Koncesioni për monitorimin e lojërave të fatit me shkelje ligjore

Të mërkurën, qeveria miratoi një vendim që paralajmëron një koncesion të ri dhe këtë herë për monitorimin online të lojërave të fatit. Vendimi në fakt ka një përplasje të pastër me ligjin kryesor “Të Lojërave të Fatit”, i cili hyri në fuqi në fund të vitit 2015. Konkretisht vendimi përcakton tek dispozitat e përgjithshme se: Operatori, që ndërton Sistemin Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) të lojërave të fatit, kryen edhe procesin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tij, duke garantuar procesin e monitorimit on-line të të dhënave që do të përdoren nga AMLF-ja.
Por shfrytëzimi i sistemit është në mënyrë automatike një detyrim që e ka vetë Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit si ent publik, pasi kështu e përcakton ligji. Operatori privat sipas ligjit bën vetëm ndërtimin dhe mirëmbajtjen. Në pikën 1 të nenit 48 të ligjit shprehimisht thuhet: Sistemi Qendror i Monitorimit On-line (SQMO) i Lojërave të Fatit në Republikën e Shqipërisë shfrytëzohet nga AMLF-ja, e cila merr të dhënat nga sistemi në kohë reale. Kurse lidhur me detyrimet që ka operatori privat në nenin 51 pika 2 thuhet: Organizatori ka detyrimin ta ruajë, ta mirëmbajë dhe të mos lejojë ndërhyrje në sistemin që lidhet me monitorimin on-line nga AMLF-ja dhe është përgjegjëse për çdo ndërhyrje në sistemin qendror të monitorimit.
Kjo është tentativa e dytë e qeverive shqiptare për të dhënë me koncesion monitorimin online të lojërave të fatit. E para, ishte në vitin 2013 kur në shkurt qeveria Berisha miratoi një vendim që autorizonte Ministrinë e Financave të jepte një koncesion për fiskalizimin dhe monitorimin e lojërave të fatit. Tenderi i hapur nuk u mbyll me sukses, pasi pati interes vetëm nga dy kompani, një italiane dhe një asutriake që nuk përmbushën dot kriteret e kërkuara. Afati i koncesionit ishte paracaktuar 10 vjet.
Tashmë kemi një tjetër koncesion në horizont dhe të paktën në fund të tetorit pritet që financat të japin edhe detajet e tjera si do procedohet. Por si kryhet monitorimi online i lojërave të fatit. Për makinetat e kazinove lidhja online bëhet përmes një karte sim që transmeton në kohë reale të dhënat ose bëhet lidhje e integruar me fishë. Kurse për bastet sportive monitorimi bëhet përmes instalimit të një softëare në kompjuterin e pikës së basteve. Operatori që do të fitojë të drejtën duhet që të ndërtojë edhe sistemin e monitorimit dhe ta mirëmbajë atë, duke marrë në kthim si pagesë jo vetëm një tarifë fikse për çdo pajisje, por edhe një përqindje mbi të ardhurat bruto nga loja.

Artikulli paraprakNë ndihmë të Lindjes së Mesme
Artikulli tjetërDroga e krimi vendosi për Dibrën, Rama humb kontrollin në Parlament