Ndodhi edhe kjo, këshilltari i Ramës padit qeverinë!

Këshilltari i Kryeministrit Maksim Malaj ka paditur në Gjykatën Administrativë të Apelit institucionin e Këshillit të Ministrave, Ministrinë e Mbrojtjes si dhe Qendrën Nderinstitucionale Operacionale Detare (QNOD).

Tirananews.al mëson se në çështjen që ka për relator Kastriot Selitën, Gjeneral Major Maksim Malaj kërkon detyrimin e palës së paditur që ta dëmshpërblejë me pagën e 12 muajve, si pasojë e zgjidhjes së marrëdhënies së punës në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara si dhe detyrimin e palës së paditur që ta dëmshpërblejë me pagën me 2 muaj dëmshpërblim për shkak të mosrespektimin të afatit të njoftimit.

Gjithashtu, në padinë e tij drejtuar gjykatës të regjistruar më 18 mars 2019, Malaj kërkon detyrimin e palës së paditur që ta dëmshpërblejë me pagën me 2 muaj dëmshpërblim për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.

Gjeneral Major Maksim Malaj është aktualisht këshilltar për çështjet e sigurisë tek Kryeministri Edi Rama, post të cilin më herët e mbante Sandër Lleshaj, aktualisht, Ministër i Brendshëm.

Ndërkohë Gjeneral Major Maksim Malaj deri në kohën e emërimit në këtë detyrë mbante postin e Prefektit të Qarkut të Elbasanit, detyrë në të cilën u emërua Gledian Llatja, emri i të cilit lakohet si kandidati potencial i të majtës për kandidat për kryetar i bashkisë së Elbasanit në zgjedhjet e 30 qershorit.

Gjeneral Major Maksim Malaj ka lindur në Vlorë më 13 shtator 1958. Eshtë një ushtarak karriere. Ai ka arritur gradën më të lartë për një ushtarak: Gjatë qeverisjen së Sali Berishës ai ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, raporton tirananews.al.

Malaj e mori këtë detyrë në vitin 2008, pas ngjarjeve të Gërdecit duke zëvëndësuar në këtë post të lartë Gjenerallejtnant Luan Hoxhën dhe e la në 8 gusht 2011. Me mbarimin e mandatit tre vjeçar, ish kryeministri Sali Berisha i propozoi Bamir Topit lirimin e Malajt nga shefi i Shtabit të FA.

Sipas Berishës, arsyeja e lirimit të Malajt lidhej me mbarimin e mandatit. Në vendin e Malajt në 2011 të FA, u emërua Xhemal Gjunkshi. Ndërsa ishte në lirim, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në janar 2014 e riktheu në detyrë gjeneral majorin në rezervë, Maksim Malaj në postin e drejtorit të QNOD-s, (Qendra Ndëroperacionale Detare në Durrës. Pikërisht edhe padia lidhet me këtë detyrë.

Artikulli paraprakNATO uroi 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë me foton e Bashës
Artikulli tjetërShqipëria në flakë, 249 vatra zjarri, Rama në kozmetikë