë duke marrë në sy rrezikun e çeljes së bizneseve të reja. Grupet e shoqërisë civile propozojnë dhe zbatojnë iniciativa të dobishme. Refugjatët janë duke ndjekur shkollën.
Armiqtë politikë po bashkëpunojnë për të minimizuar rreziqet e sigurisë dhe udhëheqësit fetarë apelojnë për bashkëjetesë dhe tolerancë. Elasticitetit i Libanit i detyrohet shumë kujtesës së luftës së tij të dhembshme civile (1975-1990). Nga ana tjetër, përvojat e tjera në rajon – që përfshijnë një histori të gjatë të qeverisjes autokratike dhe neglizhencës së pakënaqësive – i kanë fryrë zjarrit të konfliktit.
Siria, Iraku dhe Jemeni janë copëtuar tashmë nga lufta. Ndërkohë, përkeqësimi i gjendjes së palestinezëve, përbën ende një pakënaqësi shumëvjeçare në rrugët arabe dhe myslimane. Në këtë vorbull, janë në lulëzim grupe të reja radikale me axhenda transnacionale. Gjatë dy viteve të fundit, konfliktet janë derdhur mbi kufijtë kombëtarë, duke kërcënuar sigurinë globale.
Shteti Islamik i ka shfrytëzuar pakënaqësitë prej një kohe të gjatë të sunitëve, për të sfiduar integritetin territorial të Irakut dhe Sirisë, duke krijuar një vakum strategjik në të cilin Rusia, Irani, Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe Arabia Saudite luftojnë rishtaz për pushtet, ndonjëherë përmes mbështetësve në terren, por gjithnjë e më shumë me anë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ushtarake.
Çdo vend ka axhendën e vet. Irani kërkon të projektojë ndikimin e tij në mbështetje të popullsive historikisht dominuese shi’ite të rajonit, ndërkohë që Arabia Saudite kundërpërgjigjet duke armatosur fraksionet rebele që i kundërvihen presidentin sirian të mbështetur nga Teherani, Bashar al-Asad dhe duke luftuar atë që e sheh si një prani iraniane në oborrin e shtëpisë së vet, Jemenin.
Sa për Turqinë, ajo kundërshton krijimin e një shteti kurd, çka u bë e mundur kur Iraku dhe Siria u zhbënë territorialisht. Me rajonin që duket se po zhytet thellë në një vorbull konflikti të përhershëm, është e lehtë të besohet se vetëm diktatorët apo fanatikët fetarë mund të imponojnë ndonjë lloj stabiliteti. Por, të mendosh kështu, do të thotë të harrosh kryengritjet e shkuara progresive, si në Bejrut në vitin 2005, Algjer dhe Teheran në vitin 2009 dhe Pranverën Arabe që filloi në Tunizi dhe u përhap në të gjithë rajonin në vitin 2011.
Për të kuptuar se për ku po shkon sot Lindja e Mesme, ne duhet të shohim prapa në kohë dhe parë se si rajoni arriti në këtë pikë. Nacionalizmi arab dhe aspiratat e tij modernizuese filluan të stonojnë pas disfatës arabe në luftën arabo-izraelite të vitit 1967 dhe kolapsit të çmimeve të naftës në vitin 1986. Liderët kombëtarë mbajtën vendet e tyre nën kontroll me anë të represionit, ndërsa përdorën partitë opozitare islamike si gogolë për të shmangur reformën politike. Ekonomitë kombëtare, të rënduara nga favorizimi i miqve, ruajtën një rritje të ulët dhe qeveritë e humbën legjitimitetin.
Qe kjo strategji e paqëndrueshme, e cila çoi në vitin 2011 në rënien e regjimeve – në Tunizi, Egjipt, Libi, Siri dhe vende të tjera – që i pasuan ato. Me asnjë institucion të mbetur në këmbë për të siguruar një tranzicion paqësor politik në këto vende, grupet e dhunshme patën avantazhe ndaj qytetarëve të zakonshëm, në një kohë që pasoi një luftë e ashpër për pushtet.
Revolucionet e dhunshme mund të arrijnë zgjidhje paqësore, por një rezultat i tillë ka më pak të ngjarë të ndodhë aty ky janë në lojë pakënaqësitë e vjetra sektare, sikurse ndodh në Lindjen e Mesme. Përtëritja e ndasive të vjetra e të ashpra- e pasqyruar tek pakënaqësitë e sunitëve në Siri dhe Irak, shiitëve në Bahrein, Arabi Saudite dhe Jemen, dhe kurdëve e palestinezëve kudo – e bën situatën aktuale veçanërisht delikate.
Këto probleme kanë zier nën sipërfaqen e represionit autokratik për dekada të tëra. Tani, kutia e Pandorës është hapur, duke zbuluar një enigmë tepër të ndërlikuar gjeopolitike. Perëndimi meriton një pjesë të fajit për situatën aktuale. Ai dështoi t’i japë fund konfliktit të gjatë në tokën palestineze dhe kjo krijoi probleme të reja nga shpërbërja e shtetit të Irakut, financimi i muxhahedinëve në Afganistan dhe mbështetja e diktatorëve që përkrahnin programin e tij të sigurisë në Irak, Siri, Egjipt dhe gjetiu.
Me ndërhyrjet e fundit të fuqive të mëdha, nga SHBA-ja dhe Rusia, shumëkush rikujtoi marrëveshjen e vitit 1916 Sajks–Piko mes Britanisë së Madhe dhe Francës, për të hequr kufijtë vijën e re të kufijve kombëtare në rajon dhe e ndarë këtë të fundit në sfera ndikimi. Por, në rastin më të keq, Sajks–Piko ofron një model të mirë për atë që duhet shmangur në rindërtimin e Lindjes së Mesme. Rajoni nuk ka nevojë për kufij dhe protektorate të reja, por për shtete të mira, të ndërtuara për të qenë elastikë ndaj ndarjeve etnike dhe më pak të ndjeshëm ndaj ndikimit të jashtëm.
Sondazhet e opinionit, tregojnë se shumica e njerëzve në Lindjen e Mesme dëshirojnë të qeverisen nga shtete legjitime që mbështesin sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave civile dhe promovojnë bashkëjetesën mes komuniteteve. Ky është një qëllim i denjë, i cili do të kërkojë kompromise dhe ripajtim në nivel global, rajonal dhe kombëtar.
Që aktorët kombëtarë të kenë hapësirë për të gjetur zgjidhje, është i nevojshëm shpërshkallëzimi i tensioneve dhe arritja e kompromiseve – së pari në nivel global, mes SHBA dhe Rusisë, dhe më pas në atë rajonal, mes Iranit, Turqisë, Arabisë Saudite dhe Izraelit. Qëllimi duhet të jetë arritja e një marrëveshje të madhe, e cila duhet të marrë parasysh çështjet kryesore që ndajnë sot rajonin, duke përfshirë statusin e palestinezëve dhe kurdëve, si dhe krijuar kushtet për vendbanime të qëndrueshme politike në Siri dhe Irak.
Adresimi i problemeve që kanë mbetur të pazgjidhura për dekada të tëra është një punë voluminoze, por mosveprimi nuk është më i përballueshëm. Dhe asnjë nga vijat e kuqe në Lindjen e Mesme, nuk mund të zgjidhen më përmes izolimit. Sikurse ka argumentuar kohë më parë Antonio Gramshi “Në ditaret e burgut”, “Kriza konsiston pikërisht në faktin se e vjetra është duke vdekur dhe e reja nuk mund të lindë, dhe se në këtë interval shfaqet një larmi e madhe  simptomash të frikshme”.
Me pak fjalë, kjo është situata në Lindjen e Mesme. Ndihma për të ndërtuar një rend të ri rajonal, do të kërkojë nga të gjithë aktorët, të mëdhenj e të vegjël, të pranojnë kompromisin, siç kanë bërë libanezët. Një luftë që lë të mposhtur njërën palë, nuk mbaron asnjëherë.

Përplasjet e vjetra të reja
Nisi këtë vit dhe po vijon përplasja ndërmjet Arabisë Saudite (sunite) dhe Iranit (shi’it). Filloi më 3 janar, kur të dy fuqitë e rajonit ndërprenë marrëdhëniet diplomatike. Shkak u bë ekzekutimi i klerikut shi’it Nimr al-Nimr dhe 47 personave të tjerë më 2 janar, gjë që shkaktoi reagim të ashpër nga bota shi’ite. Media iraniane e përshkroi Nimr-in si një disident paqësor, ndërsa ekzekutimin si një akt provokues. Nga ana tjetër, në Arabinë Saudite mbizotëroi narrativa e sigurisë kombëtare, duke e justifikuar ekzekutimin e Nimr-it si pjesë e luftës kundër terrorizmit. Kjo përplasje ka marrë përmasa gjeopolitike aq të mëdha sa ka ndikuar edhe më tej në ndarjen sektare mes sunitëve dhe shi’itëve. Shkurt, kjo ndarje parashtron idenë se influenca e Iranit në Lindjen e Mesme është një kërcënim për shtetet arabe sunite.
Në fakt, situata aktuale është përplasja e radhës mes Republikës islamike dhe mbretërisë, të cilat kanë divergjenca gjeopolitike në lidhje me shumë çështje, ndër të tjera, interpretimi i Islamit, aspiratat për lidership në botën arabe, politikat e eksportit të naftës, marrëdhëniet me SHBA-në dhe Perëndimin. Për më tepër, kjo ndarje aktuale sektare nuk ndodh vetëm ndërmjet këtyre dy shteteve, por edhe ndërmjet të gjithë atyre shteteve nën ombrellën gjeopolitike iraniane dhe saudite.
Siç vërehet edhe në hartë, shtetet sunite janë rreshtuar kundër atyre shi’ite. Kjo ndarje reflektohet qartë teksa shtete si Bahreini, Katari, Sudani, Xhibuti apo Emiratet kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, ndërsa nga ana tjetër Siria dhe Iraku (pjesa shi’ite, që është edhe pjesa zyrtare) janë vënë në anë të Iranit. Jordania dhe Egjipti kanë kritikuar ndërhyrjen e Iranit në çështjet e brendshme arabe.
Ndryshe nga shtetet e mësipërme, Turqia vazhdon të luajë si një fuqi më e madhe, duke e përshkruar ekzekutimin e klerikut si një çështje të brendshme e Arabisë Saudite. Qeveria Rajonale e Kurdistanit (Iraku i Veriut) del me një deklaratë të njëjtë me Turqinë, gjë që nënkupton influencën gjeopolitike të Turqisë në Irakun e Veriut (pavarësisht se qeveriset nga kurdët). Turqia luan me kartën e neutralitetit në konfliktin Iran-Arabi Saudite, pasi do të kërkojë të marrë një rol kyç në rajon si ndërmjetëse për zgjidhjen e konfliktit. Gjithashtu, Turqia është shquar për menaxhimin e krizave, duke ndjekur parimin e saj “të famshëm” asnjë problem me fqinjët (mban kontakte të mira përtej kufijve ideologjikë dhe fetarë). Është një moment i artë për Turqinë të tregojë që po i rikthehet zbatimit të këtij parimi në Lindjen e Mesme me konflikte të shumta.
Iniciatorja e konfliktit, Arabia Saudite, nuk krahasohet me fuqinë ushtarake ekomomike të Iranit, i cili pritet të ketë prosperitet të madh tani, pas heqjes së sanksioneve nga Perëndimi. Arabia Saudite ka një fuqi ushtarake prej 200,000 trupash përkundrejt 550,000 të Iranit. Industria e hidrokarbureve mban në këmbë Arabinë, ndryshe nga ekonomia e Iranit që ka diversitet dhe nuk ka virusin e “mallkimit të naftës”. Ndërkohë, Arabia Saudite është në një situatë jo edhe aq të konsoliduar ekonomike për shkak të varësisë së plotë nga sektori i naftës.
Prandaj, për të ruajtur hegjemoninë në shtetet sunite dhe për t’iu kundërvënë Iranit, Arabia Saudite duhet medoemos të formojë aleanca, duke iu premtuar shteteve sunite rreth saj bashkëpunim ushtarak dhe ekonomik (përveç mbështetjes diplomatike të përshkruar më sipër).
Në këtë mënyrë, ushtarakisht Arabia Saudite është pjesë e një koalicioni të gjerë kundër terrorizmit, koalicion, në të cilin nuk përfshihet Irani me aleatët e tij, Sirinë dhe Irakun, në një kohë që paradoksalisht në Siri dhe Irak po ndodh teatri i luftës. Por qëllimi kryesor i koalicionit është të mbrojë interesat sunite, në shtete të tilla si Siria, Iraku, Jemeni dhe Libani. Prandaj, ekzekutimi i klerikut Al-Nimr është thjesht një sinjal që Arabia i dërgon Iranit se nuk do të tolerojë influencën iraniane në zonat shi’ite brenda vendeve me shumicë sunite.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakKonkurrenca hap hetimin paraprak për tregun e sigurimeve
Artikulli tjetërKoncesioni për monitorimin e lojërave të fatit me shkelje ligjore