Ndërron jetë një grua e prekur nga Covid-19, bie ndjeshëm numri i të infektuarve

Një grua 72 vjeç ka humbur jetën dje në orët e pasdites për shkak të COVID 19, bëjnë të ditur burimet.

Viktima ishte e shtruar në Spitalin Infektiv ku dhe ka gjetur vdekjen. Mendohet se 72-vjeçarja ishte transferuar nga Spitali sëmundjeve të Brendshme pasi ishte testuar pozitive me COVID 19.

Në 24 orët e fundit janë kryer 102 testime për Covid, nga të cilat 6 kanë rezultuar raste pozitive. Rastet e reja janë zbuluar në Tiranë, Durrës dhe Mat, mes tyre dhe një personel mjekësor.

Deklarata e plotë e Ministrisë

Pavarësisht tendencës së rritur të rasteve të konfirmuar pozitivë gjatë javës së shkuar, të evidentuara në dy vatra të reja, aktualisht po shohim që situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme. Strategjia e lehtësimit të masave do të vijojë paralelisht me një shkallë më të lartë të gadishmërisë të strukturave epidemiologjike, për identifikimin e rasteve dhe gjurminin e thelluar epidemiologjik.

Në 24 orët e fundit janë kryer 102 testime në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, nga të cilat janë konfirmuar 6 raste pozitive, përkatësisht janë 4 në Tiranë (nga te cilet një personel shëndetësor), 1 rast në Durrës, dhe 1 në Mat.Të identifikuarit pozitivë për Covid19 në 24 orët e fundit janë kontakte dhe raste të reja për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik.

Aktualisht po trajtohen 28 të prekur në spitalin infektiv, nga të cilët 3 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 5 qytetarë, duke e çuar në 877 numrin e të shëruarve. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16 mijë testime molekulare dhe serologjike. Që nga fillimi i epidemisë janë 1143 rast e të konfirmuara. Aktualisht janë 233 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Nga sot do të fillojë lehtësimi më i madh i masave që nga fillimi i epidemisë, me heqjen e të gjitha kufizimeve të lëvizjes, me hapjen e kufinjve tokësorë dhe një seri aktivitetesh të tjera.

Do të vijojnë të jenë të ndaluara aktivitetet dhe grumbullimet masive që konsiderohen me risk të larte për përhapjen e Covid19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, dhe të mos e ulin vigjilencën. Është në dorën e qytetarëve që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit.

Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

Artikulli paraprakBasha: Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve tanë, motivimi ynë për të bërë gjithçka për një jetë sa më të lumtur
Artikulli tjetërVeliu paditet në Gjykatën e Tiranës