Në katër vite u trefishua numri i mjekëve të larguar nga Shqipëria

Largimi i mjekëve nga Shqipëria në katër vitet e fundit ka tronditur gjithë sistemin shëndetësor, ndërsa është shndërruar në një eksod të vërtetë që vijon edhe sot. Shifrat zyrtare flasin për një trefishim të numrit të mjekëve të larguar, ndërsa kërkesa e tyre për të lënë vendin është në rritje. Nga viti 2014 dhe deri vitin e kaluar me qindra mjekë kanë kërkuar çertifikatën e sjelljes profesionale me qëllim paraqitjen e saj për të aplikuar për punë jashtë Shqipërisë. Çertifikata e sjelljes së mirë profesionale (Good Standing Cerificate) lëshohet nga Urdhri/Dhoma apo Shoqata e Mjekëve të vendit të vet, ku vërtetohet se mjeku është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se gjatë ushtrimit të profesionit nuk ka asnjë masë disiplinore kundrejt tij/saj. Kjo çertifikatë është një dokument që kërkohet nga të gjithë mjekët që aplikojnë për specializime afatgjata ose afatshkurtra jashtë vendit, kërkohet për të konvertuar diplomën e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës në një vend të huaj, kërkohet për të punuar jashtë vendit.
Sipas të dhënave të kërkuara në rrugë zyrtare nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, lidhur me numrin e mjekëve që kanë kërkuar çertifikatën e sjelljes së mirë profesionale, na u vunë në dispozicion shifrat e mëposhtme, nga viti 2013-2017:
Në vitin 2013 janë pajisur me këtë çertifikatë 76 mjekë të përgjithshëm
Në 2014 janë pajisur me këtë çertifikatë 128 mjekë të përgjithshëm
Në 2015 janë pajisur me këtë çertifikatë 124 mjekë të përgjithshëm dhe 19 mjekë specialistë
Në 2016 janë pajisur me këtë çertifikatë 165 mjekë të përgjithshëm dhe 43 mjekë specialistë
Në 2017 janë pajisur me këtë çertifikkatë 175 mjekë të përgjithshëm dhe 32 mjekë specialistë
Pavarësisht se çertifikata e sjelljes së mirë është dokument që lëshohet vetëm për jashtë shtetit, shprehet Urdhri i Mjekut, nuk mund të bëjmë një vlerësim sesa mjekë që pajisen me këtë dokument nuk kthehen më në Shqipëri.
Vitin që shkoi kjo statistikë u interpretua si një gjendje alarmi për vendin. Nën zë mjekët shprehën pakënaqësinë e të punuarit në Shqipëri, ndërkohë që vende të tjera si Gjermania, po ofronin kushte shumë më joshëse.
Në mars të vitit të kaluar, në një intervistë për “Shëndet+”, Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, ka folur për këto shifra, si dhe për arsyet e këtij vendimi të mjekëve për t’u larguar nga vendi. Sipas regjistrit që ky institucion disponon, në vitin 2016 kanë bërë kërkesë për të tërhequr një çertifikatë që dëshmon sjellje të mirë të mjekut në punë 208 mjekë, çka nënkupton edhe aplikimin e tyre për t’u larguar nga vendi. “Nëse Fakultetit i Mjekësisë nxjerr 150 mjekë në vit, është po kaq numri i mjekëve që bëjnë kërkesë për t’u larguar çdo vit. Praktikisht, po na ikin të gjithë”, ka thënë doktor Fatmir Brahimaj për gazetën “Shëndet+”.
Ministria e Shëndetësisë, e vënë përballë këtij fakti ku spitalet rajonale po mbyllnin shërbimet për shkak të mungesës së mjekëve, ofroi bonusin me qëllim motivimin e mjekëve të Tiranës. Por sipas Prof. Brahimajt ne heqim nga një xhep në tjetrin. “Nuk është se ne shtojmë numrin e mjekëve. Ideja është që të ndërtojmë politika që t’i mbajmë këtu mjekët. T’u përmirësojmë pagat, kushtet e punës, të sillen aparatura të reja, bashkëkohore. Nëse kam kushte të mira pune, kam pagë të mirë, kam mundësi të bëj të njëjtën gjë në të njëjtin nivel si të tjerët, nuk kam pse iki. Në Tiranë ka mangësi të vogla. Në rrethe ka mungesa të mëdha, sidomos të specialistëve. Ideja është që sidomos në rrethe, specialistët na mungojnë. Kemi zona të zbuluara pa mjekë. Problemi tjetër është që këta që na mbeten, mbingarkohen. Po u mbingarkove, do të bjerë cilësia e shërbimit. Nuk mund të arrijmë një respektim të standardit. Nuk është zgjidhje, sepse nuk e rrit numrin. Ai ikën nga një spital i Tiranës dhe shkon diku tjetër. Këtu nuk janë tepër. Kjo është për ta joshur, por nuk është tepër”, është shprehur Brahimaj. Përballë këtyre shifrave janë vënë edhe ministrat e Shëndetësisë.

Artikulli paraprakChiellini përgatit rinovimin me Juven
Artikulli tjetërInteri në kaos!